Tema Arsimore  (Platformë Personale)

Arkiv 'Lajme':

Në sallën e takimeve të MASHT-it, më datë 5 e 6 korrik 2011 është organizuar një trajnim me shkollat pjesëmarrëse në Projektin e USAID-it – Projekti për Arsimin Themelor – PATH. Shkolla jonë është njëra ndër 11 shkollat e para të Republikës së Kosovës të përfshira në këtë projekt. Në komponentën e vlerësimit shkolla jonë është duke u përfaqësuar nga dy mësimdhënëset; Fehmije Toplana dhe Servete Gashi, të cilat shumë shpejt do të jenë facilitatore – lehtësuese me bazë në shkollë.
Në këto dy ditë trajnimi, pjesëmarrësit janë udhëhequr nga David Carroll dhe Arlinda Gashi Bajgora. Shkollat pjesëmarrëse, që në fakt janë shkolla udhëheqëse të këtij programi, për këto dy ditë trajnimi u përqendruan kryesisht në dy çështje bazale: 1. Finalizimi i draftit të standardeve të vlerësimit të brendshëm në shkollë dhe 2. Finalizimi i draftit të Kodit Etik për vlerësim të brendshëm në shkollë.

Grupet punuese ishin shumë aktive dhe dhanë ide përmbajtjesore për të finalizuar dokumentet për vlerësim të brendshëm dhe për Kodin Etik për shkollat.



Pushime të këndshme!
4.07.2011 Alush Kryeziu

Foto: Edukatorja, Selvie Gashi dhe mësuesi, Ejup Kryeziu, që do t’i mësojë këta fëmijë në klasën e parë

Edukatorja Selvie Gashi ka ftuar prindërit e fëmijëve të cilët ishin të përfshirë në edukim në nivelin “0” (zero), në vitin shkollor 2010/2011. Këta fëmijë, prej edukatores Selvie Gashi, tani më, janë përgatitur për klasën e parë. Biseda me prindër ishte e frymës bashkëpunuese dhe me karakter njohës për rregullat që duhet të përfillin prindërit me rastin e regjistrimit të fëmijëve të tyre në klasën e parë, në Shkollën Fillore.

Drejtori i shkollës ka përshëndetur prindërit për bashkëpunim dhe ka njoftuar ata që t’i sjellin certifikatat e lindjes për fëmijët e tyre me rastin e regjistrimit në klasën e parë, sepse në këtë formë regjistrimi do të jetë shumë më efektiv. Informacionet e sakta do t’i sjellin lehtësira mësuesit dhe shkollës.



Mbrëmja festive e semimaturës
8.06.2011 Alush Kryeziu


Të nderuar nxënës dhe mësimdhënës,
I nderuar Kryetar i Këshillit të Shkollës së Rrezorit, Musë Zogaj
Të nderuar të pranishëm

Të dashur nxënës, kjo mbrëmje festive është shenjë që do të mbetet në kujtesën tuaj, shenjë që do t’ju shoqërojë gjatë gjithë jetës suaj. Kjo natë, e gëzueshme, emocione nuk sjell vetëm për ju, por edhe për mësimdhënësit tuaj të cilët janë krenarë me ju. Ata vazhdimisht do të interesohen dhe do të pyesin për ju dhe ç’është e vërteta sukseset dhe arritjet tuaja do të jenë gëzimi i tyre gjithherë.

Të dashur nxënës, arritjet dhe sukseset tuaja në arsim, do të lidhen ngushtë me arritjet dhe sukseset e shtetit të Kosovës nesër, dhe pikërisht, ju jeni ata që me dijen dhe punën tuaj, do t’i jepni fytyrën dhe bukurinë e vërtetë atdheut tonë të dashur.
Prandaj, në këtë mbrëmje solemne të semimaturës suaj, unë po ashtu ju uroj edhe fillimin e një udhëtimi të ri në edukim, që nis për ju shumë shpejt, që do të thotë ju do të jeni shumë shpejt nxënës të shkollave të mesme në Republikën e Kosovës.

Duke përfunduar, jam i privilegjuar që të shpall të hapur këtë mbrëmje festive për nxënësit e të dy shkollave Kijevë dhe Rrezor dhe të ju uroj të kaloni çaste të lumtura.

Gëzuar dhe suksese!
Me respekt, drejtori i shkollës së Rrezorit, Alush Kryeziu
Ju faleminderit!



Vizitë nga KFOR-i – LMT
8.06.2011 Alush Kryeziu

Ekipi Ndërlidhës Monitorues – LMT, që është në përbërje të KFOR-it, sot ka vizituar shkollën tonë dhe ka sjellë revistën “ 4You” për nxënësit e shkollës sonë.
Bashkëpunimi i vazhdueshëm i shkollës sonë me LMT dhe KFOR, është në suaza të gatishmërisë së shkollës që të kërkojë vazhdimisht partnerë, pa të cilët udhëtimi i shkollës është i pamundur.
Prandaj shkolla jonë falënderon të gjithë partnerët, të cilët po e lehtësojnë udhëtimin e shkollës sonë, e në këtë rast falënderojmë KFOR-in dhe LMT zvicerane.



MASHT-i nuk na harroi
2.06.2011 Alush Kryeziu

Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Beqir Gashi” në Rrezor (Mleqan) të Malishevës ishte përzgjedhur nga MASHT dhe nga vet Ministri Ramë Buja, që të përmbyllte fushatën e Javës së Aksionit Global për Arsimin për të Gjithë me temën "Arsimim për gratë dhe vajzat “ nën moton; "Po, ajo mund!". Me rastin e këtij Aksioni Global, në të cilin ishin përfshirë rreth 200 vende të botës, shkolla jonë si pjesë e këtij Aksioni pritej që të vizitohej nga Ministri i Arsimit, Z. Ramë Buja i cili do të përmbyllte, më 6 maj 2011, pra vet Ministri i Arsimit, këtë Aksion me karakter botëror. Por, pikërisht, më 6 maj 2011 kur duhej të përmbyllej ky aktivitet, në shkollën tonë ishte ditë dhembje e pikëllimi, tragjikisht pati humbur jetën nxënësi i klasës së pestë Albion Shala. Drejtori i shkollës pati kërkuar nga MASHT-i që të pezullohet aktiviteti i planifikuar dhe vizita e Ministrit të Arsimit dhe ashtu pati ndodhur… 

MASHT-i nuk harroi nxënësit e mësimdhënësit e shkollën sonë. Sot, më 02.06.2011 zyrtare të MASHT-it, Znj. Fatime Jasiqi dhe Znj. Shyhrete Reçica, kanë gëzuar shkollën tonë. Ato kanë sjellë dhurata për nxënësit e dalluar në lëndët: gjuhë shqipe, kulturë muzikore dhe kulturë figurative, nxënës të cilët ishin të përfshirë në Aksionin Global për Arsimin për të Gjithë, kurse shkollës i kanë sjellë, një kitare dhe material shpenzues për nevoja të nxënësve e mësimdhënësve.
Drejtori i shkollës, Alush Kryeziu, ka falënderuar MASHT-in, në veçanti Ministrin e Arsimit Z. Ramë Buja, për përkrahje dhe partneritet të sinqertë me shkollën dhe është zotuar se shkolla do të ecë me hapat e duhur, për tu bërë shkollë cilësore.



Gëzuar 1 Qershori – Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve!

Video: Festa – 1 Qershori – Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve – Shkolla Rrezor

Në shkollën tonë u shënua Festa Ndërkombëtare e Fëmijëve.
Nxënësit së bashku me mësimdhënës kanë manifestuar gëzimin për festën e tyre, duke hapur një ekspozitë me punimet e tyre në vizatim, kanë freskuar “Gazetën e murit” më poezi dhe kanë shfaqur një program të shkurtër me këngë dhe recitime.



Ekskursion me klasën e nëntë
27.05.2011 Alush Kryeziu

Ekskursioni me nxënës të klasës së nëntë, që u organizua nga Drejtoria e Shkollës, kujdestari i klasës Rrahman Gashi dhe nga Këshilli i Prindërve, ka përmbushur parashikimet e planifikimit në tërësi.
Drejtori dhe stafi mësimdhënës kanë lavdëruar nxënësit e klasës së nëntë për sjellje shembullore dhe kulturë të lartë që treguan gjatë gjithë kohës së ekskursionit.

Video: Klasa e IX – Shetitja 2011

Ekskursioni nëpër Kosovë, i cili ka karakter njohës dhe edukativ, për nxënësit e kësaj gjenerate, të cilët po përgatiten për provimet e semimaturës, ka lënë mbresa të pashlyera.

Video: Burimi i Drinit të Bardhë




Projekti i USAID-it BEP, ka organizuar një vizitë studimore, në Ohër, ku u mbajt Konferenca Ndërkombëtare -Vlerësimi për Nxënie në shek.21-,e cila u organizua nga projekti PEP-USAID, Maqedoni, nga data 23-24 Maj, 2011.
Prezantuesi kryesor i kësaj Konference ishte profesori Paul Black,hulumtues i famshëm në fushën e vlerësimit, poashtu edhe Jose Noijons, ekspert i vlerësimit në arsim.
Në vizitën studimore kanë marrë pjesë stafi i BEP-it, përfaqësues nga Sektori i Vlerësimit nga MASHT, si dhe të gjithë partneret arsimor të cilët do të përfshihen në zbatimin e Programit të Arsimit Themelor, respektivisht Komponentën e Vlerësimit që menaxhohet nga David Carroll dhe Arlina Gashi Bajgora…

Pjesëmarrja në këtë Konferencë, për shkollën tonë, ka rëndësi të veçantë dhe eksperienca e fituar do të jetë ndikuese për të realizuar sa më në nivel Projektin e USAID-it – BEP (PATH), që shkolla jonë, tani më është pjesë e këtij programi arsimor me vlerë.

http://pep.org.mk/al/news/2011/jun/ass/ass.html



Gjimnazi “Luigj Gurakuqi” i Kijevës nuk ishte thjeshtë një shkollë e mesme, ishte më shumë se aq, ishte çerdhe edukimi kombëtar e shkencor.
Aq shumë mbresa të shenjave për kombin, që të mbushin shpirtin edhe sot me frymë… E kujt më shumë, pos mësueseve, mund tu takojë të mbajnë lart flamurin e krenarisë?
Eh, sa shumë sakrifica!
Akademi Përkujtimore për një shkollë të mesme, për një universitet të trevës së Llapushës, që bëri aq shumë për kombin…
Sa herë që përmendet Gjimnazi “Luigj Gurakuqi” i Kijevës, nuk mund të mos kujtosh emrat e mësuesve: Ismail Gashi, Hamit Krasniqi, Sokol Kryeziu, Prend Puzhala, Azem Syla, Asllan Krasniqi, Hamit Dobruna, Mehmet Kryeziu, Ilaz Gashi e shumë e shumë të tjerë, që përhapen dritën e diturisë dhe dashurinë për kombin…
Me rastin e 30 vjetorit të demonstratave të vitit 1981, që u organizuan nga kjo vatër edukimi, sot, më 20 maj 2011 u bë zbulimi i Pllakës Përkujtimore të 38 Dëshmorëve, të gjithë ish nxënës të këtij tempulli të dijes, të gjithë të rënë në luftën e lavdishme të UÇK-së.


Zbulimin e Pllakës Përkujtimore, për 38 Dëshmorët e Kombit ish nxënës të Gjimnazit “Luigj Gurakuqi” të rënë në Luftën e UÇK-së që luftuan kundër pushtuesit serb, e bënë: Kryetari i KK të Malishevës Isni Kilaj, Kryetari i KK të Klinës Sokol Bashota, Halil Krasniqi, Halit Krasniqi e Mehmet Kryeziu…