Shkolla Rrezor  Republika e Kosovës, Malishevë, Rrezor (Mleqan) – SHFMU "Beqir Gashi" – Publike
Historiku i shkollës
6.09.2006 Alush Kryeziu

HISTORIKU I SHKOLLËS

• Përpjekjet dhe sakrificat për hapjen e shkollës shqipe

Si gjithkund ndër trojet shqiptare,ashtu edhe te ne dëshira e zjarrtë për të pasur shkollën shqipe ishte po aq e madhe sa edhe dëshira e zjarrtë për Lirinë. Përpjekjet dhe sakrificat e popullit tonë nuk ishin fare të vogla për realizimin e këtyre aspiratave. Populli shihte fuqinë e dijes andaj e kërkonte duke paguar çmimin më të lartë. Intelektual e arsimdashës që u vunë në shërbim të dëshirës së zjarrtë për të pasur shkollë e shkollim në gjuhën shqipe u shoqëruan me rreziqe të mëdha për jetën e tyre e disa nga ata edhe e humben atë.

• Njerëzit çmohen jo për atë çka dinë por për atë çka bëjnë me atë që dinë

Njeriu më meritor që nuk hezitoi për të realizuar ëndrrën e përbashkët për të pasur shkollë shqipe, padyshim është hoxha i fshatit Sylejman Mustafë Kryeziu. Ai kishte të përfunduar Medresenë e Prizrenit me sukses të shkëlqyeshëm në vitin 1928 .

Sylejman Kryeziu

Në Medrese pos mësimeve fetare ai kishte lexuar Rilindësit tanë e sidomos Sami Frashërin e Naim Frashërin, i motivuar nga veprat e tyre atdhedashëse ai kishte në shpirt dëshirën e madhe edhe pse në kushte e rrethana mjaft të vështira veprimi në atë kohë (1945/46) që të hapte një shkollë shqipe ku do të arsimoheshin pos fëmijëve të moshës shkollore edhe gra e burra të moshuar. Ai vërtet do t’i shpallë luftë analfabetizmit. Për atë që bëri ai sot kujtohet me respekt dhe çmohet, pra njerëzit çmohen jo për atë çka dinë por për atë çka bëjnë me atë që dinë.

• Çdo vështirësi, çdo dhembje përmban në vete farën ekuivalente të dobisë

 

Prapambeturia e popullit shqiptar ishte si pasojë e robërisë shumëshekullore nga robërues të ndryshëm. Por edhe pse ne përjetonim format më të egra të një pushtimi fashist çfarë ishte ai serb, gjithnjë gjatë historisë sonë do të krijohej një vlerë ekuivalente pozitive për t’i lëvizur gjerat në drejtimin e dëshiruar. Vlerë pozitive e dëshirës së zjarrtë për shkollën shqipe për neve në fshatin Rrezor (Mleçan) dhe fshatrat për rreth (Llazicë, Balincë, Plloçicë, Gullbovc dhe një lagje e Cerovikut), padyshim se do të jetë viti 1946/47 kur hapet shkolla e parë shqipe me mësuesin e parë Sylejman Mustafë Kryeziun në Rrezor, një rreze drite lindi për të mos u shuar kurrë më. Shkolla fillore në fshatin Rrezor pat filluar punën në shtëpi të Nezir Hazir Kryeziut i cili do të punojë gjatë gjithë jetës së tij si punëtor ndihmës në këtë shkollë. Mësimet në shkollën shtëpi mbaheshin në kushte shumë të vështira. Mirëpo edhe pse ishte një gjendje shumë e rënd ekonomike me një varfëri të skajshme për popullatën rurale të kësaj ane aspak nuk do të jetë pengesë që në vitin 1948 të ndërtohet shkolla në fshat me dy dhoma mësimi, një dhomë për mësues dhe një korridor. Puna rreth ndërtimit ishte vullnetare.

Foto: Viti 1953/54 – (dërguar nga prof. Ismail Gashi, Kijevë)


Fotografi e vitit 1954, dërguar nga Sadije Mehmetaj (Kryeziu), profesoreshë – (ish nxënëse e shkollës sonë)

 


Vitet e ’60 – Fotografi e dërguar nga Gani Zogaj, magjistër – ish nxënës i shkollës sonë

 

• Mungesa e kuadrit për mësimdhënie

Shkolla fillore e ulët në Rrezor do të ballafaqohet edhe me mungesën e kuadrit për mësimdhënie në fillim e deri në vitin 1953. Atë kohë as në Kijevë nuk ishte shkolla e plotë tetëvjeçare, një fillore e plotë ishte atëherë vetëm në Carallukë që do të thotë se me përfundimin e katër klasave në Rrezor nxënësit do të vijonin mësimet nga klasa e pestë deri në të tetën në Carallukë.

Vlen të ceket se në vitin shkollor 1959/60 do të hapet edhe klasa e pestë, me të cilën do të udhëheq mësuesi Imer Kryeziu, i cili më pas do të kalojë si mësues i matematikës në Kijevë. Shkolla në Rrezor ishte si paralele e ndarë fizike e shkollës fillore të Pleqnarit (Kijevës).

• Aftësimi i mësimdhënësve – kurset pedagogjike

Në vitin 1948 deri në vitin 1953 organizohen kurse pedagogjike me anë të të cilave do të certifikohen mësuesit për mësimdhënie më cilësore. Po ashtu edhe Sylejman M. Kryeziu do të bënte ndryshimin nga medreseja në shkollë të normales në Prizren. Në këtë shkollë pos Sylejman Kryeziut i cili deri në pension do të punojë si mësues, punuan edhe mësues tjerë si: Ramadan Kryeziu, Avdyl Kelmendi, Haxhi Zogaj, Rexhë Gashi, Imer Kryeziu, Arif Kryeziu, Mahmut Kryeziu, Hasan Qubreli, Osman Gashi, Gani Dobruna, Hamit Dobruna, Shaban Maloku, Muharrem Dukolli, Milazim Kryeziu, Ilaz Gashi, Hajzer Bashota, Mexhit Buçinca, Zeqir Gashi, Vjollcë Kryeziu etj..

Foto e dërguar nga Sali Rexhë Kryeziu - Rrezor (viti 1972)

Foto e dërguar nga Avni Hajzer Gashi (viti 1978)

• Punohet me përkushtim

Në vitin shkollor 1964/65 shkolla e Rrezorit do të këtë ujësjellësin. Nga një kodër mbi shkollë, rreth 600 metra larg merret uji me gypa të zinkuar në një pus të vendi i quajtur Samerdan. Shkolla fillore e Rrezorit do të punojë dhe s’do të pushoj së punuari asnjëherë duke kaluar nëpër ato katrahura sikurse edhe shkollat tjera në gjithë Kosovën, duke u ballafaquar me vështirësi të formave të ndryshme deri te diferencimet famëkëqija, përshtatshmëria e tjera marifete (1981)….!!! Vitet kalojnë; 1948, 1956,1968, 1981, 1989 vijnë vitet e nëntëdhjeta shkolla shqipe do të përballet me mbijetesën…

• Lufta për mbijetesë…

Vitet e nëntëdhjeta për historikun e shkollës shqipe në Kosovë ashtu sikur edhe te ne do të mbahen mend shumë gjatë si vite vendimtare ‘’të jemi a të mos jemi’’? Regjimi i Millosheviqit suprimoi krejt atë që patëm deri tani, por edhe në padrejtësitë më të egra që bëri ky regjim fashist serbian, do të lindin vlera ekuivalente në drejtimin pozitiv për t’ju kundërvënë qëllimeve gjenocidiale të okupatorit serb. Prandaj mësimdhënësit do të jenë të parët që do ta kuptojnë drejt dhe do të jenë në ballë të luftës kundër okupimit serbian duke u bërë shembull edhe për shtresat tjera të popullatës së kësaj anë, se si duhet t’i thuhet jo regjimit të shkjaut, regjimit fashizoid të kryekriminelit Millosheviq. Këtu qëndron e tërë filozofia e fuqisë së dijes jo si fuqi latente por e organizuar mirë dhe drejt kah qëllimi i fundshëm i dëshirës së zjarrtë për Lirinë e Kosovës. Edhe në shkollën e Rrezorit punohet me plan – programe të Republikës së Kosovës dhe bojkotohet gjithë ç’është produkt i politikës serbe. Po fillonte një epokë e re, besimi dhe dëshira e zjarrtë për LIRI u ndez flakë.

• Brutaliteti i dhunës serbe 1989-1999

Vitet e ’90-ta do të jenë vite vendimtare për të qenë apo t’mos qenë. Çdo shqiptar do të këtë besimin në vete se diçka mund të bëj për të mirën e Kosovës. ‘’Ekzistojnë vetëm dy lloje të çmendurisë: njëri është besimi se mund të bësh gjithçka, tjetri është besimi se nuk mund të bësh asgjë…’’- Andre Brink – Stina e bardhë e thatë. Brutalitetin e dhunës serbe e panë dhe e përjetuan shumë nxënës e mësimdhënës të shkollës sonë ( b.f. Alush S. Kryeziu në stacionin policor famëkeq të Kijevës, nga policia serbe rrahet duke pësuar lëndime mjaft serioze). Prandaj duhej që të bëhej një zgjidhje për nxënësit e klasave të pesta deri në të tetën që të mos udhëtonin për në Kijevë por të shkolloheshin në shkollën e Rrezorit (Mleçanit). Tani më tepër se kurrë kishte ardhur koha që secili të mendonte dhe të hudhte ide që të bashkuar të bënim diçka. Napoleon Hill thot: ‘’Idetë janë forca të paprekshme…Së pari ju u jepni jetë, energji dhe orientim, pastaj ato fitojnë fuqinë vetanake dhe menjanojnë çdo gjë që u kundërvihet’’. Më 1994 me pëlqimin e Drejtorit të Drejtorisë se Arsimit në Malas, profesorit Sokol Kryeziut, do të vetorganizohemi me vetkontribut dhe punë vullnetare që ta rregullojmë lokalin ekzistues të shkollës duke ia vë një pllakë betoni dhe duke bërë një ndarje mespërmes të njërës dhomë mësimi në mënyrë që të bëheshin katër dhoma mësimi dhe një kthinë për mësimdhënës. Në vitin shkollor 1994/95 shkolla punon prej klasës së parë deri në të tetën në dy ndërrime, hapësira mjaft e kufizuar, por punohej edhe nëpër bodrume shtëpish private gjetiu nëpër Kosovë, sepse regjimi fashist i Millosheviqit kishte ndaluar mësimin nëpër objekte shkollore, sidomos shkollat e mesme dhe universitare mbanin mësim nëpër shtëpi private që lëshoheshin me vetëdëshirë nga shqiptarët vetëm që të mbahej gjallë arsimi në Kosovë. Mësimdhënësit do të punojnë edhe pa paga, formohet këshilli për vetëfinancim në nivel të Kosovës dhe në nivele komunale, populli ndihmon me mjete shkollën shqipe. Kjo gjendje do të zgjatë 10 vite. Vetëm ata mësimdhënës që kanë punuar në këtë periudhë janë në gjendje ta kuptojnë se sa e rënd dhe e vështirë ishte ajo kohë, por edhe asnjë mësimdhënës nuk do të jetë kurrë më krenar sa janë ata që punuan në këtë kohë.

Gjurmë dhune…(kudo në Kosovë,  dhunë e policisë serbe, në vitet e ’90)

• Nismë e vlerave pozitive – viti 1995

Në vitin 1995 me vetënismë të komunitetit, prindërve e mësimdhënësve dhe përkrahjen e Drejtorit të DKA-së z. Sokol Kryeziut do të ndërtohet aneksi i shkollës me vetkontribut. Ky aneks zgjeroi lokalin shkollor edhe për tri dhoma mësimi dhe një kthinë për arsimtarë. Duhet cekur se rreth organizimit për ndërtimin e aneksit të shkollës janë meritor shumë nga kryefamiljaret e fshatit Rrezor. Me zgjerimin e lokalit shkollor do të krijohen kushte më të mira për nxënësit, sepse gjatë udhëtimit deri në Kievë (nga klasa e pestë deri në të tetën) një numër mjaft i madh i nxënësve të Rrezorit e Plloçicës kishin pësuar në fatkeqësi komunikacioni dhe mjaft të tjerë kishin pësuar nga dhuna e policëve serbë.

• Shkolla gjatë luftës së UÇK -së

‘’Me miliona njerëz gabimisht besojnë se ‘’dituria është fuqi’’. Kjo është plotësisht e gabueshme! Dituria është vetëm fuqi latente. Ajo bëhet fuqi tek atëherë kur organizohet në kuadër të planeve të definuara të veprimit dhe kur drejtohet kah qëllimi i fundshëm’’ -N.Hill. Fuqia e dijes së organizuar për të parën herë dhe më mirë së kurrë nisi rrugën për qëllimin përfundimtar, doli në mbrojtje të interesave të mëdha Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Fuqia e dijes së organizuar, vërtet është fuqi. Nxënës, prindër e mësimdhënës do të ndihmojnë në të gjitha format e mundësive që kishin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës duke parë se kjo fuqi mendore dhe fizike do të na shpëtojë nga robëria serbe. Nuk ishte rastësi konvergjenca se edhe UÇK do të vendoset në shtëpinë e Nezir Hazir Kryeziut, shumë vjet më parë; shtëpi – shkollë (1946) dhe prap më 1998 shtëpi – kazermë e UÇK –së. Në fshatin tonë edhe lufta e UÇK –së ka pika të përbashkëta me historikun e shkollës sonë, jo e rastësishme dhe mjaft interesante se edhe UÇK do të vendoset në shkollë pas ofanzives se parë që do të ndërmarrin serbet, shkolla – kazermë e UÇK –së në vitin 1998/99. Ashtu sikur edhe shumë shtëpi që u dogjën nga barbaria e ushtrisë fashiste serbe në fshatin tonë edhe shkolla nuk i shpëtoi djegies. Në Rrezor gjatë luftës së UÇK –së në fushën e nderit ranë dy dëshmorë: Beqir Sefë Gashi dhe Hazir Nezir Kryeziu, që të dy ish nxënës të kësaj shkolle.

• Pas luftës, viti 1999…

Shkolla ishte djegur nga serbet, mësimi mbahet në tenda kurse prindërit rinovojnë shkollën dhe ia venë kulmin…donator ,, Adra”

Fill pas hyrjes së KFOR –it dhe kapitullimit serb (mesi i Qershorit 1999), filloi sajimi i pasojave të luftës në fshatin tonë që ishte rreth 90% i shkatërruar nga serbet po ashtu edhe shkolla ishte e djegur dhe e shkatërruar. Fillojnë përpjekjet për aktivizimin e jetës e po ashtu edhe hapja e aktivizimi i shkollës. Njëra pjesë e shkollës u aktivizua për mësim, ndërkaq tjetra ishte shumë e dëmtuar nga flaka e luftës. U siguruan dy tenda të mëdha për tu mbajtur mësimi. Koha e emergjencës siç quhej, do të duhej të sanoheshin pasojat në mënyrë që dimri i ftohtë të mos i zinte nxënësit në tenda. Pas luftës, viti 1999, fuqia ekonomike e fshatit ishte në kuotën zero, na doli në ndihmë një Organizatë ‘’ADRA’’ dhe e bëri vetëm renovimin e objektit ekzistues shkollor. Përgjegjës i shkollës: Ibrahim Gashi.

• Përpjekjet për përmirësimin e kushteve në shkollë

Vitet shkollore 2000-2002 do jenë vite të përpjekjeve për përmirësimin e kushteve mësimore me aq sa ishte e mundur. Një shoqatë ‘’OXFAM’’ do të investojë në riaktivizimin e ujit për pije edhe pse kryhen mjaft punë rreth hapjes se kanalit rreth 600 metra dhe vendosja e gypit 5/4 të plastikës ujë nuk do të sillet. Nga KFORI Gjerman sillen disa banka dhe karrika që në një masë do ta zbusin mungesën e inventarit në shkollë. Me ndërmjetësimin e ‘’SECES’’ dhe presidentit të saj Giovanni Polliani shkolla jonë binjakëzohet me një shkollë të Milanos në Itali , Instituto ‘’G. B. Perasso’’ . Me këtë projekt shkolla jonë ndihmohet me: fotokopjues, televizor, video-rekorder, kasetofon, aparat fotografik dhe material shkollor shpenzues. U kembyen edhe eksperienca reciproke. Përgjegjës i shkollës: Ibrahim Gashi

• Planifikimi për një shkollë më cilësore – demokratike

Kërkesat shtohen për një shkollë më cilësore dhe demokratike krahas reformave në arsimin fillor / të mesëm të ulët, mbahen trajnime për arsimtar. Në vitin shkollor 2002/03 duke ju falënderuar Organizatës ‘’Save The Children’’ do të ndërtohet rrethoja e shkollës dhe kopshti i lodrave për fëmijë në ambientin e jashtëm shkollor si dhe renovimi i klasës së parashkollorëve dhe paisja me karrika , tavolina ,lodra etj.. Në këtë vit me ndihmën e DKA –së me ndarje të mjeteve (700 €) dhe punëve vullnetare të komunitetit u bë e mundur sjellja e ujit në shkollë me pompë elektrike. Gjatë këtij viti shkollor u kryen edhe këto punë: shtruarja e dyshemeve me etison, rregullimi i stazave nga betoni e tj., po ashtu bëhet një kërkesë – propozimi i projektit për aneks dhe nyje sanitare drejtuar MASHT-it dhe ‘’Save The Children’’në Prishtinë. Sjellja e një kontenieri që të përdoret si klasë mësimi, për mungesë të lokalit shkollor e tj..Numri i nxënësve shënon rritje afër 400 nxënës prandaj është shumë e nevojshme që të zgjerohet objekti i shkollës. Përgjegjës i shkollës: Alush Kryeziu.

• Shkolla fiton Grantin nga Banka Botërore

Në vitin shkollor 2003/04 klasa e nëntë vijojnë mësimin në këtë shkollë. Numri i nxënësve 400. Nga Granti i BB shkolla fiton 5656 € në Projektin për përmirësimin e pjesëmarrjes në arsim, ku Projekti i propozuar nga shkolla në mbështetje të PZH të shkollës, hartuar në bashkëpunim me të tjerët nga Alush Kryeziu do të fiton një Grant për përmirësimin e kushteve mësimore në lëmin informatikës dhe mjete tjera të nevojshme mësimore. Nevoja shumë e madhe për zgjerimin e hapësirës shkollore. Në këtë vit bëhet kërkesa për pavarësimin e shkollës dhe për aneks (ndërtimi i katit të dytë). Përgjegjës: Zymer Kryeziu

• Pritja në njohjen formale të pavarësisë së shkollës…

Fillimin e vitit shkollor 2004/05 të gjithë: nxënës , prindër e mësimdhënës do të urojnë ‘’gëzuar pavarësia e shkollës’’. Në muajin Gusht 2004 ishim të njoftuar se MASHT – i, paska dhënë pëlqimin për pavarësimin e shkollës në Rrezor. Si shkollë e pavarur në këtë vit shkollor 2004/05 u fillua puna me seriozitetin më të madh të mundshëm. Që në fillim u ngrit një sistem i dosjeve të personelit që është mjaft i avancuar, për të vënë themelet e shkollës si subjekt në vete, regjistratorët do të mbajnë shënime për secilin nga punëtorët e shkollës sonë dhe dokumentacionin e shkollës. Nga Organizata ‘’Save The Children’’ realizohet projekt-propozimi bërë në vitin shkollor 2002/03 ndërtimi i nyejve sanitare brenda objektit shkollor (nuk është përfshirë aneksi i shkollës me arsyetim s’ka donator të mjaftueshëm). Pos nyejve sanitare u shtuan edhe këto punë: thellimi i pusit të shkollës, rezervuar betoni akumulues 12 mijë litra ujë, kanali përcjellës, shtruarja e platos për rreshtimin e nxënësve para shkollës mbi 100 metër katror e tj.. Në vitin shkollor 2004/05 , Ushtrues i Detyrës së Drejtorit: Alush Kryeziu.

Viti shkollor 2005/06

Në fillim të vitit shkollor 2005/06 fal Organizatës ,, Save the children’’ dhe Qeverisë Komunale që participi me mjetet e ndara u bë renovimi i objektit shkollor dhe ngjyrosja po ashtu. Këtë vit shkollor kushtet përmirësohen brenda mundësive që lejon ky objekt shkollor. Hapësira është shumë e kufizuar. Megjithatë shkolla jonë arrin të bëj ndryshime cilësore dhe për synim ka objektivin që të bëhet shkollë cilësore bashkëkohore. Numri i nxënësve 410 .Ushtrues i Detyrës së Drejtorit – Alush Kryeziu.

Hapësira e lokalit shkollor shumë e kufizuar, mësimi mbahet edhe në kontejner…

 

Më 14.06.2006 shkolla jonë nga DKA e Malishevës, emërohet me emrin e Dëshmorit të Kombit – Beqir Gashi

Beqir Sefë Gashi u lind në Rrezor (Mleçan), më 03.01.1966.

Babai i tij ishte i njohur në interpretimin e këngëve kreshnike me pasion e mjeshtri të rrallë, brenda fshatit pa dallim lagjeje ai vazhdon të kujtohet edhe sot e kësaj dite me emrin respektues Mixha Sefë, ndërsa në tërë Kosovën vazhdon të kujtohet me emrin Sefë Mleçani. Në letërsinë popullore, cikli i këngëve kreshnike fuqizonte ndjenjat e atdhedashurisë tek dëgjuesi dhe mobilizonte shpirtin shqiptar për t’u përballur me pushtuesin sllav për mbrojtjen e lirisë, trojeve, gjuhës, zakoneve, traditave, etj..

Beqiri u rrit në një ambient frymëzues dhe arriti edhe vet të frymëzojë të tjerët me këngën e tij patriotike e liridashëse. Ishte i dalluar në mësime dhe në aktivitete të lira gjatë shkollimit fillor. Beqiri u dallua si këngëtar dhe aktor filmi. Pas përfundimit të shkollës fillore Beqiri regjistrohet në shkollën e mesme ,,Luigj Guarakuqi’’ në Kievë në drejtimin matematikor. Edhe si nxënës i shkollës së mesme dallohet në mësime dhe aktivitete të lira.

Në demonstratat e vitit 1981, Beqir Gashi ishte pjesëmarrës dhe organizator mobilizues tek të rinjtë që t’i përgjigjeshin thirrjes për lirinë e Kosovës.

Pas demonstratave të vitit 1981 dhuna serbe fillon të shkallëzohet mbi shqiptarët në çdo formë të shprehjes së saj.

Ndjenja e Beqirit për lirinë dhe mbrojtjen e tokës sonë po rritej. Qysh në fillim pa u hamendur do të aktivizohet në radhët e UÇK-së. Aksionet luftarake së bashku me mikun e tij dhe shokun e idealit Mujë Krasniqi do të bëjnë jehonë në tërë Kosovën. Aksionet e Beqirit ndikuan edhe në mijëra luftëtarë tjerë që do të radhiten në radhët e UÇK-së. Edhe në luftë Beqa bashkëjetoi me pushkë e këngë. Kënga e Beqir Gashit kuronte plagët e atdheut ashtu sikur kirurgu më i mirë që kuron pacientin.

Në vjeshtën e vitit 1998 Beqir Gashi bashkë me një numër të madh të rinjsh do të niset për në Shqipëri për të sjellur armatim për luftëtarët e lirisë.

Me të pajisur me armatim, së bashku me shumë luftëtarë ndër të cilët edhe Komandanti Mujë Krasniqi si dhe bashkëfshatari i Beqës, Hazir Kryeziu, do të nisen për në Kosovë. Më 14 dhjetor të vitit 1998 në vendin e quajtur Gorozhub, në kufirin shqiptaro- shqiptar, kolona hasi në prita të armikut. Pas një rezistence të fuqishme që bëjnë luftëtarët e lirisë në krye të të cilëve ishte edhe Beqir Gashi i cili në luftim e sipër ra aty së bashku me shumë shokë të idealit e ndër ta edhe Komandanti Mujë Krasniqi. Heroizmi dhe ideali i lartë për Atdheun dhe akti më sublim i rënies së dëshmorit Beqir Gashi, bën që ai të mos vdes kurrë.
Lavdia dhe nderi u takon atyre, të pavdekshmeve, Dëshmorëve të Atdheut.

Lavdi!

 

  • Viti shkollor 2006-2007

Në këtë vit shkollor numri i nxënësve 417

Më 07.09.2006 shkolla jonë ka ueb-faqen e shkollës në internet www.shkollarrezor.com (donator Arben Kryeziu), ndërsa më 01.10.2006 shkolla jonë ka lidhje interneti dhe është e para shkollë në komunën tonë me internet.

Më 19.02.2007 shkollës sonë KFOR-i ia dhuron tetë kompjuter tani shkolla jonë ka 16 kompjuter.

Më 13.04.2007 shkolla jonë merr pjesë në Krosin Pranveror dhe zë vendin e parë në nivel komune.

Më 10.05.2007 – RTK realizon emisionin – Shkolla ime , në shkollën tonë.

Më 26.05.2007 shkolla jonë zë vendin e tretë në konkursin e kulturës së gjuhës “Gjuhëtari i ri” – 2007, dhe merr pjesë në nivel vendi në Prishtinë. Kjo është hera e dytë që shkolla jonë zë vendin e tretë në nivel komune.
Në muajin Qershor 2007 mbahen trajnime për mësimdhënës.
Ushtrues i detyrës së drejtorit, Alush Kryeziu

  • Viti shkollor 2007-2008

Viti shkollor filloi më 03.09.2007 sipas kalendarit të paraparë, numri i nxënësve 421. Hapësira e objektit shkollor shumë e kufizuar. Punohet edhe në kontejner dhe një pjesë e mësimit zhvillohet në tri ndërresa.

Shkolla jonë në ketë vit do të ndërtohet nga Qeveria Komunale dhe MASHT-i. Lajmi është dhënë nga Qeveria Komunale në Malishevë, më 30.01.2008

Kosova shpallet e Pavarur, më 17.02.2008


Flamuri i republikës së Kosovës

Më 02.06.2008 RTK emisioni Jata në Kosovë realizon një reportazh në shkollën tonë.
Interesimi i gazetares Jeta Abazi dhe kameramanit Ahmet Murtezi, kryesisht u përqendrua për arritjet dhe pengesat në shkollën tonë. Po ashtu u interesuan të dinë për të arriturat në fushën e informatikës, posaçerisht për ueb-faqen e shkollës sonë.
Interneti është një mundësi më shumë për të marrë e dhënë informata të ndërsjella, pakufi….
Më 3 Korrik 2008 transmetohat reportazhi në Radio Televizionin e Kosovës…

Më 11.07.2008 – Departamenti i Infrastrukturës nga MASHT-i sot vizitoi shkollën tonë. Z. Isuf Gashi dhe z. Naim Demiri morën informacion për infrastrukturën shkollore nga afër. Ata panë pengesat shumë serioze sa i përket hapësirës shkollore.
U.D Drejtori, Alush Kryeziu

  • Viti shkollor 2008 – 2009

Në këtë vit shkollor mësimi filloi, më 01.09.2008, numri i nxënësve 432

Në fillim, shtator 2008 MASHTI investon – Kabineti i informatikës, vlera 23 mijë euro.

Më 02.10.2008 – Ministri i Arsimit z. Enver Hoxhaj dhe kryetari i komunës z. Isni Kilaj përurojnë kabinetin e informatikës, të pranishëm edhe RTK – Jeta Abazi për emisionin "Jeta në Kosovë".

Foto: Ministri i Arsimit Enver Hoxhaj, Kryetari i Komunës Isni Kilaj dhe drejtori i shkollës Alush Kryeziu

Duhet theksuar se Jeta Xharra drejtoreshë e BIRN-it ka bërë shumë për shkollën tonë duke e afirmuar si shkollë të suksesshme shkollën tonë në RTK, edhepse punohet në kontejner shkolla ka ueb faqen që është ndër shkollat e para në Republikën e Kosovës. Jeta Xharra merr premtimin nga ministri i arsimit Enver Hoxhaj se; shkolla jonë do të këtë në shtatorin e parë një qendër kompjuterike dhe në shtatorin e dytë një shkollë të re moderne.

 

Foto: Njëvjetori i Pavarësisë së Kosovës – nga themelet e shtetit u linden themelet e shkollës…

Më 09.10.2008 – RTK dhe emisioni "Jeta në Kosovë" – Shkolla jonë në "Kulmi i javës" në RTK dhe në studio merr pjesë udhëheqësi i shkollës Alush Kryeziu.

Më 20.10.2008 – Fillon ndërtimi i shkollës se re, moderne nga MASHT-i. Ministri i arsimit z. Enver Hoxhaj mban premtimin.

Më 22 Tetor 2008 intensifikohen punimet për ndërtimin e shkollës së re.
Po realizohet ëndrra më e bukur në jetën tonë, pas asaj ëndrrës se madhe pavarësisë së Kosovës që tani më është realitet.

Në nëntor 2008, shkolla "Beqir Gashi" e Rrezorit merr pjesë në emisionin e RTK-së "1,2,3 Fillo" dhe e fiton garën me shkollën "Ali Krasniqi" të Ujmirit


Foto: Në studio të RTK-së – Prishtinë

Më 20 Dhjetor 2008 shpaloset Projekti i shkollës së re që pritet të ndërtohet. 

Në fillim të shkurtit 2009, fillon të realizohet projekti i shkollës së re

Më 29.06.2009 shkolla e re, në ndërtim e sipër…

  • Viti shkollor 2009 – 2010

 

 Sot, më 1 shtator, ka nis viti i ri shkollor 2009 – 2010. 

Nxënës, prindër dhe mësimdhënës, fytyrëqeshur, zbukuruan shkollën, ata manifestuan gëzimin, gëzimin e dijenxënies.
Gëzimin dhe lumturinë e nxënësve të shkollës sonë, e rriti fuqishëm, Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila ua ka sjellë falas librat shkollor, të gjithë nxënësve të klasës së parë e deri në të nëntën. Librat shkollor janë dhënë falas për të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të ulta në tërë Republikën e Kosovës.

Më 11.09.2009 – Departamenti i Infrastrukturës pranë MASHT-it ka vlerësuar pozitivisht projekt – propozimin e shkollës sonë për ndërtimin e fushës sportive. Ketë sihariq e sollën sot, z. Isuf Gashi dhe z. Bajram Beqiraj, zyrtarë në Departamentin për Infrastrukturë në MASHT. Projektin për fushën sportive e ka përkrahur dhe e ka dhënë pëlqimin edhe Qeveria Komunale, përkatësisht DKA në Malishevë.
Është ky projekti (pas shkollës së re që po ndërtohet), që do të gëzojë shumë nxënësit e shkollës sonë. Ata do të kenë hapësira sportive shumë të përshtatshme, prandaj shkolla do të jetë edhe më shumë tërheqëse për ta…
MASHT-i, partneri ynë më i fuqishëm, po investon në cilësinë e ardhmërisë sonë, prandaj ne i jemi sinqerisht mirënjohës.

Drejtori i shkollës z. Alush Kryeziu ka falënderuar zyrtarët e MASHT-it për përkrahje.

Më 30 Tetor 2009, MASHT-i ka filluar ndërtimin e dy terrene sportive për nxënësit e shkollës sonë, kjo është edhe një arsye më shumë t’i gëzohemi shkollës së re, që tani më është në fazën përfundimtare… Me të drejtë udhëheqësi karizmatik i MASHT-it z. Enver Hoxhaj pati thënë: "Fuqia e shtetit varet nga cilësia e njerëzve të tij, prandaj edhe investimet në fushën e arsimit, janë investime jo vetëm që ta ndryshojmë sistemin arsimor, por, ta ndryshojmë Republikën e Kosovës". 

Shkolla jonë në garën e Projektit të "Kosovision Kontest 2" në shkallë rajoni ka fituar garën dhe do të realizojë projektin "Këndi i gjelbërimit". Kjo garë më e madhja në Republikën e Kosovës, me klasat e pesta, ka nxitë nxënësit të projektojnë vet për ardhmërinë…

Më 30 Nëntor 2009, ka përfunduar asfaltimi i terreneve sportive. Investimet e MASHT-it në shkollën tonë, po krijojnë ardhmërinë tonë…

Krahaso!

Foto: Terrenet sportive

Ceremonia e shpërblimeve dhe hapja e ekspozitës së Kosovision Kontest 2


Sot në Pallatin e Rinisë, Kulturës dhe Sportit në Prishtinë u organizua ceremonia e shpërblimeve dhe më pas u hap ekspozita e pllakatave të Projektit të madh Kosovision Kontest 2.

Fjala në gjuhën shqipe e zonjës Katherina Washington, (udhëheqëse e projektit Kosovision Kontest, Fakulteti i Edukimit – Cyrih), drejtuar nxënësve dhe të pranishëmve ishte emocionuese dhe në fund të fjalës së saj, ajo dha mesazhin duke apostrofuar ish Presidentin e Amerikës z. Kennedy dhe citoi shprehjen e famshme të tij:
"Mos pyet, se çfarë mund të bëjë vendi për ty, por pyet, se çfarë mund të bësh t’i për vendin!"


MASHT-i ka ndërtuar edhe rrethojen e shkollës së re (foto 16.12.2009)

___________________

19.01.2010 – Vizitë e nivelit të lartë nga KFOR-i

Vizita e KFOR-it, përkatësisht e LMT-së, e para e këtij niveli kaq të lartë, me përbërje të strukturës nacionale heterogjene, ishte një befasi e këndshme për nxënësit dhe stafin mësimdhënës të shkollës sonë. 

Kapiteni i nivelit të lartë në LMT z. Rugeland i cili shoqërohej nga kapiteni z. Baum, panë nga afër evolimet e ndryshimeve pozitive në shkollën tonë pas luftës e këndej.
Ky ekip shumnacional vizitoi kabinetin e informatikës, klasat kontejnerë, shkollën e re që është në fazën përfundimtare të ndërtimit dhe terrenet sportive të posa ndërtuara. 

Drejtori i shkollës, Alush Kryeziu, ka informuar miqtë dhe partnerët e shkollës, me evoluimet pozitive që kanë ardhur kryesisht nga përkujdesja e MASHT-it dhe partnerëve tjerë, pa të cilët shkolla nuk mund të ec.

Përvjetori i dytë – Pavarësia e Kosovës

17 Shkurt 2008 Kosova u shpall e Pavarur, ëndrra e shumëpritur për Liri u bë realitet. Kjo ëndërr e përpjekjeve dhe sakrificave të mëdha u bë realitet me Adem Jasharin dhe luftëtarët trima të UÇK-së, të cilët dhanë jetën e tyre për t’i sjellë Lirinë popullit të shumëvuajtur. Ne, po ashtu çmojmë zërin e Lirisë të shumë burrave e grave kosovarë e në veçanti zërin e mësuesve që edukuan e arsimuan breza të terë me frymën e patriotizmit kombëtar…


Sot ndryshimet infrastrukturore që po ndodhin gjithandej në Republikën e Kosovës, vetëm dy vite pas shpalljes së Pavarësisë, po dëshmojnë se Shteti ynë është i pacenueshëm.

Partneriteti është jeta dhe shpirti i shkollës

Projekti – Kosovision Kontest ka mobilizuar prindërit dhe komunitetin. Vlera morale që bashkoi forcën e komunitetit të prindërve për të realizuar Projektin – Këndi i gjelbërimit, kalon shumëfish përmasat e vlerës fizike.
Projekti, që është produkt i planifikimit të nxënësve të klasës së pestë, mbështetur në idenë e Projektit "Kosovision Kontest" dhe metodat planifikuese që parashtrohen aty për planifikim bashkëkohor si dhe partneriteti i sinqertë i prindërve e pjesëmarrësve tjerë, është garancia kryesore se Projekti do të realizohet sipas planit të paraparë.

Mars 2010

MASHT-i ka sjellë ndryshime të deshirueshme

Është shumë e vërtetë se vitet 2008, 2009 dhe viti 2010, sollën ndryshimet e hovshme në infrastrukturën shkollore dhe cilësi në mësimdhënie e mësimnxënie. Synimi i drejtorit të shkollës, Alush Kryeziut, mësimdhënësve, nxënësve e prindërve është që të arrijnë përmasat e shkollës cilësore….

Më 03.03.2010, vizitë në shkollën tonë e përfaqësueseve të Komisionit Evropian – Zyra Ndërlidhëse në Kosovë. Kjo vizitë pune, përbërë nga zyrtarë të lartë, Dr Jacek Gajewski – Udhëheqës i Ekipit dhe Eric Woods – Ekspert i Lartë për Reformën në Arsim – Udhëheqës i Ekipit, pati për qëllim shpalosjen e Projektit Pilot në fushën e Arsimit – Programi E-Learning (të mësuarit Elektronik).

Drejtori i shkollës, Alush Kryeziu, ka mirëpritur iniciativën e miqve të BE–së dhe ka falënderuar për vizitën dhe për përzgjedhjen e shkollës, të cilën ai e udhëheq, njërën ndër 25 shkollat e para që do të përfshihen në këtë Pilot Projekt, në gjithë Republikën e Kosovës. 

  • Viti shkollor 2010-2011

Shkolla e re u ndërtua nga MASHT, pëlqimin e pati dhënë Qeveria Komunale – Malishevë.