Shkolla Rrezor  Republika e Kosovës, Malishevë, Rrezor (Mleqan), SHFMU "Beqir Gashi" – Publike

Arkiv February, 2010

Projekti – Kosovision Kontest ka mobilizuar prindërit dhe komunitetin. Vlera morale që bashkoi forcën e komunitetit të prindërve për të realizuar Projektin – Këndi i gjelbërimit, kalon shumëfish përmasat e vlerës fizike.
Projekti, që është produkt i planifikimit të nxënësve të klasës së pestë, mbështetur në idenë e Projektit  "Kosovision Kontest" dhe metodat planifikuese që parashtrohen aty për planifikim bashkëkohor si dhe partneriteti i sinqertë i prindërve e pjesmarrësve tjerë, është garancia kryesore se Projekti do të realizohet sipas planit të paraparë.

Foto: Pamja e parë 

Foto: Pamja e dytë

Foto: Pamja e tretë – ndryshimi ka ndodhur

Prindërit, vullnetarisht ju kanë përgjigj zërit të nxënësve dhe shkollës. Ata sot, ditën e vikendit e kanë shpallur ditë aksioni. Me makineri të nevojshme kanë pastruar terrenin në vendin ku do të realizohet Projekti -  “Këndi i gjelbërimit”. Oborri i shkollës do të jetë shumë tërheqës, prindërit kanë trefishuar hapësirën e këndit të gjelbërimit që do t’i jap hijeshi shkollës së re e cila është në përfundim e sipër.

Falënderojmë komunitetin e prindërve për ndihmën dhe përkrahjen që i dhanë shkollës, në veçanti falënderojmë Isni Avdi Kryeziun i cili punoi gjithë ditën me kamionin e tij.

 



Prindërit mirëpresin projekt-idenë për një kënd gjelbërimi në oborrin e shkollës. Paraqitja e projektit “Këndi i gjelbërimit” para prindërve, nga mësuesja Kumrie Gashi dhe përkrahja e mbështetja nga drejtori i shkollës, ka bërë që prindërit të mobilizohen për të dhënë ndihmsën e tyre. Ky është fillimi më premtues se projekti “Këndi i gjelbërimit” do të përfundojë më sukses. Prindërit, jo vetëm që e përkrahen moralisht projektin, por ata premtuan edhe ndihmën materiale e punë fizike, jo vetëm për 300 m2 sa është planifikuar në Projektin – Këndi i gjelbërimit, por edhe tri herë më shumë, d.m.th, 900 m2.

Ideja për mbjelljen e 21 drurëve (në vend të 20 sosh) është ide e udhëheqëses së Projektit “Kosovision Kontest”, zonjës Katherina Washington. Numri i nxënësve të klasës së pestë është 21, shekulli është 21, këtu ka një simbolikë, secili nxënës do të kujdeset për një dru të mbjellë, për drurin e vet.
Faleminderit zonja Katherina Washington!



Takim pune me drejtorin e shkollës
23.02.2010 Alush Kryeziu


Më datë 23.02.2010
Nxënësit e klasës së pestë, së bashku me mësuesen e tyre, takojnë drejtorin e shkollës z. Alush Kryeziun. Drejtori i shkollës pas informatës që ka marrë për planin definitiv të Projektit – Këndi i gjelbërimit, që është paraqitur nga nxënësit, ka përgëzuar ata dhe ju ka uruar suksese duke shpreh gatishmërinë për të ofruar mbështetje, sepse, siç u shpreh drejtori, suksesi dhe arritjet tuaja janë krenaria dhe gëzimi ynë.

_______

Më datë 22.02.2010

Klasa e pestë ka paraqitur planin definitiv të projektit – Këndi i gjelbërimit. Projekti “Kosovision Kontest 2”, që mbështet nga shumë partnerë, ka zgjuar interesim të madh tek nxënësit e klasës së pestë.

Mësuesja Kumrie Gashi ka nënshkruar kontratën për implementim të këtij projekti. Ky projekt do të përcjell vlerën tek nxënësit, mësuesit dhe prindërit dhe të gjithë së bashku do të jenë përfitues, sepse shkolla e tyre do të jetë shumë më tërheqëse.

Nxënësit së bashku me mësuesen e tyre, falënderojnë Qendrën Didaktike në Gjakovë e në veçanti shërbimin e konsulencës së këtij projekti, që përbëhet nga Gonxhe Mejzini dhe Tahir Bakalli.



Gëzuar përvjetorin e dytë të Pavarësisë, Kosovë!

      


Rroftë Republika e Kosovës! 


Më 17 Shkurt 2008 Kosova u shpall e Pavarur, ëndrra e shumëpritur për Liri u bë realitet. Kjo ëndërr e përpjekjeve dhe sakrificave të mëdha u bë realitet me Adem Jasharin dhe luftëtarët trima të UÇK-së, të cilët dhanë jetën e tyre për t’i sjellë Lirinë popullit të shumëvuajtur. Ne, po ashtu çmojmë zërin e Lirisë të shumë burrave e grave kosovarë e në veçanti zërin e mësuesve që edukuan e arsimuan breza të terë me frymën e patriotizmit kombëtar…
Sot ndryshimet infrastrukturore që po ndodhin gjithandej në Republikën e Kosovës, vetëm dy vite pas shpalljes së Pavarësisë, po dëshmojnë se Shteti ynë është i pacenueshëm.
Shteti ynë ka nevojë gjithherë për ne, për dijen tonë, sepse kapitali dhe resursi kryesor i Kosovës duhet të jenë dijet dhe idetë e qytetarëve të Kosovës…
John F. Kennedy ish president i Amerikës pati thënë: "Mos pyet ç’mund të bejë vendi për ty, por pyet çfarë mund të besh ti për të".

Lumturia s’ka kufi, është kënaqësi të jetosh i lirë!
Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë!

TELEGRAM PËR PAVARËSINË

Një telegram i shkruar
Me shkronja Ilire,
Në krahë të shqipes më erdhi.

Kosovë, gëzuar ditërilindjen!

Falënderoj Perëndimin,
Që e shtyu historinë
Vetveten të korrigjojë.

UÇK

Si shkreptimë rrufeje u shfaqe
Të zgjoje ëndrrën e këputur në mes.

Një gjum’ i kripur
Rrudhte ndërgjegjen
Evropiane,
Që strukej nën hijen e mesjetës.

Por këngës së re të kushtrimit,
Ju, o trima, i patët hije
Me luftën gjer në vdekje.

Agron Sela

____________________

Me rastin e përvjetorit të dytë të Pavarësisë së Kosovës, nxënësit e shkollës sonë me ndihmën e mësimdhënësve organizuan një program festiv. Programi u shfaq në hapësirën për shumë qëllime të shkollës së re, që ende është në ndërtim e sipër. Pavarësia solli ndryshime pozitive për shkollën, këto ndryshime mundësojnë dhe garantojnë cilësi në arsim.   
Nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit festuan me dinjitet festen e Lirisë – Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Një falënderim të veçantë drejtori i shkollës shpreh për të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit për angazhimin e tyre rreth përgatitjes së programit festiv për Ditën e Republikës së Kosovës. Në veçanti drejtori falënderon, arsimtarët: Ibrahim Gashin, Gani Zogun, Zemrije Gashin, Sefë Gashin, Shemsije Kryeziun etj..


 



MËSUESI KUJDESTAR
2.02.2010 Alush Kryeziu

“Nëqoftëse ka profesion që nuk qas njerëz të vegjël e pa ideal, ky asht profesioni i mësuesit.” – ALEKSANDËR XHUVANI

Mësuesi kujdestar i klasës është e duhet të jetë një menaxhues i mirë i klasës, një “minidrejtor” për klasën në kujdestari.
Mësuesi kujdestar është koordinatori që lidh klasën me drejtorinë e shkollës e me mësuesit mësimdhënës të klasës. Mësuesi kujdestar është koordinator që lidh shkollën me familjen. Kështu duhet kuptuar dhe trajtuar puna e mësuesit kujdestar nëpër shkollat e arsimit publik e jopublik të nivelit parauniversitar.

Ç’BËN KONKRETISHT MËSUESI KUJDESTAR?

Cilët janë problemet e zakonshme të ditës dhe të perspektivës që ndiqen nga mësuesi kujdestar?
Fillojmë që nga më e thjeshta në dukje dhe rendisim të tërë problemet rutinë, të detyrueshme për t’u ndjekur. Të tëra këto punë kanë një kosto në kohë dhe kërkojnë përkushtim sistematik.
Duke filluar me zbatimin e rregullores së brendshme të shkollës:
• Kujtojmë paraqitjen e nxënësve në shkollë në orarin e caktuar.
• Futja në shkollë e klasë, qëndrimi në shkollë e klasë, mirëmbajtja e klasës me bazën materiale që ka si dhe pastërtia e saj


• Rregulli në pushimet e shkurtra.
• Rregulli në pushimet e gjata, lëvizjet nga një kat në tjetrin, lëvizjet nëpër korridore e klasa të tjera, në tualet e në fasadat e shkollës etj.
• Përgatitja sistematike dhe me detyra në të tëra lëndët. Plotësimi dhe freskimi i këndit të klasës.
• Marrëdhëniet e nxënësve me mësuesit e lëndëve që japin mësim, sidomos me
mësuesit zëvendësues, që nuk janë të rrallë.
• Marrëdhëniet e nxënësve me njëri-tjetrin brenda klasës, marrëdhëniet me nxënësit e tjerë të klasave paralele, më nxënësit e klasave më të ulta e më të larta.
• Marrëdhëniet djem vajza e forcimi i ndjenjës së kolektivitetit e mirësjelljes reciproke në punë (mësim).
• Marrëdhëniet me më të pafuqishmit, me të vegjlit e të moshuarit.
• Marrëdhëniet jashtë klase e shkolle me të panjohurit edhe pse mendohet që disa nga këto norma janë të njohura nga edukimi në familje.

Jetojmë në një komunitet shumë heterogjen, sidomos në qendra të mëdha banuese e për rrjedhojë ne duhet të pranojmë që jo të gjithë nxënësit janë të mirëedukuar me kësi normash, pa përmendur edhe shtysat e veset që jetojnë brenda vetë komunitetit të nxënësve. Kjo është temë tjetër dhe mendojmë se e kemi konsumuar në shkrimet e tjera. Mësuesi kujdestar ndjek e lufton veset e këqija, si vjedhja, grabitja, rrahja, pirja e duhanit, alkooli, droga, prostitucioni etj.
Mësuesi kujdestar ndjek e duhet të mirëinformohet edhe madje, për mbajtje armësh me vete; si ato të zjarrit dhe të ashtuquajturat armë të ftohta, që rrezikojnë jetën e nxënësve.
Mësuesi kujdestar koordinon punën me drejtorinë e shkollës, plotëson dokumentacionin me përgjegjësi dhe përgjigjet përpara drejtorisë, plotëson të dhënat e duhura për çdo nxënës dhe për klasën dhe mban në kontakt të vazhdueshëm drejtorinë e shkollës. Jep llogari për rezultatet e klasës në kujdestari etj etj.
Mësuesi kujdestar mban lidhje të rregullta e të vazhdueshme me familjet e nxënësve të tij. I informon ata për arritjet apo mospërgatitjen e duhur të fëmijëve të tyre. I ndihmon edhe për metodën e të nxënit të fëmijëve të tyre në shtëpi. Mësuesi kujdestar siguron
mbarëvajtje të klasës me të tërë mësuesit që japin mësim aty, duke informuar të tërë mësuesit për gjendjen e klasës, ngarkesën ditore, shqetësimet dhe problemet e veçanta që mund të ketë ndonjë nxënës etj.
Kjo ishte një panoramë e punës së lodhshme të një mësuesi kujdestar nëpër shkolla edhe pse nuk pretendojmë se i kemi prekur të tëra çështjet e problemet me të cilat ndeshet çdo ditë mësuesi kujdestar. Sa vlerësohet dhe si çmohet kjo punë? Mendojmë se ka vend për të diskutuar e për t’u parë. Vlerësimi i kësaj pune është vlerësimi tradicional që llogaritet me barasvlerën e një ore mësimi javore….

Shkroi: Rifat Xhina
Burimi: Gazeta "Mësuesi"