Tema Arsimore  (Platformë Personale)

7 Mars 2009 – Vizitë në Shkollën e Parë Shqipe në Korçë

Gjatë shkuarjes për në Korçë, u ndalem në Fushë Arrëz, tek vendi ku pati ndodhur aksidenti tragjik, ku humbën jetën 15 maturantë, nga Malisheva, drejtori i DKA-së z. Isuf Morina, vuri lule, në shenjë respekti, pranë lapidarit.


Drejtoria Komunale për Arsim e Malishevës, përkatësisht drejtori i DKA-së z. Isuf Morina, ka organizuar një vizitë historike me arsimtarë të shkollave të komunës së Malishevës, në Shkollën e Parë Shqipe në Korçë.

 


Gëzuar Ditëlindjen e 122-të, o shkollë e shqipeve!

Rëndësia e kësaj vizite ishte e madhe, jo vetëm që pamë Shkollën e Parë, por pamë edhe një ekspozitë me koleksione të rralla të botimeve për shkollat e para shqipe.

Këshilli i Shkollës sonë, ka përzgjedhur mësuesin më të mirë, për vitin shkollor 2008 – 2009, arsimtarin e lëndës kulturë muzikore, Ibrahim Gashin.
Në këtë vizitë morën pjesë të gjitha shkollat e komunës së Malishevës me nga një përfaqësues, përkatësisht mësuesi më i mirë i shkollës që ishte përzgjedhur në nivel të shkollave të komunës sonë.

Muzeu Kombëtar – Gjergj Kastrioti – Skënderbeu

Agjenda e vizitës na mundësoi të shohim edhe qytete e monumente tjera të rëndësishme në Shqipëri.
Vizituam dhe u impresionuam me qytetet: Korçë, Krujë, Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Pogradec, Kavajë, Rrogozhine, Peqin, Cërrik, Librazhd, Përrenjas, Fushë Krujë, Lezhë, Pukë, Fushë Arrëz, Kukës, e tj..

Shih fotografitë>>>>

>>>>>>>>>>>>>>>>

________________________

(Një shkrim me rastin e 120 vjetorit të Shkollës së Parë Shqipe, para dy viteve)

Një shekull e dy dekada udhë e gjatë për shkronjat që i japin fytyrën kombit.

REPORTAZH

Në Korçë, aty ku u themelua shkolla e parë e shqiptareve. Vështrim në objektin historik, tashme gërmadhë, që përballë kujtesës së fortë kombëtare, sfidohet me shkatërrimin e kohës, shpërfillur ca më fort nga autoritetet. Sepse ciceronet se paku duhet të jenë krenarë teksa u flasin turisteve nga vendi dhe bota, për përpjekjet e paepura atdhetare, “për pakëz dritë”

KORÇË – Plot 120 vjet udhë të gjatë dhe histori, duket se nuk janë pak për një komb, i cili ka luftuar për germat e tij të dashura, për gjuhën pa të cilën nuk do të kishte as identitet, e thënë ndryshe nuk do të ekzistonte. Dhe këtë mundësi shqiptarëve dhe kombit të vogël në zemër te Evropës ia kanë dhënë patriotet e shquar korçarë, por edhe një qytet pa të cilin dhe vetë Shqipëria do të humbte dimensionin e saj. Korça, qyteti që shtrihet në skajin me juglindor të Shqipërisë, nuk mund të kishte kuptim pa Mësonjëtoren e Parë Shqipe. E ndodhur si për rastësi apo kushedi se çfarë në qendër të Korçës, kjo ndërtesë dykatëshe e mbushur me shumë histori, ka më shumë së një shekull që flet. Ajo përshëndet banorët e qytetit të saj, por dhe është kujtesa e tyre më e fortë. E gjendur mes një triptiku që duket se tashme është prishur, përballë shtëpisë se patriotit Themistokli Germenji dhe shtëpisë se Mihal Gramenos, që duket se ka ndryshuar format, kjo mbretëreshë e vetëdijes sonë ka kaluar përmasat e një muzeu me të cilin identifikohet nga ciceroni.

Muzeu… muzè

Muzeu Kombëtar i Arsimit ka një histori të gjatë të mbushur me përpjekje, madje dhe me gjak nga patriotet e njohur të këtij qyteti, të cilët e kthyen atë në një qendër ku do të mësohej, këndohej dhe lexohej vetëm shqip. Në të kundërt, edhe këto rreshta që ne i shkruajmë për të, nuk do të ishin nëse nuk do te ishte kjo shkollë, por dhe ata njerëz që bënë gjithçka për të na dhuruar gjuhën tonë. E kështu pra, nëse të bie rasti të vish në Korçë, nuk mund të rrish indiferent pa vizituar Mësonjëtoren e Parë Shqipe, pasi ajo të ndjell vetë dhe të fton ta shohësh dhe të prekesh atë histori të ngjizur me sakrifica dhe me gjak, me të cilën u blatuan germat prej tunxhi të shqipes sonë. Një ciceron gjendet shpeshherë aty, ndonëse jo me këtë dëshirë dhe pasion që të zgjojnë ditët e marsit, që duket se i dedikohen më shumë madhështi kësaj historie të madhe jo vetëm të Korçës. Korça e agimeve të mëdha, më 7 mars të këtij viti ka një jubile të madh, përkujton 120-vjetorin e çeljes së shkollës së parë shqipe.

Pak histori për shkronjat…

Edhe shkronjat kane pasur fatin e tyre, sidomos shkronjësit e tyre. Shpesh këto shkronja kanë ndjerë ngrohtësinë e gjakut të atyre që i krijuan ose hidhërimin e helmit që ka marrë jetën e atdhetarëve të mëdhenj. Një nga monumentet e gjuhës se pavdekshme shqipe është dhe i madhi Petro Nini Luarasi, i cili ka qenë dhe drejtori i parë i shkollës shqipe në Korçë, pasi u mësoi gjuhën kolonjareve. Lindi në fshatin Luaras te Kolonjes, dhe ishte biri i një muratori. Ishte nxënës në shkollën e Qestoriatit të Koto Hoxhit. Punoi si mësues ne fshatrat e Kolonjës, ku u mësonte fëmijëve fshehurazi gjuhën shqipe. Më 1887 hapi në Ersekë shkollën e parë shqipe dhe më pas, në 1892-1893 shkollat shqipe në krahinat e Kolonjës e të Vakëfeve. Punoi si drejtori i Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë dhe më vonë në shkollën e Negovanit, 1909-1911 në emigracion në Amerikë. Mori pjese aktive në lëvizjen kombëtare. Ishte nismëtari i shoqërive patriotike “Mall i mëmëdheut” dhe “Pellazgut”, i krijimeve të fshehta të komiteteve për lirinë e Shqipërisë. Për veprimtarinë e tij politike, vdiq i helmuar nga xhonturqit dhe patriarkana e Stambollit. Në të gjithë veprën e tij trumbetohej ideja e bashkimit për lirinë e Shqipërisë, pavarësisht nga besimi fetar.

Muzeu dhe vizitoret

Shkolla e Parë Shqipe tërheq gjithmonë vizitorë në çdo stinë të vitit. Vitin e kaluar u kthye në një mode për shqiptarët përtej kufijve nga Maqedonia dhe Kosova, të cilët janë mrekulluar me dokumentet historike dhe gjithçka kanë gjetur në këtë ndërtesë, sot 120-vjeçar. Nga 1 marsi, duket se vizitat në këtë muze kanë shpërthyer, duke pasur një “bum” të vërtetë. Të gjitha shkollat e qytetit janë angazhuar të sjellin nxënësit e tyre për t’u njohur me këtë pjesë të çmuar të historisë që merr përmasa të mëdha jo vetëm për Korçën. Ndërkaq, dy shkolla të njohura nga kryeqyteti do të jenë dhe mysafiret e vegjël mes të shumtëve, që do të jenë prezentë në Korçë për të festuar me madhështi një festë të jashtëzakonshme.

Shkroi: Irena Vreto
__________________

Mësonjëtorja e Korçës

Më 7 mars 1887 në vendin tonë u çel në Korçë shkolla e parë në gjuhën amtare, e cila kishte fillimisht mbi 35 nxënës. Megjithëse edhe më parë ishin bërë përpjekje për çeljen e shkollave shqipe, shkolla e parë e Korçës dallohej për fizionominë e saj kombëtare, laike dhe demokratike. Në të mësimi zhvillohej vetëm shqip, nuk kishte përmbajtje fetare dhe në të mësonin djem e vajza pa asnjë dallim

Mësuesit e parë

Mësuesit e parë që dhanë mësim në këtë shkollë ishin Pandeli Sotiri, Thanas Sina e Thoma Avrami. Si drejtues të shquar të kësaj shkolle përmendim atdhetarët e njohur: Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Janko Minxha, Kristaq Vaja. Në fillim shkolla e Korçës kishte katër klasa, numri i nxënësve pas tre muajsh arriti në 60 dhe në vitin e dytë të saj, në 300 nxënës.

Normalja e Elbasanit

Më 1 dhjetor të vitit 1909 u çel normalja e Elbasanit, shkolla e parë pedagogjike shqipe. Eshtë e para shkollë e mesme shqipe, vatër e përgatitjes së brezave të mësuesve. Në vitin e parë në të mësuan 140 nxënës, gjysma nga Kosova dhe Çamëria. Deri në vitin 1920 normalja e Elbasanit është mbyllur dhe rihapur disa herë për të vijuar më tej aktivitetin.

Shkroi: Aldo Kozarja

Leave a Reply

You must be logged in to post a comment.