Shkolla Rrezor  Mleqan, Malishevë, Republika e Kosovës – Republic of Kosova
Opinione…
7.11.2006 Alush Kryeziu

 

 

Gjuha shqipe

Gjuha shqipe është gjuha më e vjetër e Europës. Ajo rrjedh nga gjuha ilire dhe ajo thrako-frigjiane (të një trungu me gjuhën etruske) gjuhë trazhgimtare e pellazgjishtes së lashtë, nga e cila grekët huazuan një pjesë të gjuhës së tyre, greqishten e lashtë. Nga ajo rrjedhin drejtpërdrejt gjuha joniane dhe ajo arkado-qipriote. Gjithsesi gjenden një numër i madh fjalësh të ndryshme si dhe oronime, toponime, antroponime ose teonime pellazge dhe thrako-ilire në gjuhë të ndrushme të vdekura apo të gjalla: hitite, etruske, latine, kelte, baske, armene, gjuhë të Kaukazit, gjuhë balltike, irlandishte e vjetër, anglishte, gjermanishte e hershme etj.

Shqipja përbën një degë krejtësisht më vete të gjuhëve të quajtura indoeuropiane dhe nuk rrjedh nga asnjë gjuhë tjetër e njohur.
Ne nuk zotërojmë gjurmë të ilirishtes së last, përveç disa epigrafeve të rrallë (transkiptime fonetike të gjuhës së tyre me anë të gërmave greke dhe më pas latine) të përbëra nga emrat të përveçëm dhe toponime tipike ilire. Në të vërtetë prijësit ilirë përdornin greqishten dhe më pas latinishten (gjuhë ndihmëse) në mardhëniet e tyre me botën e jashtme, ndërkohë që populli fliste gjuhën e tij. Ky është një monument i madh apo gjurmë e prekshme që pellazgo-ilirët u lanë trazhëgim brezave të ardhshëm: vërtet një fosile e gjallë. Z. Majani në lidhje me këtë pohon:
“Gjithsesi shqipja është një gjuhë mahnitëse ku nganjëherë mjafton të përkulesh përdhe për të kapur një purtekëz ari… filologjike. Është kjo gjuhë ku pamundim më të vogël, nganjëherë ju bien në dorë zbulime: fjalë arkaike që janë bashkëkohëse me Iliadën dhe Numa Pompilius”.
Siç e pamë në paragrafin e mëparshëm, ilirët ishin një popull autokton, të cilët kanë vazhduar në përjetësi kulturën, gjuhën dhe traditat e trazhëguara nga pellazgët e lashtë. Ata ua përcollën këtë trazhgimi kulturore pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë: shqiptarëve.
Megjithëse nuk gjenden aspak gjurmë të shkruara të gjuhës shqipe përpara shekullit XIV, është i pakundërshtueshëm mendimi që shqiptarët e sotëm flasin të njëjtën gjuhë me stërgjyshërit e tyre, pamvarsisht disa përpunumeve dytësore të pashmangshme që pësoi nga stuhitë e kohëve. Në të vërtetë gjuhëtarët e parë të shekullit të XIX, ndër të cilët Ksilander, Ramus, Shlaiçer, dh mbi të gjithë Franc Bop kanë treguar se gjuha shqipe është dukshëm një gjuhë indoeuropiane por që nuk ka asnjë degëzim me këdo gjuhë tjetër të njohur.
Gjuhëtarë të shumtë e bashkangjisin gjuhën shqipe me grupin indoeuropian të veriut të Europës për shkak të zhvillimit strukturor. Por këta të fundit janë të prerë: t’i bashkëngjitësh një gjuhë një familjeje ose një grupi gjuhësh nuk do të thotë se bëhet fjalë për një degëzim, por për një zhvillim strukturor. Kështu në gjuhët indoeuropiane të Veriut, gërma o e shkurtër është shëndruar në a, ndërsa në gjuhët e Jugut është ruajtur gërma o. ja pra për këtë arsye ata e bashëngjitin gjuhën shqipe te gjuhët e Veriut. Ja një shembull i qartë, fjala natë ; është natë (shqip) nacht (gjermanisht), naktus (lituanisht) për gjuhët e grupit të Veriut si dhe nox, noctis (latinisht), nuktos (greqisht) për gjuhët e grupit të Jugut. Raportet e gjuhës shqipe me gjuhët e Veriut të Europës kanë qënë studiuar nga gjuhëtarë të shumtë, ndër të cilët pedersen, Hoger dhe albanologu i shquar Norbert Jokl. A nuk duket e gjithë kjo normale, kur dihet që rajonet e sipërme dhe të mesme të Danubit kanë qënë djepi apo vatra zanafillore e pellazgo-ilirëve, ose të paktën një nga etapat e shtegëtimeve të tyre prej Atlantikut (viset baske) deri në Detin e Zi (Kaukazi)?
Xhon Geipel, midis autorëve të tjetë modernë, ka nxjerrë disa të vërteta të pakundërshtueshme në librin e tij “Antropologjia e Europës” :
“Pamvarësisht sulmeve, shqiptarët…në të vërtetë mbetën të izoluar në malësitë e thella të tyre dhe e ndjenë shumë pak ndikimin e pushtuesve, megjithëse një farë numri fjalësh greqisht, latinisht, sllavisht dhe turqisht kanë kaluar në gjuhën e tyre. Pushtimi sllav në Ballkan gjatë shekujve VI pas Krishtit solli zhdukjen e dialekteve shqip në rajonet e Bosnjës dhe Malit të Zi, por e thënë saktë gjuha sllave nuk arriti kurrë të zinte rrënjë në Shqipëri. Gjuha shqipe trajtohet se ka një strukturë gramatikore dhe një farë fjalori të gjuhës thrako-frigjiane e cila është zhdukur kudo në Ballkan”.
Dhe për të përfunduar ja çfarë thotë Norbert Jokl:
“në çdo aspekt vëmë re se trashëgimia gjuhësore e përcjellë nga gjuhët e lashta të Ballkanit si gjuha ilire dhe ajo thrake, është e lidhur ngushtë me gjuhën shqipe”.
Gjuhëtari Meje në librin e tij “Gjuhët idoeuropiane” duke mos mundur të vendosë zanafillën e vërtetë të pellazgëve dhe as karakterin pararendës të gjuhës së tyre, nuk ka mundur të vendosë lidhjen me gjuhën ilire dhe aq më pak me shqipen, por megjithatë edhe ai ka nxjerrë disa të vërteta befasuese:
“Ilirët kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm, por ende të përcaktuar keq, në qëndër të Europës dhe kanë vepruar në tri drejtime: drejt botës gjermanike,me të cilën lidhjet dhe shkëmbimet kanë qenë të pareshtura, drejt Italisë, ku popuj të shumtë ilirë ishin vendosur ( madje është hamendësuar që populli i Umbria ska qënë një degë ilire) ata gjithashtu duhet të kenë lumzuar në një periudhë të hershme ne jug të Ballkanit, ku emra të shumtë vendesh shënojnë një kolonizim të lashtë ilir të mbuluar nga pushtimi helen. Duhen trajtuar gjithashtu filistinët me origjinë ilire, të cilët emërtuan Palestinën. Rrënja dhe fjalëformimi janë emra të mirëfilltë ilir.
Gjithsesi mbetet e trubullt çështja e pellazgjishtes së lashtë:
“krahinat që pushtuan grekët, kishin qënë të banuara përpara mbërritjes së tyre nga popullsi të një rrace të panjohur si edhe me një gjuhë të panjohur, për të cilët ne dimë vetëm emrat Pellazgë, Lelegë, Karianë, etj. Sipas mbetjeve toponimie të ngulimeve të tyre, këta popuj flisnin gjuhë jo indoeuropiane. Në bazë të dëshmive të të lashtëve gjuha pellazge (emër i paqartë që duket të ketë qenë përdorur për gjuhë të ndryshme para-helene) ishte ende në përdorim në shekullin e V para Krishtit në bregdetin e Thrakës, në jug të Propontidës dhe në disa ishuj të Imbros, Lemnos, Samothrakë dhe deri në Kretë”.

Për të përfunduar ja dhe ky paragraf, ajo çfarë mendon Z.Majani në studim të tij mbi Etruskët dhe fiset nga i njëjti trung Thrako-Ilirët:
“Heredoti sipas një tradite e trajtonte Anatolinë si pikënisjen e etruskëve për në Itali. Rreth vitit 1300 para Krishtit, këto vende të Anatolisë ishin të populluara pjesërishtë nga ilirët dhe thrakët të ardhur nga Ballkani. Kështu brigët maqedonë u bënë frigjianë në Anatoli. Dardanët ballkanas u vendosën në Troadë. Ata flisnin dialekte ilire : një gjuhë indoeuropiane më vete, as greke, as latine. Nga kjo shpjegohet se përse latinistët dhe helenistët nuk kanë mundur të shpjegojnë etruskishten. Ata kërkojnë çelësin në këto gjuhë klasike. Mirëpo ai gjendet diku tjetër. Vetëm gjuha ilire na lejon të qarkullojmë mjaftueshëm hapësirën e këtij humultimi, në mënyrë që të kapen afritë me gjuhën etruske. Së fundi burimi ynë kryesor, natyrshëm mbetet gjuha shqipe, e vetmja gjuhë ballkanike e gjallë, baza e së cilës ka mbetur gjuha ilire”
Në të vërtetë duhet shënuar që gjuhëtarët e parë të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX, i kanë bazuar humultimet e tyre paraprake në veçanti në afrinë sanskritisht – greqisht – latinisht. Ja përse edhe ky problem etno-gjuhësor ka mbetur në udhë pa krye, d.m.th. nuk ka mbajtur parasysh të qënit më e hershme e pellazgjishtes së lashtë kundrejt gjuhës greke, madje edhe asaj sanskrite dhe ndikimi i saj i sigurt mbi disa gjuhë të mëvonëshme. Përveç të tjerave, në këtë pikën e fundit duhet shënuar roli që gjuha ilire ka ushtruar mbi gjuhët ballkanike.

Burimi: Marrë nga libri i autorit Mathew Aref, Shqipëria, odisea e pabesueshme e një populli parahelen

_________________

Gjuha e njësuar shqipe, vlerë gjithëkombëtare

Dr. Jakup Krasniqi

Ka të tillë që edhe sot guxojnë të marrin mundimin "intelektual" të shekullit XX, të cilin na e lanë trashëgim "intelektualët" dhe politika tradicionale kriminale e shovinistëve serbë, të cilët për një shekull u munduan të krijonin nga kombi shqiptar dy kombe: a – albancët (në Shqipëri) dhe b – shiftarët (në Kosovë)! Këta të fundit, disa fundërrina serbofile, të shfaqura si çakej e hiena edhe në faqet e internetit, i kanë konvertuar shiftarët si nocion përbuzës e fyes në komb kosovar. Praktika e politikës serbo-jugosllave, pas Luftës së Dytë Botërore, në këtë rrafsh nuk ishte e pasuksesshme në raport me të tjerët në hapësirat e ish-Federatës Jugosllave, por jo edhe në Kosovë. Me gjithë mundin e tyre të pakursyer, të mendjeve narcisoide të "kombit qiellor", ata nuk ia arritën dot ta realizonin atë qëllim djallëzor dhe njëkohësisht kriminal. Nëse dyshoni në këtë, urdhëroni e shfletojeni shtypin serb nga vitet 80 deri më sot dhe do të bindeni. Kuptohet, nëse nuk ju dhimbset fakti se duhet ta lini rrugën dhe të shkoni në biblioteka për të lexuar, shfletuar e studiuar me nge. Duke qenë rrahagjoksë të tillë, besoj se e kuptoni gjuhën serbe të atyre viteve, të cilën po e përdorni sot me fjalë shqipe e mendësi serbe.

Tani, në shekullin e ri, XXI, vetë politika serbe s’po ka nge të merret me këtë çështje, sepse ka edhe halle të tjera, ndaj i ka paguar ca argatë të punojnë për ta. Tani këtë detyrë e kanë marrë përsipër (si shpëtim për kosovarët!) disa pseudointelektualë klandestinë e çunakë (nuk po mendoj vetëm për moshën e re që e kanë) të Kosovës nënë, e cila po pengohet nga gërryerjet e tyre primitive të një lufte ndryshe të klasës politike e intelektuale sot. Këto përpjekje janë të pakohë dhe të palogjikë, s’kanë asnjë arsye të veprimit, s’kanë asnjë nivel kombëtar e intelektual, thjesht janë veprime krejt kuturu e pa interes. Janë humbje kohe. Jam sfiduar t’u përgjigjem shkurt partizanëve kundërshtarë të gjuhës së njësuar shqipe, sepse në adresën time elektronike më erdhi njoftimi për daljen e librit "Gjuha e këputur e shqipes", duke më obliguar kështu t’i them dy fjalë: Edhe pse jam i bindur se gjuhësia është fushë e rezervuar enkas për elitën akademike dhe studimore të gjuhësisë e jo për ata që nuk arritën kurrë ta mësojnë dhe ta flasin sa e si duhet gjuhën e bukur shqipe. Mësimi dhe përdorimi i gjuhës së njësuar shqipe, si një nga vlerat më të mëdha kombëtare, ende nuk është i lehtë për t’u shtrirë horizontalisht, se shkollën shqipe në Kosovë e kanë shoqëruar aq shumë pengesa e vështirësi, të cilat i shkaktoi sistematikisht armiku shekullor. Kjo nuk duhet të na pengojë ta mësojmë, ta përdorim dhe ta kultivojmë, në familje, në shkollë, në administratë, në media publike e private dhe kudo tjetër. Në thesarin e pasur të popullit tonë ka fjalë të urta, që shprehin filozofi të tërë. Njëra syresh thotë: "Kur nuk ke çka të bësh, luaj derën!" dhe tjetra, "Kur ke nge, shti rruaza në pe!" Sigurisht, ata që kohën e kanë të kotë edhe mund të merren me kotësi, ose, mbase, ndokush në kohën tonë i paguan edhe kotësitë e të kotëve, për të cilën gjë, në fakt, edhe nuk dyshoj shumë se po ndodh. Nuk dyshoj, sepse ata që marrin guximin për t’i përbaltur vlerat kombëtare, jo vetëm gjuhën e njësuar, nuk mund të kenë adresë tjetër. Angazhimi i tyre flet vetë.

Duke jua rikujtuar dy fjalë të urta të përafërta të shqipes, që në një mënyrë edhe kanë një kuptim. Dhe, nëse dikush vërtet "ka nge me shti rruaza në pe" dhe për t’i përbaltur vlerat më sublime kombëtare, përse ne, që e kemi krijuar, që e kemi mbrojtur dhe kemi sakrifikuar shumë për këto vlera të heshtim para bjerrakohësve të sotëm?! Bjerrakohës, sepse kjo që kërkon ky soj e sorollop nuk do të gjejë as hapësirë, as shtrirje në tabanin tonë kombëtar. Nuk dëshiroj të zgjatem shumë, arsyet i thashë më lart, por dua të them se gjuha e standarde shqipe, është një nga të arriturat më të mëdha kombëtare të shekullit të kaluar, e barasvlershme me aktin e shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1912. Ky hap i mençur dhe i domosdoshëm atëbotë i përfaqësuesve të shkencës së gjuhësisë shqiptare, bëri të njësohet atësia e substancës kombëtare, jo vetëm në formë, por edhe në përmbajtje. Dhe këtë e arritën kolosët si Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Idriz Ajeti dhe dhjetëra shkencëtarë e dashamirës të njësimit të gjuhës e të kombit shqiptar. Tashmë kjo është vlerë kombëtare dhe meriton të mbrohet me ligj e shkuar ligjit. Prandaj janë krejt të kota krrokatjet e partizanëve të vegjël të "kombit kosovar" – pinjollëve titistë, të mbetur mes kryqrrugëve të botës, si langonjtë pa gjahtarë, për t’i bërë të pabërat, që dikur i bënin paraardhësit e tyre – kundërshtarët më të vrazhdë të përparimit të gjuhës, të historisë, të kulturës dhe të kombit shqiptar në përgjithësi.

Kosova, sot, një shtet i lirë, i pavarur, sovran dhe demokratik është një arritje e madhe, ndonëse jo gjakimi final, por intelektualëve të vërtetë u janë krijuar mundësi të shumta që vendin ta shpien drejt progresit me punë të çmuar intelektuale, dhe jo vetëm intelektuale, me djersë, me mund e me gjak, në të gjitha fushat e jetës për të cilat janë të përgatitur si mësues, specialistë, studiues e shkencëtarë. Prandaj, shfrytëzoni këto mundësi për çështje më madhore, në mënyrë që t’i njësojmë përbërësit e tjerë të kombit, e jo ta rrënojmë të krijuarën. Lini kotësitë dhe mos u merrni me to, ngase nuk i sjellin dobi as kombit, as kulturës sonë dhe në fund të fundit askujt, as rrënuesve të vlerave kombëtare. Ndryshe, kësaj i thonë punë e kotë ose nëse doni ndryshe, punë Sizifi. Se shqiptarët e kanë kuptuar tashmë se mbyllja në feude, në krahina bajraqesh, kapedanësh a trevash nëndialektore, siç është Kosova, do të thotë humbje e çdo perspektive, tjetërsim dhe humbje e ardhmërisë së fëmijëve tanë për të jetuar me dinjitet në shtetin kombëtar.

________________________

TË MËSUARIT GJATË GJITHË
JETËS EDHE NË KOSOVË

Nga: Hajdin MORINA

Në historinë e pedagogjisë shqiptare gjenden plot shembuj që flasin për përkushtimin deri në shkallë sakrifice të mësuesve shqiptarë ndaj profesionit të tyre, ndaj edukimit të gjeneratës së re dhe ndaj zhvillimit të gjithanshëm kombëtar e shoqëror. Në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila me të drejtë konsiderohet si një nga projektet më të mëdha të popullit tonë për çlirim e përparim kombëtar, shkollat e para ishin shprehje e përpjekjeve dhe qëllimeve që kishte Rilindja për çlirimin, arsimimin dhe ngritjen e shkallës së zhvillimit kulturor të popullit shqiptar që mbeti prapa të tjerëve për shkak të natës shekullore
nën pushtimin turk. Shkollat e para ishin qirinj të ndezur nëpër Shqipëri, dhe paralajmëronin fundin e pushtimit shekullor dhe fillimin aspak të lehtë të bërjes së Shqipërisë.
Më poshtë po shënoj vetëm pak emra të njohur, nga ata mijëra e mijëra sosh, të atdhetarëve dhe mësuesve shqiptarë që shkrinë jetën për shkollën shqipe.
1. Jeronim De Rada.- Përpos kontributit të çmueshëm që dha në fushën e letërsisë, të historisë, të gjuhësisë, të folkloristikës, të publicistikës etj., De Rada la gjurmë të pashlyeshme edhe në zhvillimin e arsimit shqiptar. Ishte mësues i Zef Serembes dhe Luigj Gurakuqit. Shumë kohë ishte mësues i gjuhës shqipe në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër Koronë. Bënte përpjekjen e mundimshme të mësuesit dhe atdhetarit që të mos i linte fëmijët arbëreshë ta harronin gjuhën shqipe, të vetmen, më të shtrenjtën pasuri që morën me vete të parët e tyre, andej Adriatikut, kur qenë të shtrënguar ta linin përgjithmonë Arbërinë për të nisur një jetë tjetër në tokën e huaj, për të bërë djepa e varre larg vendlindjes. Disa orë udhëtonte mësuesi De Radë deri te nxënësit e tij. Muaj të tërë qeveria italiane nuk i jepte pagë, por arbëreshi i madh nuk dobësohej. I jepte gjallëri dashuria ndaj atdheut të të parëve, të cilin e donte dhe e himnizonte në veprat letrare, kurrë pa e parë, me vështrimin e përjetshëm të mendjes dhe të syve drejt tij. Kur shëndeti iu dobësua shumë, e mori me qira një banesë afër shkollës që të ishte sa më afër nxënësve, dhe në kohën kur sëmundja nuk e linte të shkonte në klasë, thuhet se dilte në dritare të çmallej me nxënësit arbëreshë.
2. Luigj Gurakuqi.- Kur Këshilli administrativ i Kongresit të Elbasanit vendosi që drejtor i Normales të ishte Luigj Gurakuqi, ky e mori me entuziazëm dhe seriozitet këtë detyrë. Përpos punëve të tjera përgatitore që bëri, shkoi në Itali ta thërriste profesor Aleksandër Xhuvanin që jepte mësime në kolegjin e Shën Adrianit. Gurakuqi donte ta kishte pranë vetes në Normale profesorin e përkushtuar ndaj gjuhës shqipe dhe edukimit kombëtar. Shtypi i asaj kohe, përpos tjerash, ka shënuar edhe ligjëratën e rëndësishme që mbajti Luigj Gurakuqi më 1 dhjetor 1909, në ditën kur u hap Normalja në Elbasan. Nga ai fjalim vërehet se drejtori i parë i Normales ishte i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij fillimi të mbarë, shprehte respekt për Naim Frashërin dhe të gjithë të tjerët që mbollën më herët farën e diturisë, besonte në ndryshimin shoqëror e kulturor që do të bënte kjo shkollë në trojet shqiptare. Në fjalimin e tij, ndër shumë të tjera, Gurakuqi pati thënë se në këtë shkollë, pra në Normale, toska dhe gega do të harrojnë emrat e tyre krahinorë, nga kjo shkollë do të dalin shqiptarë dhe vetëm shqiptarë.
Në Normalen e Elbasanit kishte mjaft nxënës nga Kosova. Për shkollimin e tyre më së shumti ndihmonte atdhetari Hasan Prishtina, i cili, për të shprehur kënaqësinë ndaj sukseseve që po arrinin nxënësit e Luigjit, në fund të vitit shkollor dërgonte dhurata për normalistët më të dalluar. Elbasani dhe Normalja organizonin pritje vëllazërore kur vinin djemtë nga Kosova. Një ditë Luigj Gurakuqi vendosi që nxënësi Avni Rrustemi, në emër të shkollës, ta përshëndeste një grup të djemve kosovarë që do të vinin në Normale. Të gjithë u entuziazmuan me fjalët e zgjedhura të Avniut para vëllezërve kosovarë. Ishin mësimet e Luigjit që e kishin bërë Avniun të pjekur para kohe, shkëlqente edukata që kishte mbjellë Gurakuqi tek ai, por edhe te nxënësit e tjerë. Një ditë Avniu mungonte, mungoi disa ditë, kishte dalë t’i zinte pritën xhelatit Shefqet Tergut Pasha që kishte bërë vrasje mizore në Kosovë dhe tash ua kishte mësyrë pjesëve tjera të Shqipërisë. Avniu paskësh thënë se do të hakmerrej për fëmijët e pambrojtur të Kosovës. Më herët, disa burra e kishin kthyer Avniun në shtëpinë e tij kur ai i ishte vënë prapa Çetës së Çerçiz Topullit që bënte luftë në Mashkullorë. Të tilla qëndrime burrërore nxënësi Avni Rrustemi kishte shfaqur edhe para mësuesit të tij, Luigj Gurakuqit, dhe ky shqetësohej për fatin e nxënësit të vet, besonte se nesër Avniu do të bënte akte heroike për Shqipërinë.
Puna këmbëngulëse dhe vetëmohuese e Luigj Gurakuqit dhe e mësuesve të tjerë në Normalen e Elbasanit bëri që nxënësit të përparonin shumë në procesin e të mësuarit. Normalja e përmbylli vitin e parë shkollor me sukses të shkallës së lartë. Nxënësit demonstruan para prindërve dhe para të tjerëve aftësitë e tyre krijuese. Komentuan dhe analizuan me aftësi e entuziazëm vargje të veprave letrare, bënë eksperimente në fizikë e kimi dhe mahnitën të pranishmit, sidomos kur një nxënës bëri ndezjen e hidrogjenit.
3. Migjeni.- Poeti i vargjeve të lira disa vjet të jetës së tij ia kushtoi arsimit kombëtar. Ishte mësues në Vrakë, Shkodër e Pukë. Varfëria dhe prapambetja e thellë e njerëzve atje ku punoi nuk e penguan, por e motivuan që të punonte shumë dhe të arrinte sukses me nxënësit e tij. Migjeni ishte mësues krijues. Nxënësit i trajtonte jashtë kornizave të parimit pedagogjik të asaj kohe. Kritikonte tekstet dhe planprogramet mësimore. Planifikimin dhe zhvillimin e njësisë mësimore e bënte sipas veçorive të klasave dhe aftësive të nxënësve. Nuk bëhej rob i shabllonizmit pedagogjik, kur nuk ishte e domosdoshme nuk i respektonte etapat e zyrtarizuara të orës mësimore, prandaj merrte vërejtje nga inspektori i arsimit. Migjeni krijonte në klasë ambient të shëndoshë për të mësuar, për të bërë pyetje lirisht dhe për të mos u turpëruar nxënësit që nuk dinin të përgjigjeshin si duhet. Ai kundërshtonte ndëshkimin fizik dhe arriti
të krijonte raporte të mira ndërmjet vetë nxënësve, pastaj edhe ndërmjet tyre dhe arsimtarëve. Në raportet që ia dërgonte Ministrisë së Arsimit kërkonte përmirësimin e infrastrukturës së shkollës dhe përmirësimin e plan programeve mësimore në përputhje me aftësitë e nxënësve dhe zhvillimin e tyre intelektual. Shkolla e Pukës, për shkak të pozitës gjeografike, nuk punonte muajve të dimrit, por edhe në pranverë nxënësit përballeshin me vështirësi gjatë rrugës për në shkollë, sidomos kur fillonin shirat. Kur nxënësit hynin në klasë të lagur nga shiu, mësuesi i afronte së pari pranë tangarit ku ndizej pak thëngjill, dhe kjo pamje shpeshherë ishte etapa e parë e orës mësimore. Migjeni me kursimet e veta disa herë u kishte siguruar veshmbathje dhe mjete mësimore nxënësve të tij. Kërkonte nga arsimtarët të ndihmonin këta fëmijë të varfër dhe të harruar nga pushteti i kohës. U kushtonte rëndësi të madhe gjuhës shqipe, historisë dhe gjeografisë, sepse këto lëndë mësimore me përmbajtjen e tyre programore ndikonin në edukimin kombëtar të nxënësve. Vitet e vështira që kaloi si mësues në Vrakë, Shkodër e Pukë e frymëzuan për krijime të mirëfillta letrare. Në disa skica e tregime të tij janë personazhe fëmijët, nxënësit e varfër të fshatrave të Malësisë së Veriut. Në fytyrën e Lulit e të Zenelit mbetën të skalitura përgjithmonë varfëria dhe aftësia e ndrydhur e fëmijëve që mezi rriteshin të rrethuar me male e me varfëri. Ashtu si në letërsi, Migjeni ishte novator edhe në punën e tij si mësues.
Në konceptin e sotëm të të mësuarit gjatë gjithë jetës si lloje të mësimit janë: mësimi formal, joformal dhe informal. Mësimi informal, për dallim nda dy llojet e para, nuk është i strukturuar dhe pas mbarimit të tij nuk merret cerifikatë as diplomë. Ky lloj mësimi mund të merret në shtëpi, në punë, gjatë kohës së lirë etj. Të shtojmë se ky mësim u marrka edhe në burg. Shumë prej nesh e kemi marrë këtë mësim në vitet që lamë pas. Në mars të vitit 1982, pak ditë pas kremtimit të njëvjetorit të demonstratave të vitit 1981, mora një mësim të tillë në dhomën numër 11 të Burgut të Prishtinës. Ky mësim vazhdoi deri në maj, afërsisht sa një semestër i vitit shkollor. Mua dhe disa të rinjve të tjerë në burg na dha mësim të çmueshëm atdhetari Sami Dërmaku, ishi dënuar politik që disa vjet ishte dërrmuar burgjeve serbe, si në burgun emërzi të Zenicës, për shkak se kërkonte liri, bashkim e shtet për popullin e vet dhe luftonte për këto ideale të shenjta kombëtare. Ai ishte më i moshuar se disa nga ne në dhomën numër 11, prandaj mund të ishte mësuesi ynë. Atë e kishin burgosur që të mos kishte në qytet zhvillime kundër shtetit, sepse i druheshin autoritetit dhe aftësisë së tij organizative dhe mobilizuese. Një ditë, si shumë herë të tjera, na torturuan shumë në zyrat e hetuesisë. Në mbrëmje Samiu e vërejti se duart e ënjtura nuk na bënin punë ta rregullonim shtrojën. Me vështirësi qëndronim në këmbë. Na tha të uleshim, kurse vetë filloi të na rregullonte shtrojën. Nisi të na fliste me një entuziazëm që s’e kishim vërejtur herave të tjera. Ju shoh se keni qëndruar, na tha, prandaj ju kanë torturuar shumë për t’ju nënshtruar. Na frymëzonte të mos ligështohemi, sepse, siç thoshte ai, plagët e trupit do të na shëroheshin shumë shpejt. Mos merrni plagë të shpirtit, siç kanë marrë këta që na torturojnë, vazhdonte orën e mësimit në burg Sami Dërmaku. Ndërkohë u dëgjua një britmë e dhimbshme e një të riu që torturohej nga hetuesit serbë dhe shqiptarë. Dhoma numër 11, si çdo pjesë e burgut, u mbush me atë zë të përvajshëm. Në sytë e të gjithëve pushoi trishtimi. Nëse nuk mund të qëndroni para hetuesve të mjerë, po qe se tregoni emrat e shokëve, dhe nëse nga ligështimi juaj dikush burgoset e torturohet kështu, atëherë do të merrni plagë në shpirt, plagë që do t’ju përcjellin e do t’ju torturojnë tërë jetën-vazhdonte orën Samiu. Ne më të rinjtë e dhomës numër 11 bëheshim më të fortë nga ky mësim i jetës, merrnim forcë për të mos e humbur krenarinë para sharjeve dhe torturave të shfrenuara të hetuesve që kishin zhveshur moti nga vetvetja gjithçka që ishte shqiptare dhe njerëzore. Disa hetues shqiptarë, për të imituar kolegët e tyre serbë, për t’i bindur ata se janë besnikë e servilë të tyre, na shanin Nënën, duke na shkaktuar plagë të një dhimbjeje të veçantë.
Koncepti i të mësuarit gjatë gjithë jetës është ide e promovuar në fund të shekullit të kaluar nga shtetet më të zhvilluara të botës dhe nga BE. Me kalimin e kohës vjetrohen njohuritë dhe dija që marrim në shkollë ose fakultet. Mësimi sot merret edhe jashtë shkollës, edhe pa ndihmën e mësuesit. Po krijohet një hapësirë evropiane e të mësuarit, shqiptarët po ashtu duhet të krijojnë hapësirën mbarë shqiptare të të mësuarit gjatë gjithë jetës, për të mos mbetur prapa në epokën e dijeve, në këtë kohë ndryshimesh të mëdha që bëhen për shkak të zhvillimeve të vrullshme të shkencës dhe të teknologjisë.

Shkroi: Hajdin Morina – Zyrtar i Drejtorisë arsimore në Klinë, Kosovë

 ____________________

95 – VJETORI I NJË FOTOGRAFIE MONUMENTALE DHE HISTORIKE

KRONIKA E VRASJES MAKABRE TË ATDHETARIT
PAPA LLAMBRO BALLAMAÇI E FIKSUAR NGA APARATI I FOTOGRAFIT MË TË VJETËR KORÇAR

Shkroi: Niko KOTHERJA


Materialet e vyera fotografike të arkivit tonë i lenë vendin njëra pas tjetrës shumë imazheve, ku janë fiksuar ngjarje historike, figura personalitetesh, godina, rrugë. Kureshtari, duke parë me vëmendje këtë mori dokumentash fotografike, rastësisht ndalet dhe sheh me kujdes një fotogafi, e cila nga pas ka të shënuar me kaligrafi të bukur datën “25 mars 1914” dhe mban një vulë që me pak vështirësi dallohet se mban të shkruara fjalët “Chr. P. Soulides” …

Përqendrohemi në Korçën e viteve `60 të shekullit XIX, kohë kur kishin hedhur bazë të shëndoshë veprimtaritë në shërbim të gjuhës kombëtare, hapjes së shkollave shqipe dhe ndërgjegjësimit kombëtar. Rezultat i këtyre përpjekjeve, duke nisur nga veprimtaritë e kolonisë së shqiptrëve të Rumanisë, Bullgarisë, Turqisë e deri të Egjiptit, ishte hapja e të parës shkollë kombëtare shqipe më 1887, fryt i ndërmjetësimit diplomatik të rilindasve tanë pranë Portës së Lartë. Në Korçë, kjo veprimtari kishte marrë erë zhvillimi dhe organizimi të mirëfilltë që në vitin 1885, kur Jovan Kosturi mblodhi nën kryesimin e tij veteranët Thimi Marko, Orhan Pojani, Alo bej Dishnica, etj., dhe formuan në këtë qytet shoqërinë, e cila ditë më ditë mëkoi hapjen e “lules” së parë të arsimit tonë kombëtar. Pjesë e këtij mendimi e veprimi patriotik, pa mënuar u bënë dhe anëtarë të familjes Ballamaçi, të cilët qysh pas zbritjes prej fshatit Plasë në Korçë, iu përveshën punëve me karakter të theksuar kombëtar. Të veshur me jakën priftërore, kishën vllahe të qytetit: Llambro, vëllai i tij Sotiri si dhe Anastas Ballamaçi, nga të parët piktorë ikonografë në vendin tonë, e kthyen në një folezë kombëtare, ku filloi të mësohej e të ligjërohej shqipja, përmes botimeve të shoqërisë së shqiptarëve të Stambollit dhe të Bukureshtit. Papa Llambro Ballamaçi, si një prej figurave kryesore nga ku merrte vrull dhe zhvillohej veprimi patriotik në qytetin e Korçës, mbante lidhje me letërkëmbim me vëllezërit Frashëri: Naimin, Samiun, Tahsinin dhe Mehmetin. Këto letra, te të cilat parashtoheshin probleme, ide dhe zgjidhje të shumë ngërçeve që i shfaqeshin lëvizjes sonë kombëtare, jo vetëm në Korçë, por në gjithë kolonitë e shqiptarëve nëpër botë, deri para disa kohësh ndodheshin në shtëpinë e martirit papa Llambro, për të përfunduar sot kushedi se ku, në ndonjë sënduk, të cilit i bën shoqëri vetëm era e mykut. Veprat e tij të para, Naimi nuk përtoi që t’i dërgonte në Korçën e papa Llambros me nga një shënim përsipër – dedikim për këtë të fundit.
Veprimtarinë e tij patriotike papa Llambro e shtriu në të gjithë hapësirat ku e shihte se mund të kishte rezultat pozitiv lëvizja për çlirim kombëtar. Në shkollën vllahe që ai kishte hapur më 1883, u mësonte nxënësve edhe gjuhën shqipe, me abetaret e Veqilharxhit, Kristoforidhit dhe librat e leximit të Gurakuqit. Si në vitin e parë, ashtu edhe në të dytin, kur Mësonjëtroja shqipe e Korçës kishte nevojë për nxënës të shqipes, mes furtunave gjakatare të krijuara nga fanari i Stambollit dhe grekomanët, papa Llambro mori përsipër të gjitha kostot dhe prej shkollës së tij regjistroi emrat e nxënesve te Mësonjëtroja e drejtuar prej Pandeli Sotirit, me qëllim që të mos humbte funksioni i këtij monumenti të kulturës dhe gjuhës shqipe jo vetëm në atë qytet, por dhe me gjerë.
Në vitin 1890, prifti vllah papa Llambro udhëtoi në kryeqendrën e të “sëmurit të Bosforit”, në Stambollin e famshëm. Aty u takua me vëllezërit Frashëri, me Murad Toptanin, ku shtroi problemin e pajisjes me abetare dhe tekste mësimore të shkollës shqipe të Korçës si dhe kërkoi kontakte më të shpeshta me anëtarët që punonin “mëmëdhetarisht” nëpër kolonitë e shqiptarëve të Egjiptit, Rimanisë. Për këtë qëllim, ai udhëtoi më 1895 në kryeqytetin rumun, aty ku më 1884 u themelua shoqëria e parë e shqiptarëve të atjeshëm – baza e një kolonie të tërë që zhvilloi vite më vonë një veprimtari të dendur e të bollshme në favor të çështjes kombëtare shqiptare.
I kthyer në atdhe në fillim të shekullit që lamë pas, veteranin papa Llambro Ballamaçi do ta prisnin të tjera përplasje me qeverinë turke dhe me korofilakët grekë. Në vitin 1900, prifti bashkë me të vëllain merr komunikimin nga qeveria se për arësye të propagandës së tij proshqiptare dhe mësimit të shqipes në ambjentet e kishës vllahe, do të internohet dhe burgoset. I gjendur para një rreziku të tillë dhe i këshilluar prej atdhetarëve korçarë, por edhe nga ata të kolonive, papa Llambro Ballamaçi largohet nga atdheu dhe shkon për të dytën herë në Stamboll.
Pas rreth më pak se një dekadë, Ballamaçët e arratisur kthehen në Korçë, ku vijuan punën e shkolles shqipe dhe përhapjes së idealit kombëtar. Në shatorin e vitit 1908 Ballamaçi është një nga të parët anëtarë të shoqërisë patriotike “Përparimi” të themeluar në Korçë atë kohë. Shërbëtorët e “Megali Idhesë” iu vunë pas përsëri fatosit të lirisë dhe më 1912 me anë të një atentati, tentuan ta eliminonin priftin vllah papa Llambro, i cili fatmirësiht shpëtoi nga kurthi. Dukej qartë se ditët e jetës së veteranit kombëtar po fillonin të numëroheshin mbrapsht. Aktiviteti i fundit patriotik që mori pjesë ishte mitingu i shkronjave më 14 shkurt 1914 në kodrën e Shëndëllisë, ku shkoi bashkë me nxënësit e shkollës së tij. Miq të tij i ranë pas rrezikut që i kanosej dhe i propozuan Ballamaçit që ta ruanin, por ai nuk pranoi, duke bërë gabimin fatal të jetës së tij, gabim i cili nuk mënoi të sillte natën në të gdhirë të datës 25 mars. Bëhet fjalë për vitin 1914…
Në të gdhirë të asaj dite të zezë, andartë grekë dhe obskurantistë turq – të cilët nuk ndaheshin dot pa thithur gjak shqiptari, si shushunja që në vend të zemrës kanë mukoza helmi – trokitën në portën e familjes së madhe Ballamaçi dhe me t’u hapur ajo, ata tërhoqën zvarrë veteranin 64 vjeçar e bashkë me të dhe vëllain e tij, Sotirin. Pastaj, nën shoqërine e dhembjeve që bajonetat e pushkëve të atyre të pamëshirshmëve i jepnin trupit të dy vëllezërve, shkuan në bregun e kishës së Shën Ilisë (Shëndëlli). Këtu Ballamaçët i priste një torturë tjetër e aplikuar prej barbarëve. Duke mos njhihur ndjenja njerëzore dhe dhembje fizike, korofilakët u shkulën me dorë vëllezërve në mënyrë çnjerëzore mjekrën priftërore, veprim ky që nuk le në harrim “bredhjen” nëpër trupin e dy fatosave shqiptarë të bajonetave. Kompleksit të këtyre dhimbjeve çnjerëzore iu dha fund me plumb, plumba tradhtie këta që shpuan tej për tej trupat e Llambro e Sotir Ballamaçit.
…dhe pastaj, ashtu të prerë, të sakatuar e të shpërfytyruar u lanë aty, në bregun e Shëndëllisë. E dielli që doli atë mëngjes ndriti atë copë fushe, që një natë më parë u vadit nga gjaku i dy shqiptarëve.
Njerëzit e shtëpisë, më pas, panë se nga sirtari i tavolinës së punës së papa Llambros ishin marrë paratë dhe në vend të tyre ishte lënë një fotografi e peshkopit grek Fotit, fakt ky që dëshmonte qartë se nga cilët elementë ishte organizauar kjo drame makabre.
Copë – copë, siç ishin, familjarët dhe patriotët i sollën në oborrin e shtëpisë së tyre, ku u bënë përshpirtjet e fundit dhe ku anëtarë të familjes nuk po e kuptonin se çfarë kishte ngjarë atë mëngjes marsi. Në këtë ceremoni ishin pjesëmarrës edhe Themistokli Gërmenji, Vasil Tromara dhe Pandeli Cale, nga veprimtarët kryesorë të lëvizjes kombëtare në Korçë dhe në kolonitë e shqiptarëve jashtë atdheut.
Mes shumë njerëzve, që merrnin pjesë të hidhëruar në këtë gjëmë dhe fatkeqësi kombëtare, ishte dhe fotografi patriot Kristo Sulidhi, i cili momentin e fundit, para se trupat e pajetë të papa Llambro Ballamaçit e vëllait të tij Sotirit të dinin nga oborri i shtëpisë e të përcilleshin nën dhè, shkepi aparatin fotografik, veprim ky që sjell edhe sot te ne atë gjendje të rëndë të krijuar më 25 mars 1914 në Korçë.


Fotografia përshkuan momentin e fundit e të dhimbshëm, kur familjarët dhe të pranishmit po ndahen nga martirët e çështjes shqipe. Në mes, në gjunjë është ulur një djalë i ri, biri i vetëm i papa Llambros, patrioti i shquar Nikuca Ballamaçi, veprimtari i dalluar i çetave kombëtare dhe anëtar i Këshillit të dalë prej Krahinës Autonome të Korçës më 1916. Shumë mbresëlënës janë pozicionet e të pranishmëve në fotografi, pothuaj të gjithë kanë në dorë nga një pushkë, imazh ky që tregon se lufta nuk ka mbaruar ende dhe se gjaku që derdhi papa Llambro me vëllain e tij duhet marrë shpejt prej atyre pushkëve, që ndoshta, a thua dhe në atë moment kur është kryer fotoja lëshonin erë barut dhe ishin të nxehta. Dora e birit të papa Llambros, që shtrëngon fort shanimë e lagur me lotët e zemrës është një detaj interesant që shpreh urrejtjen. Gratë të lenë përshtypjen se janë të nemitura dhe mesa duket nga helmi atyre u kanë humbur fjalët e vajet dhe u janë tharë lotët.
Pranë kokës së kufomave është ndezuar nga një shandan dhe në trupin e tyre është vendosur nga një ikonë me përmasa familjare si dhe një grup i lidhur shkopinjsh për të treguar lidhjen shpirtërore me të vrarët po ashtu dhe guximin e forcën që i karakterizon të pranishmit.
Fotografimi i ceremonive mortore, në atë kohë, ka qenë një rregull dhe pjesë e ritualit mortor. Fotografia e botuar këtu është një nga të rrallat për nga vlerat artisike dhe historike që mbart, duke u vlerësuar thjesht me fjalët “fotografi monumentale”. Ajo është një nga fotografitë më të bukura në gjithë historinë e fotografisë shqiptare, duke pasur parasysh temën që trajton, kohën kur është bërë dhe momentin sesi kanë rastisur aty disa nga personazhet e shquar të jetës politike të vendit tonë.
Sot eshtrat e papa Llambro Ballamaçit prehen në varrezat e dëshmorëve të qytetit të Korçës, në një kënd prej së cilit fare kollaj mund të shihet bregu i Shëndëllisë, aty ku 95 vjet më parë ngjau ajo dramë e rëndë…
Pasi pa mirë e mirë këtë fotografi kombëtare dhe u njoh me rëndësinë dhe përmbajtjen e saj, kureshtari vazhdon të shohë më poshtë dëshmi të tjera të kuturës dhe historisë së qytetit të tij, por gjithnjë duke ruajtur të freskët në analet e kujtesës së tij kronikën makabre të therrjes së Ballamaçëve, atë mëngjes marsi të vitit 1914.

Sot, në atë lëndinë të Shëndëllisë, lulëzon bari i njomë, fara e së cilit është vaditur me gjakun e pastër të shqiptarit papa Llambro Ballamaçi që më 1914.

 _____________

Shyhrete REÇICA

SIMFONIA E PSALMEVE

Agim Vinca, “Psalmet e rrënjës”, botoi Brezi 9, Tetovë 2007

Përmbledhja “Psalmet e rrënjës” e Agim Vincës zgjon kureshtjen e lexuesit me temat, idetë dhe strukturimin e veçantë krijues. Në këtë libër shpalosen psalmet intime të poetit me ritet e tyre nëpër kohë.
Agim Vinca si poet, siç është vërejtur nga kritika letrare, veçohet me shprehjen e qartë poetike dhe me bukurinë e thënies artistike. Vargjet e këtij poeti shquajnë me ngjyrime emocionale dhe figura shumë sugjestive. Vetë fjala psalm, me origjinë nga tradita biblike, e vënë në raport me fjalën rrënjë, risemantizohet dhe fiton vlera të reja emocionale e kuptimore. Psalmet e këtij libri të A.Vincës janë lutje për atdheun, lirinë, njeriun dhe të drejtën e tij për jetë.
Libri “Psalmet e rrënjës” ndahet në shtatë cikle: “Hijen time e heq osh”, ”Mos ma mbyll derën”, ”Sikush ka një maçok në gjoks”, ”Me ju Kosova e ndjeu veten Nënë”, “Fletorja e Parisit”, “Pasditja e një pesimisti” dhe “Takim fatlum”(cikël me shqipërime), ndërsa në pozitë jashtëciklike qëndrojnë vjershat e bukura e kuptimplote “Poeti” dhe “Pa lamtumirë”. Si i tillë libri në fjalë i ngjan një simfonie të kompozuar me mjeshtri, ku vargjet, strofat, vjershat dhe ciklet sajojnë një tërësi harmonike.
Vjersha hyrëse “Poeti” ndërtohet me strofën dyvargëshe (e njohur ndryshe edhe si distiku elegjiak), që ky poet e kultivon me mjeshtri të veçantë. Në të jepet figura e krijuesit me zhvendosjet e mëdha në kohë dhe hapësirë. Pranëvënia e fjalëve nga bota shtazore: mjellmë-rosak, shqiponjë-trumcak, sikurse edhe e fjalëve të tjera me kuptim të kundërt: ferr-parajsë, lot-rrufe etj., si dhe inkorporimi i vargut të njohur të Bogdanit në tekstin e saj: “Veshunë me diell, mbathunë me hënë”, i japin kësaj vjershe një dimension të gjerë kuptimor.
Përkushtimi ndaj jetës është një dhunti e poezisë së këtij autori. Metaforë e këtij përkushtimi është gjakimi i së bukurës, lirisë dhe së vërtetës. Krijuesi është i ndërgjegjshëm se jeta është burim i çdo forme të krijimtarisë, andaj edhe i poezisë, që artikulohet herë si mall për vendlindjen e fëmijërinë, herë si dhembje për humbjen e të dashurve e jo rrallë edhe si ironi e fatit a revoltë ndaj dhunës dhe të keqes.
Preokupime të tilla shprehen në dy ciklet e para të përmbledhjes, ku me thellësinë e mendimit dhe bukurinë e shprehjes dallohen vjershat: “Urnë e gjallë”, Ç’ka kjo erë e marrë?”, “Hamletiane”, “Në studion e shkrimtarit Thoma Kacori”, “Baladë për dajën tim Sh. K.”, “Shtëpia buzë oqeanit” etj.
Teksti “Palimpsest për gruan dhe librin” është pa dyshim një nga krijimet më intriguese të librit. I konceptuar si një tekst tipik postmodern, pra si palimpsest, ai është një lojë e vërtetë metaforash, kontrastesh, batutash, citatesh e imazhesh, e luajtur me mjeshtri nga ana e autorit. Agim Vinca i kësaj faze, që mund të quhet fazë e pjekurisë së tij të plotë krijuese, është poet jo vetëm i frymëzimit lirik, por edhe i komunikimit intelektual me mite, dokumente e kode të proviniencës letrare, shkencore, filozofike etj.
Cikli “Me ju Kosova e ndjeu veten Nënë”, siç del nga vetë titulli, përfshin vjershat që i kushtohen luftës çlirimtare të Kosovës dhe njerëzve që u sakrifikuan për lirinë e saj (Homazh për Prekazin, Fillimi i një poeme për familjen Jashari, Vdekja e luftëtarit etj.). Agim Vinca si poet, përgjatë viteve, ka lënë shumë dëshmi artistike për rrugëtimin e njeriut tonë nëpër kohë; për përpjekjet e tij në luftë për liri e dinjitet njerëzor. Në trajtimin e këtyre motiveve ai përpiqet ta shmangë patosin e retorikën dhe të flasë nëpërmjet detajeve konkrete e gjetjeve të bukura poetike për ngjarjet dhe përjetimet e ndryshme. “I veshur me gëzofin e heshtjes/ Dal shëtis, s’flas me njeri./ S’më hiqen sysh pamjet e brëmshme/ Në CNN, në BBC” – thuhet në vjershën “Mëngjes në Nju-Xhersi”, ndërsa në vjershën “Çiftelia”, një dëshmi tronditëse poetike e krimeve serbe në Kosovë, hasim vargjet: “Kurrë më këtu s’do të banojnë / Zhuj Selmani e Rrushe Rexha – thanë./ As Dervish Shaqa e Shaqë Avdija./ Tutje, e masakruar, dergjej çiftelia”. Çiftelia, intrumenti tradicional shqiptar, bëhet simbol i shpirtit të pamposhtur të kombit: mjeti që i bën ballë agresionit ushtarako-policor dhe tendencës së etnocidit kulturor.
Cikli “Fletorja e Parisit” është ndër më të bukurit e përmbledhjes. I përbërë nga dhjetë poezi, të cilat mbyllen me një prozë poetike në formë epilogu, ai paraqet një aventurë të vërtetë krijuese, që zgjon kureshtjen e lexuesit dhe vë kontakt të drejtpërdrejtë me të. Subjekti lirik i këtyre vjershave duke folur për qytetin e dritave e të shkëlqimit, Parisin, flet për botën e vet; shpalos lirshëm bagazhin e mbresave dhe kujtimeve nga vendlindja, që e ndjekin pas gjatë shtegtimeve të tij nëpër botë. Pas Kadaresë (Të verbërit në Paris) dhe Mihal Hanxharit (veçmas këtij të fundit) mund të thuhet se Agim Vinca është ndër poetët tanë që kanë shkruar vargjet më të bukura për Parisin, këtë qytet magjik, që ka qenë dhe vazhdon të jetë frymëzim i përhershëm i poetëve dhe krijuesve të mbarë botës.
Me ciklin “Takim fatlum” Agim Vinca ka vazhduar traditën e hershme mjediane e noliane të poetëve, që, përveç se poetë sui generis, janë edhe përkthyes të poezisë. Në librin e tij më të ri, “Psalmet e rrënjës”, ai e ka parë të udhës që, krahas poezive origjinale (gjithsej 85 sosh) të inkuadrojë edhe një cikël me poezi të përkthyera prej tij nga poetë të njohur evropianë e ballkanikë, si Sh. Bodleri, A. G. Matoshi, A. Ady, F. Supo, B. Brehti, G. Kërkleci, P. Elyari, Zh. Preveri, J. Ricosi, B. Dimitrova, M. Matevski etj. (gjithsej 20 poezi). Në krye të ciklit ai ka vënë si moto thënien: “Akti i përkthimit të poezisë është i ngjashëm me aktin e krijimit të saj”, ndërsa vargjet e poetëve të përzgjedhur i shoqëron me shënime të shkurtra në fund, të cilat u ngjajnë mikroeseve për këta poetë. Në letërsinë tonë bashkëkohore këtë praktikë të kompozimit të librave të poezisë (poezi origjinale plus shqipërime) e kanë zbatuar poetë si D. Agolli, I. Kadare, J. Bllaci, Xh. Spahiu e ndonjë tjetër, ndërsa në Kosovë me sa dimë një veprim të tillë e hasim për herë të parë te ky libër.
Vjersha përmbyllëse e librit, “Pa lamtumirë”, me vlerat dhe idetë e saj i qëndron pranë si një pandan vjershës së njohur të Dritëro Agollit “Kur të jesh mërzitur shumë”, të çmuar si një nga perlat e lirikës shqipe. Të dyja kanë si motiv temën jetike të poezisë, ikjen e njeriut nga kjo botë, të cilën e dyta e shikon në një plan më të gjerë se e para, sepse, pos për fundin e natyrshëm të njeriut, aludon edhe te ikja e tij e dhunshme nga kjo botë (i fshikur nga një copë plumbi a predhe apo i shtypur si një buburrec nga një forcë shtypëse). “Pa lamtumirë” është një poezi me përmbajtje e porosi universale, që zgjon asociacione konkrete: në të flitet për një qytet të pistë me varret në kodër dhe përmendet emri i një kafeneje, ku subjekti lirik për çdo ditë lë copëza jete.
Libri i parafundit me poezi i profesor Agim Vincës, “Kohë e keqe për lirikën” (1997) – titull emblematik për kohën – e jepte në mënyrë të papërsëritshme, me forcë të madhe emocionale e artistike, atmosferën e kohës kur u shkrua – atë të viteve të zymta të robërisë së Kosovës. Edhe në këtë libër, që botohet dhjetë vjet pas të parit, e kemi të pranishme këtë linjë: linjën e angazhimit me problemet ekzistenciale të kohës, por të një angazhimi të cilësuar tashmë si i brendshëm, lirik e i nuancuar e jo i jashtëm e uniform. Ka shumë poezi në këtë libër me sorra, korba, kallashë, snajperë, gazeta, shenja ogurzeza, fasha për plagë, që shenjojnë një realitet të hidhur, në tharmin e të cilit ngjizet ëndrra për ditë më të mira. Poezitë më të realizuara të këtij lloji mund të konsiderohen: “Si qen tinëzar”, “Natyrë e qetë”, “Zogj të plagosur”, “Nën ulërima flakësh”, “Siluetë”, “Mbyllja e kufirit”, “Vdekje s’ka fjalë”, “Letër mikut tim poet”, “Lokja e Dukagjinit”, “Dhurata” e të tjera të ngjashme, ndërsa poezitë: “Liria”, “Kur vriten poetët” dhe “Lutje për Nënë Terezën” flasin jo vetëm për reagimin e poetit ndaj problemeve të kohës – në plan lokal e universal, por edhe për rebelimin e tij të përhershëm ndaj gënjeshtrës e hipokrizisë dhe për ironizimin e “vlerave” që lulëzojnë në kushtet e kaosit dhe të anarkisë.
Libri “Psalmet e rrënjës” sjell vlera të reja në opusin krijues të Agim Vincës – të cilësuar kaherë si “kritik prijatar i poezisë” – dhe në poezinë shqipe të kohës sonë në përgjithësi. Spektri i gjerë tematik, reagimi i mprehtë emocional ndaj dukurive të jetës, përjetimi i thellë i ngjarjeve të kohës, muzikaliteti i rrallë i vargut, fjalori i pasur poetik, figuracioni funksional, ndjeshmëria e hollë ndaj fjalës, ritmit, rimës dhe, në përgjithësi, mundësitë shprehëse me anë të gjuhës, si dhe vënia e lidhjeve kreative me përvojën poetike moderne në plan kombëtar e ndërkombëtar janë disa nga vlerat e pamohueshme të këtij libri, i cili hyn në radhën e librave me poezi që e kthejnë besimin te poezia dhe ia ringjallin lexuesit dëshirën për ta lexuar e rilexuar atë e, besa, edhe për ta mësuar përmendsh si në kohët e saj më të mira.

Shkroi: Shyhrete Reçica

________________________

Shkolla dhe komuniteti dy sisteme të ndërvarura

Shkroi: Alush Kryeziu

Sistemet dhe nënsistemet e shoqërisë nëse nuk bashkëveprojnë, ,,organizmi shtet’’ do të përballet me gërrqe ose paralizohet fare.
Kur rrënjët nuk funksionojnë, me mijëra gjethe bien …

,,Cogito ergo sum, – mendoj, pra jam’’ – René Dekart

Demokracia jeton nga bashkëpunimi i qytetarëve. Kusht për angazhim është pjekuria e qytetarit. Pjekuria e qytetarit nuk mund të paramendohet të arrijë stade të dëshirueshme zhvillimi nëse shoqëria nuk krijon kushte dhe favorizime për shkollën. Shkolla kurrë nuk do të jetë në gjendje të formojë qytetarë të ditur nëse nuk ka mbështetje, përkrahje dhe stimulim nga shoqëria. Kjo nuk do të thotë se shkolla duhet të jetë e varur dhe të trajtohet si një foshnjë nga shoqëria, në kuptimin e plotë të varësisë. Shkolla e varur nuk ka fuqi krijuese, i mungon vizioni, vetiniciativa, s’ka kredibilitet, nuk është e hapur, s’ka informacion dhe për pasojë nuk është efektive. Shkolla duhet ta gëzojë pavarësinë, që nënkupton angazhimin për të vetëvepruar. Shkolla e pavarur është përfshirëse në vendimmarrje, ka informacion, menaxhon ndryshimet, ka qeverisje e udhëheqje efikase etj., por me gjithë angazhimin e stafit të shkollës nuk mund të arrijë të bëhet shkollë efektive, cilësore. Shkolla e pavarur për të qenë efektive duhet ta bëjë edhe një hap, tej pavarësisë, të futet në rrethin e ndërvarësisë. Pavarësia do t’i hap rrugën shkollës që të veprojë fuqishëm dhe shkolla vet është e vetëdijshme se pa krijimin e rrjetit të ndërvarësisë nuk do të jetë shkollë cilësore, efektive, propulzive, përfshirëse etj.. Ndërvarësia, shkollës i mundëson dhënie e marrje pa kufi. Ndërvarësia i jep kuptim pavarësisë. Prandaj partneriteti i sinqertë është ai që përfshinë në vete sisteme të pavarura, të cilat sisteme krijojnë harmoni dhe e plotësojnë njëri-tjetrin në raporte të ndërvarësisë. Me fjalë tjera kurrë nuk do të ketë pavarësi funksionale pa ndërvarësi kuptimplote. Suksesi i shkollës paraprin suksesin e shoqërisë. Ndërvarësia prodhon rezultate të qëndrueshme, afatgjata e shumë dobiprurëse. Depozitat në arsim (në rrënjët e shoqërisë) dhe stimuj tjerë që do t’i bëjë shoqëria, sjellin shkollën e organizuar dhe shoqërinë si tërësi të organizuar. Për ndryshe, nëse rrënjët nuk funksionojnë, me mijëra gjethe bien …

Shkolla në Kosovë, për fat të keq, është në një gjendje jo mirë të organizuar dhe për pasojë pritjet, rezultatet apo autputet nuk janë të nivelit të dëshirueshëm dhe nuk premtojnë. Shkolla si një sistem që është krijuar nga shoqëria, për interesa të vet shoqërisë për shumë shkaqe e për pasojë është larg shkollës që ne synojmë – shkollën cilësore.

Çfarë duhet bërë? – Gandhi arriti sukses duke ndikuar në 300 milionë njerëz që të bashkohen dhe të nisen së bashku, si një mendje. Efikasiteti i shkollës nuk mund të paramendohet pa partnerë. Bashkëpunimi i shkollës me partnerë, të brendshëm e të jashtëm, është i mundshëm dhe i arritshëm atëherë kur edhe ne mendojmë si një mendje duke ditur rëndësinë aq madhore të shkollës dhe përballjen e saj me sfida të shumta të shekullit XXI. Partneriteti i shkollës me fytyrë njerëzore, me nxënës, mësimdhënës, prindër, komunitetin (DKA-të, ZRA-të, MASHT-in, OJQ-të) e deri te partneriteti me ndërkombëtarët, është shtyllë që duhet të këtë sukses dhe kujdes të veçantë, që nënkupton mobilizimin e resurseve njerëzore, me qëllimin e vetëm për të arritur vlera të njëmendta në sistemin e arsimit që do të krijonin bazamentin për tu integruar fuqishëm në strukturat euro-perëndimore. Këtë qëllim edhe mund ta arrijmë, sepse Kosova për fatin e mirë ka energji dhe resurse njerëzore, që pak shoqëri evropiane i kanë. Për të arritur këtë objektiv, shoqëria jonë është e detyruar që të përkrah dhe të ndihmojë shkollën në të gjitha drejtimet. Nuk thuhet kot se; një vend është i mirë, kur ka shkolla të mira, cilësore.

Shumë mësimdhënës, kanë ndjekur kurse trajnimi për rolin dhe rëndësinë e partneritetit. Ata dinë rrugët për të fuqizuar partneritetin. Shkollat që kanë qartësim teorik për rëndësinë e partneritetit gjejnë mënyra për të krijuar të ashtuquajturin ,,rrjet i merimangës’’ për mes të cilit pranojnë dhe dërgojnë energji zhvillimore në shumë fusha në relacionin shkollë – komunitet dhe anasjelltas. Shkollat dinë se sa përfitojnë nga partneriteti dhe nuk pushojnë së kërkuari partnerët e mundshëm, për të vetmin qëllim që të arrijnë rezultate në zhvillimin e të gjithë nxënësve deri në kufijtë e tyre të skajshëm e që është synimi kryesor i shkollës cilësore.

Pyetja që shtrohet sot është se si ta funksionalizojë shkolla bashkëpunimin e mirëfilltë? Cilat janë pengesat ? etj..

Institucionet, të nivelit të ulët apo atij qendror, mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti në krijimin e një atmosfere nxitëse që inkurajon bashkëpunimin apo bashkëveprimin shkollë – komunitet. Partneriteti nuk është funksional për arsye se shkolla është e politizuar dhe konsiderohet si ,,rekrut’’ i politikës. Ka raste kur shkolla përjashtohet fare nga vendimmarrja e me këtë rast kur s’ka ,,pronësi’’ shkolla në vendimmarrje dihet se cila është përgjegjësia dhe angazhimi për punë të efektshme! Partneriteti shkollë – komunitet, ka fuqinë vetëm atëherë, kur krijohen marrëdhënie ndërvarësie, në mes sistemit arsimor dhe shoqërisë. Me fjalë tjera shoqëria do të duhej (në masë të madhe) të decentralizojë shkollën dhe në anën tjetër të harmonizojë nismat nga lart–poshtë dhe poshtë–lart. Përzierja e tillë krijon bashkëpronësinë dhe bashkëpërgjegjësinë që do të prodhojë rezultate të dëshirueshme. Në të kundërtën, gjendja që është sot, është destimuluese dhe me pasoja tepër shqetësuese. Kurrë nuk do të jemi ata që duam të jemi, nëse ecim me kryeneçësi duke injoruar vlerat e vërteta, resurset kryesore, pra njeriun e Kosovës, që është në formim në bankat shkollore. Autoritet institucionale kanë mundësinë të bëjnë më shumë. Ato duhet të jenë në gjendje të stimulojnë dhe të nxisin shkollat që të fuqizojnë partneritetin, planifikimin dhe menaxhimin e ndryshimeve. Nëse shkolla zotëron këto tri fusha të veprimit dhe ka përkrahjen nga shoqëria, shumë shpejt do të arrijë të bëhet shkollë cilësore. Këto ndryshime avancojnë shkollën dhe shoqërinë.

Ndryshimet praktike në arsim, do të kishin kuptim të dëshirueshëm, nëse shkolla depolitizohet. Shkolla e depolitizuar nga institucionet, do të jetë efikase së bashku me partnerët e saj dhe do të lëvizë për të mos u ndalur më, sepse do ta këtë fuqinë përkrahëse të shoqërisë. Për ndryshe, çdo ndalesë ose zvogëlim i shpejtësisë në rrugëtimin e ndryshimeve pozitive në sistemin arsimor në Kosovë, do të riciklon jo rezultate e për pasojë shoqëria do të përballet me vështirësi në të gjitha fushat e jetës.

Pse janë të nevojshme ndryshimet praktike në arsim?

Sipas Majkëll Fullan, ndryshimi diktohet nga fakti se; ,,… Se sistemi arsimor dhe partnerët e tij nuk kanë arritur të prodhojnë qytetarë, të cilët të mund të japin ndihmesën dhe të përfitojnë nga një botë që ofron mundësi shumë të mëdha, por që, në të njëjtën kohë, paraqet edhe vështirësi të mëdha për të gjetur rrugën në të. Ndryshimi në arsim është i nevojshëm, sepse shumë nxënës nuk e duan shkollën, e lënë atë ose dalin keq në mësime. Jeta e tyre në shkollë është më e varfër nga sa duhet të jetë. Ndryshimi në arsim nevojitet sepse shumë mësues nuk mund të durojnë më, janë mërzitur dhe nuk u ka mbetur më pikë energjie.’’

Shoqëria kosovare duhet ta këtë të qartë se kurrë nuk do të bëhet shoqëri e zhvilluar dhe e integruar pa e fuqizuar përkrahjen, deri në kufijtë e skajshëm të përmirësimit të gjendjes në arsim, me qëllim të avancimit të cilësisë së shkollës. Ndryshimi i dëshirueshëm në arsimin kosovar do të prodhojë qytetarë të ditur të cilët do të kenë shkathtësi të përballen me sfidat e diversitetit të shekullit XXI. Njerëzit e ditur, se çfarë fuqie dobiprurëse kanë për një shoqëri, e pamë, te kompania aq shumë e suksesshme ,, Microsoft ’’ e cila ia dhuroi botës së varfër 30 miliardë $. Cila minierë ari ia ofroi një ndihmë kaq të madhe njerëzimit ? – asnjë.

Truri kosovar, as të mos mendojë kush se mund të arrijë të integrohet në rrethin e shoqërive të zhvilluara pa bërë ndryshime praktike e pozitive në sistemin arsimor. Shoqëria duhet që ta këtë prioritet arsimin dhe të investojë në arsim. ,,Investimi në dituri sjell kamatat më të mëdha’’- Benjamin Franklin. Shoqëria kosovare, aq sa do të investojë sot në arsim, aq do të jetë nesër…

Shkolla cilësore do të jetë në gjendje që të minimizojë pengesat, çorganizimin dhe në anën tjetër të rritë efikasitetin në shumë fusha veprimi. Shkolla cilësore minimizon pengesat si: papunësinë, korrupsionin, krimin, trafikimin e dukuri tjera negative. Shkolla është përfshirëse, cilësore, lëvizëse etj., për aq sa ec përpara. Është naive të mendosh se shkolla mund të arrijë cakun dhe po aq naive është të mendosh se shkolla nuk mund të ec. Krejtësisht varët nga shoqëria, sa është e organizuar ajo, që t’i bëj të mundur shkollës që të ec përpara, drejt cakut imagjinar, sfidues, kurrë të arritshëm. Udhëtimi drejt atij caku edhe pse është një sfidë, shkolla nuk duhet të pushojë së ecuri duke kërkuar në vazhdimësi ide e praktika bashkëkohore dhe për të ndodhur kjo është shumë i nevojshëm partneriteti. Partneriteti u ofron shkollave një proces përkrahës të vetë shqyrtimit dhe të zhvillimit, që del nga këndvështrimet e punëtorëve të arsimit, nxënësve, prindërve apo kujdestarëve, si dhe të anëtarëve tjerë të bashkësive përreth. Partneriteti stimulon për ecje përpara. Partneriteti është jeta dhe shpirti i shkollës.

Alush Ismail Kryeziu, mësimdhënës dhe trajner i çertifikuar për programin ,,Qeverisja dhe Udhëheqja në Arsim"

________________________

Ndryshimet në arsim pronësi e qytetarëve!

Ndryshimet në arsim janë komplekse, shumë të ndërlikuar, sepse me të preken interesat e të gjithë qytetarëve. Nëse nga ndryshimet në arsim nuk përfitojmë të gjithë qytetarët e një vendi, ato ndryshime nuk janë efikase dhe efektive sepse me to nuk sigurohet një edukim dhe arsim cilësor për të gjithë. Këto ndryshime që nuk janë në dobi të gjithë qytetarëve të një vend, nuk kanë qëllim të duhur moral, sepse krijojnë kushte për pabarazi, për pa drejtësi sociale, për diskriminim të llojeve dhe të natyrave të ndryshme, me çka nuk garantohet një mjedis miqësor për të gjithë shoqërinë me njeriun në qendër. Pabarazia në
arsim e nxitur nga ndryshimet që synojnë daljen nga kriza çojnë drejt konflikteve të reja të bazuara në identitete, kulturore, gjinore, etnike dhe ekonomike. Në këto ndryshime mbillet bërthama një krize të re, e një të keqeje e cila nxit konflikte sociale, varfëri, imoralitet, krim të organizuar dhe qeverisje autoritare, kleptokratike dhe oligarkike.

Meqë me ndryshime duhet krijuar dhe shanse dhe mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët, atëherë edhe pjesëmarrja sa më e madhe e qytetarëve në këto ndryshime është imediate dhe e domosdoshme. Për ketë arsye ndryshimet në arsim duhet të shndërrohen në pronë të qytetarëve. Pronësia mbi ndryshimet në arsim sigurohet nëse ndryshimet në arsim organizohen nga “Lartë – poshtë” dhe nga “Poshtë – lartë”. Kjo rrugë e ndryshimeve siç shihet niset nga
lartë, nga ndërtuesit dhe hartuesit politikave zhvillimore të arsimit (nga Parlamenti, Qeveria, MASHT). Këto struktura marrin vendime për ndryshime. Vendimet mund merren varësisht nga gjendja e vetë sistemit të arsimit. Nëse sistemi i arsimit është stabil, efikas dhe efektiv, atëherë këto organe marrin vendim për ndryshime reformuese me të cilat sigurohet përparimi i vazhdueshëm i sistemit të arsimit. Kjo ndodh atëherë kur shteti dëshiron të mbajë hapin me zhvillimet, teknike, teknologjike dhe me tregun botëror të punës.
Por kur shteti dëshiron që të bëjë avancime dhe përparime më të mëdha ekonomike, shkencore, teknike dhe teknologjike atëherë merren vendime për ndryshime inovative, për futjen e risive dhe të novacioneve më të cilat bëhen kërcime cilësore në sistemin e arsimit.
Por kur shteti është në një krizë të thellë, siç është rasti i Kosovës, atëherë këto organe duhet të marrin vendime për ndryshime transformuese që janë të përafërta me ndryshimet revolucionare. Në këtë rast ndryshojnë të gjitha pjesët, elemente e sistemi të arsimit: koncepti, struktura, qeverisja, korniza ligjore, kurrikulat, tekstet, mënyrat e përgatitjes së personelit mësimor, mënyra e monitorimit, mbikëqyrjes dhe të vlerësimit të ndryshimeve të bëra.
Në të gjitha këto raste, organet vendimmarrëse, vendimet e tyre i bazojnë mbi hulumtimin e nevojave reale të qytetarëve dhe të nevojave të shtetit për zhvillimin teknik dhe teknologjik.
Duke i inkorporuar nevojat e qytetarëve, qytetarët bëhen agjent të ndryshimeve në sistemin e arsimit. Në anën tjetër pjesëmarrja e prindërve, nxënësve, udhëheqësve, komunitetit arsimor në ndryshime me ide, mendime, ndryshimet i bëjnë gjithëpërfshirëse, të pasura dhe të dobishme për të gjithë qytetarët e vendit.

Shkroi: Halim Hyseni

_________________________

MODALITETET DHE VARIACINET E MUNDSHME TË
NDRYSHIMEVE NË ARSIM


Nga vitet e ‘90 të shekullit XX janë bërë avancime të mëdha në fushën e njohjes së ligjshmërive të ndryshimeve në arsim. Kontribut të madh në këtë fushë ka dhënë një plejadë e madhe e shkencëtarëve në mesin e të cilëve mund të veçohen Senge, Hargreavis, Stoll, Fink, Gudllad, Gardner, Fullan, Orstein, Hunkins etj. Të gjithë këta dhe shumë të tjerë kanë kontribuar që tani të ekzistojë një bazë shumë e mirë teorike e cila mund të përdoret për të bërë ndryshime të qëndrueshme dhe efektive në sistemin e arsimit. Këto ndryshime janë komplekse dhe të ndërlikuara sepse në to merr pjesë një numër i madh i subjekteve të ndryshme nga fushat e ndryshme të jetës. Baza e gjerë e njohjeve ka ndikuar që të themelohet një disiplinë e re shkencore që quhet: Teoria e ndryshimeve në arsim. Kjo teori bazohet në njohjet e shumë disiplinave tjera shkencore.
Por në mesin e këtyre disiplinave dy disiplina janë kryesore:

 

 

 

a) Edukologjia
b) Pedagogjia konstruktiviste

Edukologjia, e cila ndryshe quhet edhe emërtohet si Pedagogji e përgjithshme ose Teori mbi edukatën, studion ligjet dhe ligjshmëritë e procesit të edukimit dhe aspektet e ndryshme të edukatës. Arritjet në fushën e kësaj shkence ndihmojnë që më mirë të kuptohen dhe të përcaktohen qëllimet morale të ndryshimeve dhe përfitime që duhet të gëzojnë qytetarët, fëmijët, nxënësit, dhe studentët nga ndryshimet në arsim.
Pedagogjia konstruktiviste paraqet shtyllën e dytë të ndryshimeve në arsim. Kjo disiplinë shkencore e Edukologjisë ndihmon të kuptuarit e koncepteve që lidhen me ndryshimet në arsim. Në kohën postmoderne e cila karakterizohet si kohë e pasigurisë, ndërlikueshmërisë dhe kaosit, pedagogjia konstruktiviste mundëson që brenda kaosit dhe ndërlikueshmërisë të krijohet koherenca dhe qartësia në ndryshime. Kjo shkencë mundëson që ndryshimet në arsim të ndodhin “në cepin e kaosit”, ku krijohet një rend optimal për arritje të rezultateve maksimale, bazuar në kërkesat e Pedagogjisë maksimaliste apo të pritshmërive të larta.
Teoria e ndryshimeve ka identifikuar dy llojet të ndryshimeve:
a) ndryshime evolucioniste
b) ndryshimet revolucionare

Ndryshimet evolucioniste janë ato ndryshime që bëhen mbi rezultatet, përkatësisht mbi bazën e arritjeve ekzistuese. Kanë për qëllim përmirësimin e arritjeve, apo të gjendjes ekzistuese. Ndryshimet revolucionare janë ato ndryshime të cilat janë plotësisht të reja dhe që nuk marrin për bazë gjendjen e ekzistuese. Ky lloj i ndryshimeve mund të ilustrohet me një shembull konkret: Kur jemi në një shtëpi e cila është vjetër dhe në të nuk mund të jetojmë, meremetimi dhe ri-rregullimi i saj është i pamundur andaj duhet ta rrënojmë dhe duhet të ndërtojmë një shtëpi krejtësisht të re. Në fushën e arsimit me ndryshim revolucionarë veprohet kur sistemi i arsimit është tërësisht në kolaps dhe nuk funksion më. Atëherë nevojiten ndryshime revolucionare. Ndryshimet revolucionare janë shumë të rralla , të vështira dhe shumë të kushtueshme. Zakonisht bëhen ndryshimet evolutive.
Ndryshimet mund të paraqiten në formën e këtyre modaliteteve:
a) Inovimeve apo aktiviteteve inovative;
b) Reformave arsimore dhe
c) të transformimeve.

Shkroi: Halim Hyseni, më 05.11.2008
(vazhdon)

_______________________
Licencimi përparësitë, dobësitë, mundësitë dhe rreziqet

Njerëzit çmohen jo për atë çka dinë, por për atë çka bëjnë me atë që dinë – Napoleon Hill

Mesi i korrikut të këtij viti, në të gjitha DA të komunave në gjithë Republikën e Kosovës shënoi fillimin e procesit të licencimit të mësimdhënësve nga MASHT-i. Sipas projektit të MASHT-it – "Zhvillimi Institucional në Arsim", që është donacion i Bankës Botërore, e që ka për qëllim të licencojë mësimdhënësit duke u bazuar në katër fusha prioritare është një proces që tanimë ka filluar. Mësimdhënësit e licencuar do të vihen në shërbim të zhvillimit substancial të arsimit në Republikën e Kosovës e që është synimi kryesor i këtij projekti nga MASHT.

Megjithatë, faza e parë e licencimit nuk do të ndryshojë gjendjen në arsim, për faktin se licencimi në këtë fazë, favorizon të gjithë arsimtarët, duke u bazuar në dy kritere: përvoja e punës dhe përgatitja profesionale. Këto dy kritere kanë përparësitë e veta, por nuk do të sjellin ndonjë ndryshim në favor të arritjeve më të larta. Licencimi i mësimdhënësve do të ketë kuptim, në favor të cilësisë, drejt shkollës cilësore, që është synim i gjithë shoqërisë kosovare, nëse licencimi bëhet mbi bazën e përgatitjes profesionale, të përvojës së punës dhe arritjeve që sjell mësimdhënësi. Por shumë më e rëndësishme është që mësimdhënësi të monitorohet dhe të vlerësohet nga vlerësues të brendshëm dhe vlerësues të jashtëm e më pas të gradohet për punën cilësore dhe arritje të larta. Unë mendoj se është shumë e padrejtë dhe fare jo stimuluese që të barazohet suksesi me dështimin.

Ne si shoqëri pretendojmë mbështetje institucionale për zhvillimin e arsimit, që është shenjë e mirë, sepse pa zhvillimin e sistemit arsimor shoqëria kosovare nuk do të mund të jetë e zhvilluar dhe kurrë mirë e integruar në shoqëritë tjera të zhvilluara. Ky qëllim kurrë nuk do të jetë i arritshëm, nëse në radhë të parë nuk e vlerësojmë cilësinë e punës.

Licencimi dhe format tjera të gradimit po që se nuk stimulojnë, gjithë pjesëmarrësit do të dekurajohen për ecje drejt vlerave dhe cilësisë, për pasojë në sistemin arsimor do të ketë dobësi të shoqëruara me rrezikshmëri të shkallës jo të ulët.

Me një formë të tillë të licencimit, të quajtur faza e parë, MASHT favorizon mësimdhënësit pa dallim, pra arsimtari që është i dalluar në mësimdhënie e mësimnxënie barazohet me dembelin, frenuesin e ndryshimeve etj.. Shkolla, nxënësi dhe prindi janë vlerësues të përditshëm dhe ndodh të dinë për ndonjë mësimdhënës se nuk punon dhe arritjet e tija janë të panjohura…

Arsimtari i dalluar është; sepse gjeneratat që ai ka përcjellë kanë treguar sukses të lartë në shkollë, pastaj në testin e MASHT-it, si vlerësim i jashtëm, nxënësit e tij kanë treguar përqindje të lartë të arritjeve. Për shkollën, nxënësit e prindërit, arritjet e tij janë të njohura dhe çmohen, ai është përkrahës i ndryshimeve pozitive dhe nuk është rezistues etj.. MASHT do të duhej të krijojë mekanizma vlerësimi dhe të paguajë punën cilësore, që ka kryer e që po kryen mësimdhënësi. Nëse ne dëshirojmë vërtet cilësi dhe zhvillim të arsimit në shtetin tonë, domosdo duhet të paguajmë punëtorin i cili prodhon cilësi me punën e tij, pra të paguajmë për punën dhe rezultatet që ka arritur ai. Nuk guxojmë të paguajmë për dembelin që nuk ka asnjë rezultat, nuk ka prodhuar asnjë ndryshim cilësor në arsim dhe nga testi kombëtar ka arritje minore, është rezistues dhe frenues i nismave që paraprijnë cilësinë etj.. Mësues të tillë, qoftë të jenë edhe me tituj akademik nuk meritojnë të gradohen, sepse: “Ata të cilët nuk janë të suksesshëm, zakonisht gabojnë kur besojnë se periudha e fitimit të diturisë përfundon atëherë kur e përfundojnë shkollimin”. – N. Hill

Arsimi në Republikën e Kosovës do të zhvillohet vetëm atëherë kur mësimdhënësi vihet në shërbim të avancimit cilësor të nxënësit të tij duke qenë edhe vet nxënës gjatë gjithë jetës.

Shkroi: Alush Kryeziu, mësimdhënës dhe trajner i certifikuar për programin “Qeverisja dhe Udhëheqja në Arsim”

___________________

KUJDES NGA PËRDORIMI I KONCEPTIT REFORMË!!!?


Në përditshmërinë tonë kosovare, termat reformë, reforma të arsimit, reforma në arsim, reformat apo reforma në shëndetësi, administratë, reforma në UP etj., janë konsumuar aq shumë, sa sot ato, as nuk paraqesin lajm, e as nuk sjellin dobi dhe përmirësime pozitive. Ajo që është më fatale, ato nuk mund të nxjerrin Kosovën nga kriza e tashme e përgjithshme. Përdorimi pafundësisht i shpeshtë i këtij koncepti tek ata që merren me ndryshime pozitive, sjellë neveri.

Fjala reformë rrjedhe nga fjala latine “reforma” që do të thotë, ndryshim në formë, përmirësim, ndryshim pa përmirësuar esencën. Gjendja e vështirë e Kosovës në përgjithësi dhe në arsim në veçanti është e atillë sa ajo nuk mund përmirësohet me arnime, ndryshime dekorative dhe grimime, por me ndryshime shumë të sofistikuara dhe të thella me të cilat duhet të ndërron mendësia publike qytetare. Me to, duhet krijuar një vetëdije të re për rolin dhe rëndësinë që ka sistemi i edukimit për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Për këtë arsye koncepti “reformë” duhet të zëvendësohet me konceptin transformim dhe transformime. Ky koncept nënkupton ndryshime edhe në formë edhe në struktura. Për të bërë ndryshimet edhe në formë edhe në strukturë ato duhet të jenë të thella sepse duhet të ndryshojë tërësia duke i ndryshuar pjesët e tërësisë, por duke i parë ato në lidhshmëri dhe kauzalitet multipleks.

Këto ndryshime strukturore të bazuara në standarde të avancuara dhe në pritshmëri të larta sjellin ndryshime cilësore që kanë impakt të fuqishëm në zhvillimin ekonomik, në zhvillimin e përgjegjësisë qytetare dhe të demokracisë liberale

Në Kosovë, nga viti 2000 e këndej të gjitha nismat “reformuese” janë shndërruar në “reformatio in pejuis” në ndryshime retrograde që e kanë thelluar akoma më shumë krizën në arsim.

Në edukim përfshihen shume njerëz. Përfshirja e madhe e tyre bën që procesi i edukimit të jetë shumë kompleks dhe jo plotësisht i kuptueshëm dhe i qartë. Për këtë arsye ndryshimet në arsim janë shpesh jo të qarta dhe me vështirësi drejtohen, udhëhiqen dhe menaxhohen. Qëllimi i ndryshimeve në edukim është zhvillimi maksimal i mundshëm i të gjithë nxënësve dhe studentëve, përgatitja e tyre për t’u bërë qytetarë të përgjegjshëm që do të jenë të gatshëm të marrin pjesë aktive në tregun botëror të punës, pajisja e tyre me sistemin e vlerave të cilat njeriun bëjnë njeri, aftësimi i tyre që të mësojnë gjatë gjithë jetës si dhe që të jenë në gjendje që duke i përdorë dijet të krijojnë dhe prodhojnë dije të reja me të cilat sigurohet një përparim i vazhdueshëm si i individëve ashtu edhe i shoqërisë.

Nëse nismat reformuese të bëra deri më tani në Kosovë i vështrojnë nga ky kënd, atëherë del se këto qëllime nuk janë arritur dhe nuk po arrihen dot. Dëshmi për këtë janë: shkalla e lartë e analfabetizmit të tri niveleve; braktisja e sistemit të edukimit dhe të arsimit të detyruar; niveli i ulët i arritjeve të treguara në testet kombëtare, shkallë e ulët e përfshirjes së fëmijëve në të gjitha nivelet e arsimit krahasuar me standardet ndërkombëtare; delikuenca e të miturve në rritje, rritja e shkallës së sjelljeve asociale siç janë dhuna ndërmjet nxënësve, droga, etj. Këta tregues imponojnë nevojën që në Kosove të flitet për transformime- ndryshime të thella pozitive dhe jo për reforma, dhe ndryshime kozmetike dhe improvizime.

Shkroi: Halim Hyseni , Tetor 2008
_____________________________

Mësimdhënësit në funksion të zhvillimit njerëzor dhe të kapitalit social

“Edukatori për të edukuar, vetë duhet të jetë i edukuar”

Mësimdhënësit kanë qenë, janë dhe do të jenë shtylla e progresit, emancipimit, formimit të kombit dhe krijimit të shteteve të zhvilluara dhe humane. Në anën tjetër institucionet arsimore, çerdhet, kopshtet, shkollat fillore dhe të mesme, fakultetet, kolegjet dhe të gjitha organet, organizatat e një vendi duhet të jenë doemos “farkëtari ku njeriu vërtet duhet të bëhet njeri”. Shteti që mëton të jetë shtet i vërtetë, në të cilën do të sundon ligji i të drejtës, ku njerëzit do të ndjehen të lumtur dhe të vlefshëm, pavarësisht se si duken, sa të mençur janë, cilën gjuhë e flasin dhe cilit besim apo gjini i takojnë, moshës që kanë duhet të sigurojë një sistem arsimi i cili do të jetë në funksion të zhvillimit maksimal njerëzor dhe të kapitalit maksimal social. Zhvillimi njerëzor dhe i kapitalit social, në masën më të madhe varen nga efikasiteti dhe efektiviteti i sistemit të arsimit. Në anën tjetër përcaktuesit më vendimtar për efektivitetin dhe efikasitetin e arsimit, sipas të gjitha studimeve (ama bash sipas të gjitha studimeve) meta-analitike, në fushën e pedeutologjisë (teori shkencore që merret me studimin e mësuesve) kanë konstatuar së një ndër faktorët më përcaktues për efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit të arsimit janë mësuesit, mësimdhënësit, edukatorët. Andaj, nuk është për t’u befasuar se, qysh në kohërat më të lashta, mësuesi është konsideruar shtylla e kombit.

Mësimdhënia, si një proces i organizuar njerëzor, është edhe art edhe shkencë. Nëse mësimdhënia nuk është e tillë, ajo nuk do të ndikojë në zhvillimin maksimal njerëzor. Me zhvillim njerëzor nënkuptohet zhvillimi maksimal i potencialeve, aftësive dhe dispozitave të individëve që lidhen me punën, ekonominë, prodhimin (për këtë arsye edukimi dhe arsimimi jo vetëm që konsiderohen , por faktikisht edhe janë, kategoria më propulzive ekonomike); ndërsa me kapital social nënkuptohen proceset që lidhen me krijimin e rrjetave shoqërore, kodeve etike, normave dhe të vlerave humane ndërmjet individit dhe të shoqërisë. Për të realizuar një mësimdhënie të këtillë komplekse në personalitetin e një mësimdhënësit, duhet fuqishëm të gërshetohen edhe aftësitë profesionale (njohja brilante e lëndës, fushës që e zhvillon); por edhe aftësitë maksimale të mjeshtërisë së zejes së mësimdhënies. Me një fjalë, në zhvillimin dhe formimin e mësimdhënësve duhet të punojmë ashtu, që në personalitetin e mësimdhënësit, të zhvillohen: ana logotrope (logotropi është njohës i shkëlqyeshëm i shkencës që e zhvillon) dhe ana pedotrope (njohje dhe zbatim brilant metodologjive avancuese të mësimdhënies), në mënyrë që përpunimi psikologjik, shkencor dhe didaktik i mësimit, të jetë i tillë, që nxënësit gjatë gjithë kohës sa zhvillohet mësimi të përjetojnë rezonanca intelektuale, ose “aha përjetime” (siç do thoshte psikologu A. Laj). Vetëm nëse, në mësimdhënësin janë mishëruar të dy këtë aspekte, edhe ajo pedotrope edhe ajo logotrope, mësimdhënësi ka “locus të brendshëm” (stabilitet, aftësi, besim, kreacion, qëndrueshmëri) që mund të ndikojë në zhvillimin maksimal njerëzor dhe të kapitalit social.

Qendra për Arsim e Kosovës, deri më tani, më pak ka qenë e angazhuar në zhvillimin e aspektit logotrop të mësimdhënësve. Në vijat perspektive zhvillimore, KEC, do të përqendrohet edhe në këtë komponentë, sepse në këtë mënyrë mësimdhënësit e Kosovës do ta kryejnë funksionin e vetë të plotë të edukatorit.

(nga letra informative në KEC)

E shkroi: Halim Hyseni

—————————-

Megjithatë, Kosova po lëvizë përpara!

“Kujdesi për jetën njerëzore, lumturinë, dhe mos shkatërrimin tyre, është i pari dhe vetmi qëllim i qeverisjes së mirë” Th. Jefferson, 1743 -1826, Presidenti i tretë i SHBA-ve

Kosova është në një udhëkryq të madh historik. Puna që bëjmë sot, përcakton të ardhmen e gjeneratave që vijnë më pas. Sot krijohet themeli mbi të cilën duhet të ndërtohet jeta, begatia, mirëqenia, dhe lumturia e fëmijëve tanë. Për të ndërtuar këtë themel të fortë dhe të qëndrueshëm, nevojitet një qeverisje e mirë dhe efikase, një vend ku sundon ligji dhe shteti ligjor, ku drejtësia dhe barazia janë të pa cenueshme, ku “…asnjeri nuk është mbi ligjin edhe asnjeri nën te”, siç thoshte T. Ruzvelt, ku respektohen të drejtat e fëmijës dhe ku secili fëmijë i Kosovës ka mundësi të zhvillohet deri te kufijtë e skajshëm të tij, deri aty ku Zoti ka thënë se mund të zhvillohet.
Nga kjo që u tha është plotësisht e qartë se kjo nuk është lehtë. Është një sfidë të cilën duhet ta sfidojmë, nëse mëtojmë të largohem nga cepi i humnerës nëpër të cilin jemi duke ecur. Në kohën globale dhe postmoderne është jashtëzakonisht vështirë që me një strategji racionale të programohet dhe të bëhet një ndryshim i tillë. Duhet gjetur një balancë ndërmjet asaj që aspirojmë ta bëjmë dhe realizojmë dhe të asaj që në kushtet dhe rrethanat që tani ekzistojnë mund dhe duhet ta bëjmë. Kur e themi këtë duhet të kuptojmë se në ndërlidhjet globale, pavarësisht nga vullneti që kemi, dëshira e madhe që të bëjmë diçka të mirë dhe të madhe, nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë, sepse kjo do të varet nga faktorët tjerë jashtë mjedisit – vendit tonë. Dëshirë e jona e flakët që të parandalojmë dhunën, trafikimin e qenieve njerëzore me theks të veçantë të fëmijëve, luftimin e ksenofobisë, nacionalizmit ekstrem, etnocentrizmit, racizmit, homicidit etj. varet se sa këto dukuri luftohen në vendet fqinje dhe në botën globale në përgjithësi. Zgjidhja e problemeve të këtilla kërkon plotësimin e dy kushteve elementare:

Të mendojmë globalisht – të shikojmë nga perspektiva e zogut, dhe të veprojmë lokalist, si dhe

Të bashkëpunojmë, të krijojmë aleanca , konsorciume të fuqishme të të nxënit dhe të veprimit, ura dhe rrjete të fuqishme sociale për të parandaluar rrezikun e përgjithshëm që na kanoset.

Në këtë ecje, në muajt e fundit ka lëvizje premtuese, të cilat synojnë një qasje të re, proaktive, parandaluese. Në nivel të Kosovës është duke u hartuar një Plan Nacional për Zhvillimin e Kosovës. Paralelisht me këtë plan po punohet në hartimin e Planit Nacional për të Drejtat e Njeriut. MASHT në mënyrë intensive dhe me një qasje shume serioze, është duke punuar në hartimin e Strategjisë për arsimin para-universitar për periudhën 2007– 2017. Gjatë muajit nëntor lidhur me këtë Strategji u mbajt një Konferencë Ndërkombëtare shumë e suksesshme.
Këto ditë është hartuar edhe një Draft i Strategjisë Nacionale për avancimin e përshpejtuar të të drejtave të fëmijës. Më 1 dhe 2 dhjetor në Prishtinë do të mbahet Konferencë rajonale lidhur me këtë Strategji. Të gjitha këto dokumente komplementare dhe tregojnë se Kosova po lëvizë përpara.

Nëntor 2006

Shkroi: Halim Hyseni

———————————————————

Arsimi në funksion të zhvillimit të shoqërisë së fortë qytetare

“Aftësia e një populli dhe e njerëzve në përgjithësi, që të nxënë, dhe atë që e kanë mësuar sa më parë ta zbatojnë në jetën praktike, si dhe që dijen ta shndërrojnë në aktivitete është çështje kruciale për zhvillimin e ekonomisë globale e cila gjithnjë e më shumë bazohet në dije dhe informacion”

James Wolfennson

Qendra për Arsim e Kosovës, në shumë aspekte është duke kontribuar që Sistemi i Arsimit të Kosovës të transformohet në një instrument të fuqishëm të zhvillimit të një shoqërie të fortë qytetare, sepse shoqëria e fortë qytetare është çelës i demokracisë së vërtetë.
Nga studimet e bëra nga kjo qendër, si dhe studimet tjera meta-analitike në botë, po dëshmohet gjithnjë e më shumë një lidhje e fuqishme korelative ndërmjet efikasitetit dhe efektivitetit të sistemit të arsimin në përgjithësi dhe të atij primar dhe sekundar në veçanti, me zhvillimin e ekonomisë globale.
Qendra për Arsim e Kosovës angazhohet që secili qytetarë i Kosovës të jetë si një “tip i pronës” së kapitalit njerëzor (që ka dije, aftësi dhe shkathtësi, të cilat ai i zbaton në praktikë, zbatimi i të cilave sjell ndryshime të fuqishme në ekonomi, kulturë, shëndetësi, sport, shkencë, teknologji etj).
Qytetari si ”pronar” i kapitalit njerëzor e rritë produktivitetin e punës dhe bënë që fati i asnjë qytetari të mos përcaktohet nga: vendi ku ka lindur, mosha që e ka, besimi apo feja të cilës i takon, gjuha që e flet, bashkësia apo raca të cilës i përket.
Qendra për Arsim e Kosovës, po ashtu angazhohet dhe bënë përpjekje të kontribuon që secili qytetarë i Kosovës të jetë edhe “pronar “ i kapitalit social. Kjo do të thotë se qytetaret e Kosovës do të jenë të aftë të lidhen në rrjete dhe partneritete të fuqishme njerëzore në të cilat respektohen vlerat, normat njerëzore, etika profesionale, ku secili qytetar i ka karakteristikat më të mira deontotologjike (deontologjia është teoria mbi punën dhe detyrat e punës në profesionet dhe fushat e caktuara të jetës së njerëzore).
Për të bërë qytetarët “pronarë” të kapitalit njerëzor dhe social, Kosovës i duhet të krijojë, një arsim cilësor për të gjithë, pavarësisht nga prejardhja etnike, racore, fetare, gjuhësore etj. Përmes hartimit dhe koordinimit të punës në hartimin e strategjive zhvillimore për arsimin para-universitar, arsimin e lartë, integrimin të komunitetit RAE përmes komponentit të edukimit, strategjisë nacionale për avancimin e përshpejtuar të të drejtave të fëmijës. Qendra për Arsim e Kosovës është duke promovuar në praktikë Arsimin cilësor për të gjithë.
Nëpërmjet trajnimit të mësimdhënësve të edukimit parashkollor, fillor, të mesëm të ulët, të mesëm të lartë për metodologji të mësimdhënies, të drejtat e njeriut dhe të fëmijës, edukimit për luftimin korrupsionit, edukimit ndër dhe multikulturor, për qeverisje dhe udhëheqje, jemi duke kontribuar që të ndodhë një ndryshim thelbësor në mendësinë e njerëzve për rolin dhe rëndësinë që ka arsimimi për zhvillimin e Kosovës dhe të integrimit të saj në vendet e zhvilluara dhe demokratike.

Dhjetor 2006

Shkroi: Halim Hyseni

———————————————

Qeverisja dhe udhëheqja, Thembër e Akilit në arsimin e Kosovës

“Kujdesi për jetën njerëzore, lumturinë, dhe mos shkatërrimin e tyre, është i pari dhe i vetmi qëllim i qeverisjes së mirë”- Th. Jefferson

Qendra për Arsim e Kosovës, në studimin e faktorëve që përcaktojnë efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit të arsimit dhe ndikimit të tij në zhvillimin njerëzor dhe në kapitalin njerëzor dhe social, ka konstatuar se, një ndër pikat më neuralgjike dhe më të ndjeshme në arsimin e Kosovës janë qeverisja dhe udhëheqja. Këto dy pika janë, Thembra e Akilit, të sistemit të arsimit të Kosovës. Analizat dhe studimet tona, qofshin ato empirike apo metaanalitike, jo vetëm që i kanë vërtetuar katërçipërisht përfundimet dhe konstatimet metaanalitike botërore, se nuk ka dhe nuk mund të ketë, lidhje pozitive korelative ndërmjet lidershipit (udhëheqjes së dobët) të shkollës dhe të shkollës efikase dhe efektive, por këto përfundime dhe konstatime KEC i ka i ngre në nivelin e një aksiome pedagogjike-një të vërtete që nuk duhet vërtetuar, por, që patjetër duhet punuar në jetësimin saj. Me një fjalë, nuk ka dhe as që mund të ketë shkollë efikase dhe efektive me drejtor të dobët, të pa përgatitur për qeverisje dhe udhëheqje. Në politikat zhvillimore, në veprimet praktike, rizgjedhja e drejtorëve dhe të udhëheqësve arsimor, sipas studimeve tona, nuk bëhet me kujdesin e duhur, andaj, në shkollat, në të gjitha nivelet, krijohen situata dhe klimë jo e favorshme për punë efikase dhe efektive e cila më pas ka implikime të mëdha negative dhe afatgjata (në Japoni, arsimi thuhet se është fryt qindvjeçar) në zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë kosovare.
Për të ngritur efikasitetin dhe efektivitetin e arsimit në periudhën më të shkurtë të mundshme, deri sa të përcaktohen ndryshime rrënjësore në politikat zhvillimore për këtë fushë, është imperative të zbatohet me konsekuencë dhe pa ekuivoke Ligji për Arsimin fillor dhe të mesëm. Duhet të depolitizohen emërimet e drejtorëve, duhet të hartohet një plan veprimi për aftësimin drejtorëve dhe të udhëheqësve të tjerë arsimor, panelet intervistuese të bëhen nga njerëzit e dëshmuar për qeverisje dhe udhëheqje dhe të aftësuar për këtë punë. Për lirimin e potencialeve kreative të udhëheqësve duhet forcuar rolin e Këshillave të shkollës, duhet rikthyer kompetencat drejtorëve të shkollave në përzgjedhjen e kuadrit, duhet aftësuar udhëheqësit e të gjitha niveleve për hartimin planeve strategjike zhvillimore. Organet qendrore në nivele më të larta, me decentralizimin e sistemit të përzgjedhjes së drejtorëve duhet intensifikuar monitorimin dhe vlerësimin e punës së drejtorëve me qëllim të ngritjes së përgjegjësisë dhe të llogaridhënies.
KEC, duke e ditur rolin e Qeverisjes dhe të udhëheqjes, dhe duke e ditur faktin se drejtorët e shkollave nuk janë menaxher, por udhëheqës, ka bërë aftësimin e mbi 30 trajnerëve për Qeverisje dhe udhëheqje, që do të mund të shfrytëzoheshin për organizimin e trajnimeve për aftësim të udhëheqësve ekzistues të shkollave, për të qeverisur dhe udhëhequr me sukses institucionet arsimore.

Janar 2007

Shkroi: Halim Hyseni

—————————————–

Të krijojmë një shoqëri miqësore për fëmijë

“Në qoftë se do të mblidhnim lotët e fëmijëve në të gjithë botën, do të krijohej një liqen i madh, nga i cili do të prodhohej energji, por çmimi i saj do të ishte shumë i lartë” Xhani Rodari

Shoqëria kosovare, si shoqëri që është në zhvillim e sipër duhet ti kushtoj rëndësi të madhe respektimit të të drejtave të njeriut/fëmijës. Kjo mund të arrihet përmes edukimit. Në këtë aspekt, për shkak të zhvillimit individual dhe të përgjithshëm, të gjithë fëmijët duhet ta mësojnë dhe kuptojnë konceptin e të drejtave të njeriut, të dinë se cilat të drejta iu takojnë dhe të bëhen të vetëdijshëm për veten dhe shoqërinë. Të drejtat elementare të njeriut-respekti ndaj jetës së çdo individi dhe dinjiteti njerëzor-nuk mund të blihen, të fitohen ose të trashëgohen. Ato janë të patjetërsueshme, për çdo qenie njerëzore, pa dallim race, ngjyre, seksi, gjuhe, religjioni, përcaktimi politik apo ndonjë përcaktim tjetër, origjinë nacionale apo shoqërore, pasuri, prejardhje ose ndonjë status tjetër. Ndërtimi i kulturës së të drejtave të njeriut/fëmijës, kërkon nga njerëzit që ti njohin të drejtat dhe detyrat e veta e po ashtu të dinë si ti mbrojnë ato.
Shkolla paraqet mjedisin më të përshtatshëm, ku mund të fillojë formimi i vetëdijes për të drejtat e fëmijëve dhe krijimi i kushteve për zbatimin e tyre të përditshëm. Secili ka të drejtë të arsimohet. Arsimimi është i orientuar drejt zhvillimit të plotë të individit dhe forcimit të respektimit të të drejtave të njeriut/fëmijës dhe lirive elementare.
Mësimdhënësi çdo moment duhet të jetë i vetëdijshëm për të drejtat e fëmijës dhe ti respektojë ato në kontekst të sjelljes dhe veprimit të tij të përgjithshëm, e jo vetëm si pjesë e mësimit që zhvillohet ose si pjesë e përmbajtjes që duhet të përvetësohet.
Në përvetësimin e lëndës për të drejtat e fëmijës, nuk ka përgjigje të gabuar apo të saktë. Çdo mendim dhe ide është e mirëseardhur dhe duhet doemos ti kushtohet kujdes. Çdo lëndë përjetohet dhe praktikohet. Nuk duhet të mësohet përmendësh dhe as nuk duhet që nxënësit të vlerësohen. Çdo fëmije duhet ti lihet hapësirë dhe kohë e nevojshme që të mund të shpreh mendimin e vet dhe të marrë pjesë aktive me qëndrimet dhe me pikëpamjet e veta. Qëllimi kryesor i programit “Edukimi për të drejtat e njeriut/fëmijës”, është, që fëmijët të kuptojnë se ajo që iu nevojitet dhe atë që e duan, janë të drejtat e tyre dhe për këto vlen të angazhohet, pasi që të drejtat duhet të kërkohen dhe mbrohen prej tyre. Me gjithë avancimet dhe përparimet e bëra në fushën e të drejtave të fëmijës në Kosovë, mbetet ende shumë për të bërë. Nxënësit në Kosovë nuk kanë një edukim cilësor që mundëson zhvillimin maksimal të tyre, fizik dhe shpirtëror.
Dhuna mbi fëmijë, është ende në masë të pa tolerueshme. Partneriteti ndërmjet Institucioneve që merren me edukimin e të drejtave të fëmijës, nuk është në nivelin e duhur. Andaj, Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), përmes shumë projekteve të cilat ndërlidhen në mënyrë funksionale me të drejtat e fëmijës, është duke u angazhuar për krijim të një fryme të re në Kosovë, duke kontribuar në formimin e një shoqërie mike për fëmij në të cilën fëmijët do të jenë në qendër.
Te drejtat e njeriut/fëmijës u takojnë të gjithëve.

Shkurt 2007

Shkroi: Ardita Kabashi-Hima

———————————————–

Barazia gjinore në tekstet shkollore

“Meshkujt dhe femrat janë si dy krahët e një zogu. Sikur një zog që nuk mund të fluturojë me një krah, ashtu edhe shoqëria nuk mund të zhvillohet, nëse meshkujt dhe femrat nuk zhvillohen në mënyrë të barabartë1”

Pabarazia gjinore është një pengesë mjaft e madhe në zhvillimin dinamik dhe të përshpejtuar të shoqërisë kosovare. Integrimi i Kosovës në familjen e shteteve të zhvilluar dhe demokratike është plotësisht i parealizueshëm me gjendjen dhe pozitën e tashme tëgruas.

Në kohët e fundit, fal angazhimeve të mëdha të shoqërisë civile, të një kornize më të avancuar ligjore për mbrojtjen e gruas nga dhuna dhe format e ndryshme të diskriminimit, ka një arritje të shënuar në sensibilizimin e opinionit për barazinë gjinore. Në këtë sensibilizim, rol me rëndësi kanë loz dhe po lozin mjetet e informimit publik. Disa organizata joqeveritare të grave, me hulumtimet e veta, kanë zbardhur aspekte të ndryshme të pabarazisë së femrave në shoqërinë kosovare. Në këto hulumtime janë identifikuar edhe faktorët e shumtë që kanë pas dhe kanë implikime të fuqishme në pabarazinë praktike dhe

jetësore të gruas Kosovare.

Para pak kohe, Qendra Kosovare për Studime Gjinore doli me një studim shumë serioz, në të cilën zbardhet çështja gjinore nga këndi i sistemit të tanishëm të arsimit. Ajo që është më rëndësi të konstatohet dhe të bëhet plotësisht e qartë është se barazia

gjinore asnjëherë nuk mund të arrihet me vendime administrative, me imponime e as me legjislaturë sa do e mirë që është.

Kjo mund të bëhet vetëm e vetëm përmes një sistemi të arsimit efikas dhe efektiv për të gjithë, pra edhe femrës. Duke u nisur nga ky konstatim, studimi i bërë nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore është shumë domethënës. Këto studime, të përforcuara edhe me shumë studime të tjera të zhvilluar në botë, tregojnë për rolin dominues të mashkullit në sistemin e arsimit. Ndër shtetet në të cilat janë bërë këto hulumtime veçojmë: SHBA, Shqipërinë, Indinë, Kroacinë, Malin e Zi, Serbinë. Këto studime tregojnë edhe një aspect tjetër të pabarazisë gjinore. Ky aspekt, është se pabarazia e femrës me mashkullin, nuk është specifikë e veçantë e një vendi, por është një problem global. Megjithatë duhet konstatuar se vendet që më së miri e kanë zgjedhë barazinë gjinore janë vendet më të zhvilluar në botë, sepse shoqëria ecën përpara me të dy krahët. Në të gjitha këto vende, pabarazia gjinore mëtohet të evitohet nëpërmjet arsimit cilësor për të gjithë, pra edhe të gruas, duke i luftuar paragjykimet dhe stereotipat gjinor në kurrikula lëndor, në libra të leximit dhe në tekstet shkollor në përgjithësi.

Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), duke e ditur këtë, se bashku me rrjetin grave të vendeve të rajonit “Women Action”, ka përfunduar një studim të gjerë dhe gjithëpërfshirës për barazinë gjinore në këto vende duke analizuar ndjeshmërinë gjinore të librave të leximit në arsimin e detyruar. Në këtë studim kemi konstatuar se librat e leximit nuk kanë ndjeshmëri të mjaftuar për barazinë gjinore, se në shumë elemente gjinia femërore është e diskriminuar dhe e pabarabartë, se sistemi i roleve familjare, i roleve profesionale dhe vlerave është ndërtuar mbi sistemin e stereotipave dhe të paragjykimeve. Kjo imponon nevojën për ndryshime të shumta në kurrikula dhe në tekste.

Mars 2007

Shkroi: Halim Hyseni

—————————————–

Komunikimi me adoleshentë

“E ardhmja u takon atyre të cilët besojnë në bukurinë e ëndrrave të tyre” Eleanor Roosevelt

Vërtetë jeta është si një ëndërr. Bukuria e saj është ardhmëria. Bukuria e saj është fëmija. Jeta e fëmijës është e koncentruar në familje dhe në rrethin e njerëzve me të cilët ata jetojnë. Zhvillimi i fëmijës varet nga kujdesi dhe vëmendja të cilën e marrin ata nga njerëzit në familje. Fëmija zhvillohet fizikisht dhe emocionalisht duke shikuar veprimet e të tjerëve dhe duke marrë pjesë në jetën shtëpiake. Në rritje e sipër fillon të kuptojë gjuhën dhe kështu, edhe krijon aftësi për të shprehur mendimet dhe ndjenjat e veta.

Duke u rritur, fëmijët fillojnë të bëjnë rrjetin e lidhjeve me njerëz të moshave të ndryshme. Pra, përveç me familjen e ngushtë, ata mësojnë të komunikojnë me njerëz të ndryshëm. Ata kanë nevojë për lidhje të tilla, sepse në atë mënyrë zhvillohen emocionalisht dhe intelektualisht.

Adoleshentët janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë. Një shqetësim i madh për ta është edhe nevoja e tyre për jetë private dhe mundësia për të zhvilluar pavarësinë.

Shpesh të rriturit bëjnë gabime duke menduar se fëmijët e kësaj moshe janë tepër të rinj për të vërejtur se çka ngjan ndërmjet tyre, apo për të komunikuar mendimet dhe ndjenjat e tyre.

Shumë të rritur supozojnë se adoleshentët nuk janë të vetëdijshëm për shqetësimet e njerëzve tjerë, e as të prekur nga rreziqet apo përvojat e hidhura, prandaj edhe nuk iu sqarojnë gjëra. Shumë adoleshentë janë të lënë anash pa asnjë shpjegim lidhur me atë pse ekzistojnë errësira dhe dhuna!!!

Ne nga fëmijët në rritje e sipër, presim që të formohen me aftësitë e tyre, për të komunikuar, për të zgjedhur problemet, për të marrë përgjegjësinë, për të kryer obligimet shkollore etj. Por, për disa adoleshentë ky zhvillim shpesh është i ndërprerë. Nëse adoleshentët nuk kanë ndihmë dhe përkrahje, ata mund të shkojnë prapa në arritjet e tyre. Mund të kenë mungesë të përvojave normale sociale dhe mësimore. Mund të kenë vështirësi në mësimnxënie dhe në shoqëri. Andaj, për të gjithë fëmijët-adoleshentë është esenciale prezenca e së paku një personi familjar i cili i siguron kujdes të përhershëm për të. Kjo është më se e rëndësishme për të gjithë adoleshentët të cilët kanë vështirësi të mëdha të besojnë dhe të komunikojnë me secilin njeri me të cilin ata shoqërohen dhe jetojnë.

Të rriturit duhet të ndryshojnë sjelljen kur bisedojnë me adoleshentë në mënyrë që të t’iu ndihmojnë atyre që të relaksohen, e jo të bisedojnë me ta në atë mënyrën që e vështirëson komunikimin; duke përdorë mënyra autoritative apo të ashpra. Të rriturit duhet të përdorin ton të veçantë të zërit, të butë, të qetë apo ton melodik, sepse kjo tregon se i rrituri është i afërt me fëmijën dhe ndihmon atë të ndjehet i sigurt.

Pra, pak më tepër dashuri, përkrahje, ledhatim dhe mirëkuptim, e bëjmë të lumtur secilin fëmijë.

Prill 2007

Shkroi: Ardita Kabashi-Hima

————————————-

Llojet e komunikimit me adoleshentë

“Nëse ke dituri, lejo të tjerët të ndezin qirinj në ty”

Margaret Fuller

Komunikimi dhe llojet e komunikimit janë qirinj që ndizen në lumturinë e përbashkët të adoleshentëve.

Të rriturit shpesh u flasin adoleshentëve duke mos menduar nëse ata kuptojnë atë çka u thuhet. Andaj, të provojmë të bëhemi të ditur në mënyrën se si fëmijët/adoleshentët do ta kenë më lehtë t’i ndezin ata qirinj dhe të përfitojnë dituri.

Shumë komunikime bëhen pa biseduar fare. Shprehja e fytyrës së personit, lëvizjet, toni i zërit – të gjitha janë këto komunikime, kuptimi i të cilave varet nga kultura e tyre e caktuar. Ky lloj komunikimi është komunikim joverbal dhe është më se e rëndësishme të dihet nëse fëmija apo adoleshenti ndihet më mirë në këtë mënyrë.

Nëse dukemi të mërrolur, të brengosur apo të mërzitur derisa fëmija na flet, atëherë, ata ndalen së foluri. Inkurajimi i zhurmës, mimikës dhe të qeshurit tregon interesimin e të rriturve për atë se çfarë dëgjojnë nga fëmijët.

Shakatë, mahitë dhe buzëqeshjet mund të ndihmojnë fëmijën të relaksohet dhe të fillojë besimin. Kulturat ndryshojnë për nga ajo se si pritet nga adoleshentet të sillen në prezencën e të rriturve. Adoleshentët duhet të zgjedhin mënyrën se si dëshirojnë të komunikojnë me një të rritur, përndryshe komunikimi do të dështojë.

Po ashtu, me rëndësi të veçantë është edhe mënyra se si iu parashtrojmë pyetjet adoleshentëve duke u munduar që të parashtrojmë vetëm një pyetje në të njëjtën kohë.

Nuk do të thotë që bisedën me adoleshentë ta zhvillojë vetëm prindi apo kujdestari i fëmijës. Në rastet e tilla duhet të krijojmë atmosferë të këndshme në mënyrë që ata ta ndiejnë veten të sigurte dhe të fitojnë besimin te personi me të cilin do të flasin, sepse, ka raste kur adoleshenti kërkon që biseda të jetë konfidenciale. Andaj, për të fituar besimin, të rriturit duhet të tregojnë interesim të ngrohtë dhe të sinqertë lidhur me jetën, shpresat dhe vështirësitë e një fëmije/adoleshenti.

Durimi që duhet pasur të rriturit gjatë komunikimit me adoleshentë, është një nga kualitetet më të rëndësishme. Sjellja të cilën e tregojnë të rriturit në jetën e përditshme dhe marrëdhënia e tyre me adoleshentët është elementi kyç që ndihmon në krijimin e atmosferës së qetë dhe relaksuese për komunikim.

Pra, komunikimi është proces i dyanshëm. Duhet ti kushtohet vëmendje personit me të cilin flasim. Të bëhemi dëgjues të mirë. Të jemi të vetëdijshëm për komunikimin të cilin e bëjmë. Të përdorim gjuhë të thjeshtë. Të përdorim pyetje të hapura dhe të sigurohemi se jemi të kuptuar.

Maj 2007

Shkroi: Ardita Kabashi-Hima