Shkolla Rrezor  Republika e Kosovës, Malishevë, Rrezor (Mleqan), SHFMU "Beqir Gashi" – Publike

Arkiv March, 2011

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, përkatësisht Departamenti i Infrastrukturës, me kërkesën e drejtorit të shkollës dhe vërejtjeve të paraqitura përmes postes elektronike, për mos përmbushje të obligimeve nga punëkryesi NN “Tosi” – Pejë, për mos riparimin e lëshimeve, të bëra gjatë punimeve, ka nxitur një vizitë të një ekipi të inxhiniereve, shoqëruar nga shefi i tyre, të Departamentit të Infrastrukturës pran MASHT-it. Me rastin e kësaj vizite, inxhinieret kanë bërë një skanim të gjendjes së objektit të ri në Shkollën FMU “Beqir Gashi” në Rrezor dhe kanë qartësuar qëndrimet e tyre për “cilësinë” e punimeve. Kjo vizitë do të peshojë ndërgjegjen e mekanizmave të shtetit të Republikës së Kosovës dhe ne kemi besim se masat do të ndërmerren në favor të shkollës sonë. Kjo shkollë ende nuk është pranuar teknikisht nga MASHT-i, sepse është dashtë të riparohen lëshimet që janë evidentuar nga inxhinierët e MASHT-it, edhepse ata patën preferuar që ne të hyjmë në objekt të ri, riparimet nuk kanë ndodhur ende (>>>shih dokumentin). Sot e kësaj dite shkolla ballafaqohet me pengesa të shumta si pasojë e sjelljes së papërgjegjshme të një punëkryesi në njërën anë dhe mosveprimit të MASHT-it, në anën tjetër…

Foto: themelet e rrënuara të shkollës!!!

Megjithatë, komuniteti i shkollës falënderon MASHT-in, sepse pati urdhëruar rrënimin e themeleve, që aq shumë na patën trishtuar… (shih foton) dhe pas rivendosjes së themeleve, jeta e fëmijëve do të jetë më e sigurt…



Zhvillimet teknologjike në botë po lëvizin me shpejtësinë e dritës, kurse zhvillimet në arsim po ecin ngathët

Në shoqëritë e zhvilluara, në gjithë botën, nuk mund të paramendohet jeta pa përdorimin e teknologjive bashkëkohore, të cilat po e lehtësojnë punën dhe jetën e njerëzve në fusha të ndryshme.
Në kuadër të teknologjive globale të cilat kanë depërtuar thellë; në prodhim, komunikim, shkencë, etj., ka ardhur koha e shfrytëzimit të teknologjive të reja edhe në arsim. Përdorimi i teknologjisë së re, jo vetëm që është domosdoshmëri, por është edhe një mundësi më shumë për të nxitur të menduarit për menaxherët, mësimdhënësit dhe nxënësit, që ata të jenë, jo vetëm memorizues të të dhënave shkencore, por të jenë edhe krijues të ideve për të prodhuar rezultate konkrete. Në këtë shekull, qarkullimi i informatave është ekuivalent me shpejtësinë e dritës, prandaj në këto rrethana të reja, individi dhe shoqëria, nëse duan të integrohen, duhet që të krijojnë ambiente të reja për të zhvilluar veten dhe shoqërinë. Me këtë angazhim, individi dhe shoqëria do të dilnin nga kornizat e tradicionales dhe do të zhvillonin forma të reja për tu përballur me sfidat e shekullit 21 që nuk janë të lehta për t’i zotëruar.

Teknologjitë e reja e sidomos teknologjia kompjuterike, sot është në çdo hap të jetës sonë; në fabrika, centrale, banka, institucione, shkolla, familje etj.
Kompjuteri lehtëson punën e njeriut, është nxitës për imagjinatën e tij për të prodhuar ide për projekte të detajuara që mund të materializohen për të mirën, jo vetëm të individit, por edhe të shoqërisë e njerëzimit në tërësi.
Arsimi dhe elementet përbërëse të tij kanë përkushtim kryesor zhdukjen e injorancës dhe përhapjen e dritës së diturisë. Interesimi i shoqërisë dhe i individit gjithashtu, duhet të jetë shumë më në nivel se sa është tani. Arsimi në Kosovë nuk po ec me hapat e zhvillimeve globale, të cilat zhvillime po i japin kuptim të ri botës. Nismat për sjelljen e ndryshimeve dhe konceptimi i drejtë i tyre nuk guxon të ndalojë kurrë. Pesëqind vjet para epokës së re, filozofi grek Herakliti u ka thënë nxënësve të vet, se; ,,Çdo gjë ndryshon, përveç ligjit të ndryshimeve’’. Në jetojmë në një botë që vazhdimisht ndryshon. Fullan, një nga studiuesit më në zë të teorisë dhe praktikës së ndryshimit, shkruan: “Kjo është një botë në të cilën ndryshimi është një udhëtim ku pikëmbërritja është e panjohur, ku problemet janë miqtë tanë, ku kërkimi i ndihmës është shenjë e forcës, ku nismat e njëkohshme nga lart-poshtë dhe poshtë-lart përzihen me njëra-tjetrën, ku kolegjialiteti dhe individualizmi bashkëjetojnë në një tension produktiv…”

Arsimi, që është boshti kurrizor i një vendi dhe fytyra e një kombi, duhet të mbështetet më shumë nga institucionet shtetërore. Mësimdhënësit sot përballen me shumë pengesa, nuk u është e lehtë për të sjellë ndryshime, sepse shkollat nuk janë të pajisura me mjete konkretizimi dhe mungojnë teknologjitë e reja bashkëkohore. Për pasojë shkollat nuk janë tërheqëse, për aq sa duhet të jenë. Nxënësit janë të demotivuar dhe mund të ndodhë të kenë edhe sjellje që nuk qojnë në kahen e duhur. Energjitë pozitive dhe shkathtësitë, në fusha të ndryshme, nxënësit nuk kanë ku t’i demonstrojnë, prandaj ka raste kur gjithë ajo energji e shkathtësi e nxënësve tanë, orientohet në kahen e gabuar.
Shoqëria duhet ta ketë të qartë se pa ndryshimet përmbajtjesore në arsim, krahas ndryshimeve globale në botë, kurrë nuk do të arrijë të zhvillohet si shoqëri dhe as të integrohet në shoqëritë e zhvilluara.
Ndryshimet që po ndodhin sot në sfera të ndryshme të jetës, diktojnë domosdoshmërinë për ndryshime cilësore edhe në arsim. Përshpejtimin e këtij synimi duhet ta kenë prioritet institucionet e shtetit, duke përkrahur e mbështetur mësimdhënësit në ngritjen e kapaciteteve të tyre në zhvillimin e shkathtësive për përdorimin e teknologjive të reja në funksion të mësimdhënies e nxënies moderne.
Mësimdhënësit do të duhej të ndryshojnë edhe format e vlerësimit e të vetvlerësimit, ky proces është një episod me rëndësi, është pjesë e të menduarit dhe e të kuptuarit, është biografi apo autobiografi e progresit në të mësuar në shekullin e informacionit. Ngritja e kapaciteteve të mësimdhënësve është instrumenti më efikas për menaxhim, mësimdhënie e nxënie cilësore.
Shteti duhet të sjellë ndryshimet e kurrikulave dhe të programeve, të cilat duhet të jenë cilësore dhe të krahasueshme me shtetet që kanë arsim të zhvilluar. Në arsim synohen gjithherë caqe të reja, prandaj ndryshimi është bashkudhëtari, pa të cilin arsimi nuk zhvillohet.
Udhëtimi në arsim është kërkim i caqeve për arritje të cilësisë, për të bërë që nxënësi ynë të zotërojë shkathtësitë e shekullit 21 në mënyrë që të mos mbetet i varur në jetën e tij, por të pavarësohet fuqishëm, për të nxënë gjatë gjithë jetës. Arsimi është çelësi për të ndezur imagjinatën e njeriut për të prodhuar idetë që do ta ndihmojnë atë dhe shoqërinë për tu përballur me sfidat e këtij shekulli.
Thënë ndryshe përdorimi i teknologjive të reja në arsim do të ndikojë që mësimdhënia dhe nxënia të jetë shumë më tërheqëse. Nxënësit në ambiente të tilla arsimore, do të përpiqen të tregojnë shkathtësitë dhe të jenë aktiv gjatë gjithë kohës sa qëndrojnë në shkollë. Transferimi i përvojave pozitive nga shkolla tek nxënësi dhe nga nxënësi tek familja do të ndikojë që jo vetëm nxënësi por edhe familja të orientohet në kahen e duhur duke u bërë pjesë e ndryshimeve dhe zhvillimeve globale që ndodhin sot në botë.

Është koha të dimë: ku ndodhemi dhe ku duamë të shkojmë?

Shoqëria kosovare, për sa i përket resurseve humane, është për t’i marrë lakmi. Mosha e re e banorëve, e shtetit më të ri në botë, është përparësi shumë domethënëse. Republika e Kosovës, këtë pasuri humane, ka detyrim që ta orientojë në kahen e duhur. Ky objektiv mund të arrihet vetëm për mes arsimimit cilësor të brezave të rinj. Benjamin Franklin thoshte: “investimi në arsim sjell kamatat më të mëdha”.
Udhëtimi ynë, në saje të përdorimit të mjeteve teknologjike më të sofistikuara që ka shpikur mendja e llojit tonë, do të rritë cilësinë në arsim. Prandaj është koha të mendojmë se; ku me të vërtetë ndodhemi dhe ku duamë të shkojmë?

Shkroi: Alush Kryeziu – Trajner i certifikuar për programin: "Qeverisja dhe Udhëheqja në Arsim" – KEC 2006



Aplikimi i teknologjisë informative moderne në mësimdhënie e nxënie për lëndën e gjuhës angleze është prezantuar sot nga eksperti ndërkombëtar z. Stephen Luke, nga Washington, DC – (Senior Program Director, AED, Information Technology Applications Center, Former Director of the US Department of Education-funded National Dissemination Center for Children with Disabilities (NICHCY).

Trajnimi i ditës së sotme ishte shumë tërheqës dhe me dobi për përvetësimin e teknologjisë së re në mësimdhënie e nxënie moderne e cilësore. Kjo ditë ka lënë mbresa tek pjesëmarrësit dhe ka shtuar besimin se aplikimi i këtyre teknologjive moderne do të rritë efikasitetin dhe efektivitetin në shkollat tona. Pjesëmarrës nga shkolla jonë ishte Fehmi Kryeziu – arsimtar i gjuhës angleze dhe Alush Kryeziu – udhëheqës i shkollës.
Ky trajnim organizohet në kuadër të Programit për Arsim Themelor – PATH (BEP) që financohet nga USAID.



Monitorim nga vlerësues të jashtëm
14.03.2011 Alush Kryeziu


Në kuadër të Programit Arsimor Themelor – PATH (BEP), që është duke u financuar nga USAID, shkolla jonë është përfshirë dhe ka filluar udhëtimin në këtë Projekt së bashku me ekspertë ndërkombëtarë e vendorë për çështje të arsimit. 

  Basic Education Program Kosovo, introduction video

Sot, shkolla jonë është monitoruar nga Eksperti Ndërkombëtar për Vlerësim, z. David Carroll dhe z. Gerry Shiel – Qendra Edukative e Kërkimit (Educational Research Centre) në Dublin, si dhe Dr. Eda Vula – Universiteti i Prishtinës – Fakulteti i Edukimit.
Monitorimi për vlerësim, që është njëra ndër tri komponentët e Projektit Arsimor Themelor – PATH, u përqendrua në ecurinë e mbajtjes së orës mësimore në klasën e VIII-1, në lëndën e kimisë – mësimdhënëse Fehmije Toplana, dhe në klasën e tretë, në lëndën e matematikës – mësimdhënëse Servete Gashi.

Partnerët nga Irlanda dhe Dr. Eda Vula, janë ndarë të kënaqur me ecurinë e mbajtjes së orëve mësimore dhe kanë inkurajuar Kryetarin e Këshillit të Shkollës z. Musë Zogaj dhe për mes tij komunitetin e prindërve, udhëheqësin e shkollës z. Alush Kryeziun, mësimdhënësit dhe nxënësit në punën e tyre në mësimdhënie e nxënie cilësore. Po ashtu janë ndarë të kënaqur edhe për angazhimin dhe përkushtimin e stafit mësimdhënës dhe qeverisjes dhe udhëheqjes së shkollës për të realizuar synimin e përbashkët – shkollën cilësore.
Irlanda dhe Kosova, dy vende mike, që kanë të përbashkëta shumë gjera gjatë rrugëtimit të tyre në histori, të bashkëpunojnë mes vete në fushën e arsimit ka vlerë të veçantë, sepse Irlanda ka sistem cilësor arsimor, të cilin edhe ne e synojmë, për këtë arsye, angazhimi ynë për cilësi në arsim ka mundësi (përpos dallimeve që ka), të orientohet tek eksperiencat frytdhënëse të miqve tanë, të cilat ne i respektojmë shumë.



Ne ishim dhe jemi këtu…
12.03.2011 Alush Kryeziu

Ku ndodhet fshati Rrezor (Mleqan)?

Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Beqir Gashi” – në Rrezor (Mleqan) ndodhet në mes të magjistrales Prishtinë – Pejë



Marsi – Biografi e ndritur kombëtare
7.03.2011 Alush Kryeziu

Urime 7 Marsi – Dita e Mësuesit
Lavdi Epopesë së Lavdishme të UÇK-së

Marsi Epope e qëndresës, e përpjekjeve për liri e për arsim… muaji i shpresës, muaji i luleve, muaji i dhembjes dhe krenarisë, muaji i lavdisë së kombit, muaji i të parës shkollë shqipe, muaji i Epopesë së UÇK-së, muaji i Epopesë së Adem Jasharit dhe familjes së Jashareve.

Muaji mars, paraqet pjesën më domethënëse të leximit në eposin e ngjarjeve kombëtare, paraqet jetëshkrimin më përmbajtësor të kombit tonë.
Pikërisht, sot më 7 mars 2011, u organizua një manifestim, për nder të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit dhe 5, 6 e 7 Marsit – Epopesë së UÇK-së, nga Drejtoria Komunale për Arsim e KK Malishevë. 

Në fillim fjalën e mori drejtori i DKA-së z. Isuf Morina e më pas Kryesuesi i Asamblesë Komunale z. Ragip Begaj.
Shpërblimet për nxënës, mësimdhënës e veteranë të arsimit u ndanë nga Kryetari i Komunës, z. Isni Kilaj dhe zyrtarë të KK të Malishevës dhe të DKA-së.

Mbi bazën e propozimit të drejtorit të shkollës sonë, DKA e KK të Malishevës ka ndarë mirënjohje për:
Mejreme Kryeziun, mësuese klase
Fehmi Kryeziu, arsimtar i gjuhës angleze
Rrustem V. Kryeziu, prindi më bashkëpunues i shkollës (mirënjohje në nivel komune)
Fehmije Toplana, arsimtare e kimisë (mirënjohje në nivel komune)

_______________

Gëzuar 7 e 8 Marsin!

Ja tek erdhi përsëri këtë vit 7 dhe 8 marsi, dy prej festave më domethënëse për familjet shqiptare kudo që ato punojnë, jetojnë e mësojnë sot.
Sot është dita e 7 marsit, Festa e Mësuesve, dhe nesër është festa e 8 marsit, Festa e Nënës. Nuk është rastësi që këto festa janë njëra pas tjetrës: a ka njerëz më të përkushtuar se sa mësuesit që bëjnë të pamundurën që nxënësit e tyre të trashëgojnë atë dije të akumuluar që do t’u hapi dyer dhe horizonte të reja në jetë?!
A ka dashuri më të madhe se sa dashuria dhe sakrifica e nënës për fëmijët e saj?!
Nëse mësuesit dhe nënat kanë një jetë që ju shërbejnë fëmijëve të tyre, sot dhe nesër janë ditët ku ne, nxënësit dhe fëmijët e tyre, duhet t’u tregojmë mirënjohjen e thellë dhe dashurinë për ta. Një telefonatë nga larg, një kartolinë, një buqetë me lule, një fotografi apo portret fëmijërie, pak minuta të shpenzuara në shoqërinë e prindërve dhe mësuesve, një sjellje në kujtesë e kujtimeve të fëmijërisë, kanë një domethënie të jashtëzakonshme për këta njerëz të jashtëzakonshëm karshi të cilëve ne do të ndihemi borxhlinj përjetë.

Le t’ua dedikojmë suksesin tonë në jetë mësuesve tanë.
Le të ecim në hapat e prindërve tanë, në mënyrë që një ditë, edhe fëmijët tanë të ndihen në të njëjtën mënyrë se si ne ndihemi karshi tyre.

Mora nga Albasoul.com

Stafi i shkollës dhe ueb-faqja e shkollës (www.shkollarrezor.com), në emrin e gjithë vizitorëve dhe anëtarëve të këtij komuniteti, iu uron të gjithë mësuesve dhe nënave shqiptare ditët e festave të tyre kombëtare.

“T’i japësh arsim një burri do të thotë të mbjellësh një pemë që lëshon vetëm hije, kurse të arsimosh një grua do të thotë të mbjellësh një pemë që për veç hijes jep edhe fruta” – Sami Frashëri



Koordinatorja për vlerësim, në Programin Arsimor Themelor – PATH (BEP), Arlinda Gashi Bajgora dhe Eksperti Ndërkombëtar për Vlerësim, z. David Carroll, kanë bërë një vizitë këshilluese në shkollën tonë.
Udhëzimet që u dhanë ishin të mirëseardhura për mësimdhënëset; Fehmije Toplana dhe Servete Gashi, të cilat janë të përfshira në trajnimin për komponentin e vlerësimit në kuader të Programit Arsimor Themelor që financohet nga USAID.

Këshillat dhe udhëzimet, u përqendruan në përmirësimin e vlerësimit nga rezultatet e të nxënit dhe përmbledhjen e teknikave të rekomanduara në mësimdhënie e nxënie.