Shkolla Rrezor  Mleqan, Malishevë, Republika e Kosovës – Republic of Kosova

MËSUESI KUJDESTAR

“Nëqoftëse ka profesion që nuk qas njerëz të vegjël e pa ideal, ky asht profesioni i mësuesit.” – ALEKSANDËR XHUVANI

Mësuesi kujdestar i klasës është e duhet të jetë një menaxhues i mirë i klasës, një “minidrejtor” për klasën në kujdestari.
Mësuesi kujdestar është koordinatori që lidh klasën me drejtorinë e shkollës e me mësuesit mësimdhënës të klasës. Mësuesi kujdestar është koordinator që lidh shkollën me familjen. Kështu duhet kuptuar dhe trajtuar puna e mësuesit kujdestar nëpër shkollat e arsimit publik e jopublik të nivelit parauniversitar.

Ç’BËN KONKRETISHT MËSUESI KUJDESTAR?

Cilët janë problemet e zakonshme të ditës dhe të perspektivës që ndiqen nga mësuesi kujdestar?
Fillojmë që nga më e thjeshta në dukje dhe rendisim të tërë problemet rutinë, të detyrueshme për t’u ndjekur. Të tëra këto punë kanë një kosto në kohë dhe kërkojnë përkushtim sistematik.
Duke filluar me zbatimin e rregullores së brendshme të shkollës:
• Kujtojmë paraqitjen e nxënësve në shkollë në orarin e caktuar.
• Futja në shkollë e klasë, qëndrimi në shkollë e klasë, mirëmbajtja e klasës me bazën materiale që ka si dhe pastërtia e saj


• Rregulli në pushimet e shkurtra.
• Rregulli në pushimet e gjata, lëvizjet nga një kat në tjetrin, lëvizjet nëpër korridore e klasa të tjera, në tualet e në fasadat e shkollës etj.
• Përgatitja sistematike dhe me detyra në të tëra lëndët. Plotësimi dhe freskimi i këndit të klasës.
• Marrëdhëniet e nxënësve me mësuesit e lëndëve që japin mësim, sidomos me
mësuesit zëvendësues, që nuk janë të rrallë.
• Marrëdhëniet e nxënësve me njëri-tjetrin brenda klasës, marrëdhëniet me nxënësit e tjerë të klasave paralele, më nxënësit e klasave më të ulta e më të larta.
• Marrëdhëniet djem vajza e forcimi i ndjenjës së kolektivitetit e mirësjelljes reciproke në punë (mësim).
• Marrëdhëniet me më të pafuqishmit, me të vegjlit e të moshuarit.
• Marrëdhëniet jashtë klase e shkolle me të panjohurit edhe pse mendohet që disa nga këto norma janë të njohura nga edukimi në familje.

Jetojmë në një komunitet shumë heterogjen, sidomos në qendra të mëdha banuese e për rrjedhojë ne duhet të pranojmë që jo të gjithë nxënësit janë të mirëedukuar me kësi normash, pa përmendur edhe shtysat e veset që jetojnë brenda vetë komunitetit të nxënësve. Kjo është temë tjetër dhe mendojmë se e kemi konsumuar në shkrimet e tjera. Mësuesi kujdestar ndjek e lufton veset e këqija, si vjedhja, grabitja, rrahja, pirja e duhanit, alkooli, droga, prostitucioni etj.
Mësuesi kujdestar ndjek e duhet të mirëinformohet edhe madje, për mbajtje armësh me vete; si ato të zjarrit dhe të ashtuquajturat armë të ftohta, që rrezikojnë jetën e nxënësve.
Mësuesi kujdestar koordinon punën me drejtorinë e shkollës, plotëson dokumentacionin me përgjegjësi dhe përgjigjet përpara drejtorisë, plotëson të dhënat e duhura për çdo nxënës dhe për klasën dhe mban në kontakt të vazhdueshëm drejtorinë e shkollës. Jep llogari për rezultatet e klasës në kujdestari etj etj.
Mësuesi kujdestar mban lidhje të rregullta e të vazhdueshme me familjet e nxënësve të tij. I informon ata për arritjet apo mospërgatitjen e duhur të fëmijëve të tyre. I ndihmon edhe për metodën e të nxënit të fëmijëve të tyre në shtëpi. Mësuesi kujdestar siguron
mbarëvajtje të klasës me të tërë mësuesit që japin mësim aty, duke informuar të tërë mësuesit për gjendjen e klasës, ngarkesën ditore, shqetësimet dhe problemet e veçanta që mund të ketë ndonjë nxënës etj.
Kjo ishte një panoramë e punës së lodhshme të një mësuesi kujdestar nëpër shkolla edhe pse nuk pretendojmë se i kemi prekur të tëra çështjet e problemet me të cilat ndeshet çdo ditë mësuesi kujdestar. Sa vlerësohet dhe si çmohet kjo punë? Mendojmë se ka vend për të diskutuar e për t’u parë. Vlerësimi i kësaj pune është vlerësimi tradicional që llogaritet me barasvlerën e një ore mësimi javore….

Shkroi: Rifat Xhina
Burimi: Gazeta "Mësuesi"

Leave a Reply

You must be logged in to post a comment.