Shkolla Rrezor  Mleqan, Malishevë, Republika e Kosovës – Republic of Kosova

Arkiv 'Lajme':

U mbushën katër vjet, përpjekje, angazhim dhe përkushtim në administrimin e ueb-faqes së shkollës sonë.
Jemi shumë të lumtur, sepse mundi ynë nuk shkoi kot. Kurrë nuk kemi pasur më shumë miq se sa sot. Pa miq, shkolla nuk ka si të lëvizë në drejtimin e duhur. Ueb-faqja na mundësoi që të kemi shumë bashkëpunëtorë, na mundësoi të krijojmë të ashtuquajturin “rrejt të merimangës”, rrjetin e partneritetit, pa të cilin rrjet nuk do të ishim kurrë këtu ku jemi sot. Shkolla jonë ka partnerë në të gjitha nivelet, prandaj ecja jonë është më e sigurt…
Marrja dhe dhënia e informatave përmes internetit, ka bërë të mundur që të rritet pasioni ynë për të përcjellë risitë në fushën e arsimit.
Tani, shkolla në Rrezor (Mleqan), nuk është ajo e para tri viteve, ndryshimet që kanë ndodhur janë shumë të mëdha, krahasimet do të dilnin të pabesueshme…
Për gjithë këtë, falënderojmë partnerët tanë, sepse rezultatet e shkollës sonë, gëzimi ynë, burim ka mbështetjen e tyre…



Urime dita e parë e shkollës!
1.09.2010 Alush Kryeziu

Nxënës, prindër dhe mësimdhënës,

Mirë se erdhët!
Urime dita e parë e shkollës!

Kur nis viti i ri shkollor, nis shpresa dhe gëzimi për të nxënë. Ky shtator, reflektoi zhgënjim, sepse nxënësve nuk ua mundësuam që të hyjnë në godinën e re shkollore, sepse nuk u përfunduan punimet, të cilat po stërzgjatin. Objekti nuk është pranuar teknikisht nga MASHT-i…
Nxënësi i shkollës sonë, po ballafaqohet me pengesa mjaft serioze, detyrimisht mbahet mësim edhe në klasa kontejnerë…
Shkolla e re, që ka filluar të ndërtohet nga MASHT-i, në fillim të shkurtit 2009, ende nuk ka përfunduar… punimet po zgjatin, hiq më pak se 20 muaj.
Sot në ditën e parë të shkollës, nxënësit u ndien të mashtruar dhe në fytyrat e tyre unë pash pak gëzim… mbase unë jam fajtori!!!…



Sot, pikërisht më 1 shtator – në ditën e parë të fillimit të vitit shkollor, MASHT-i dhe DKA vizituan shkollën tonë. Kjo vizitë, me synimin e përgjithshëm, monitorim dhe vlerësim të punimeve përfundimtare në godinën e re shkollore, punime këto që po zgjasin jo më pak se 20 muaj. Kjo vizitë nga Drejtori i DKA-së z. Isuf Morina, Drejtoresha për Infrastrukturë në MASHT, Fadile Dyla, inxhinierë të MASHT-it, Bajram Beqiraj dhe Shemsi Dakaj, ishte e mirëseardhur për të gjithë elementet përbërëse të shkollës sonë, duke përfshirë prindërit, nxënësit, mësimdhënësit, shërbimin tekniko-shërbyes, udhëheqjen etj..

Megjithatë, ne besojmë se eliminimi i ca lëshimeve, që kërkojnë të korrektohen nga punëkryesi, do të përshpejtojnë kohën që të hyjmë në godinën e re në mënyrë që t’ju japim fund pengesave të shkaktuara nga hapësira e kufizuar dhe t’ju themi lamtumirë njëherë e përgjithmonë klasave kontejnerë.



Urime dita e parë e shkollës!
31.08.2010 Alush Kryeziu

Kënga e Abetares


Abetare, Abetare,
Sillma diellin në dritare!

Lehtë, lehtë
e bukur, bukur,
Dora ime sa e lumtur;
Hap një faqe,
kthen një fletë,
Nëpër shkronja –
Bota vetë.


Rrjedh në fjalë plot kumbim
Gjuhë e lasht e vendit tim.

Me ty mendjen lartësoj
Me ty zemrën e gëzoj,
Bëhem zog e fluturoj.

Abetare, Abetare,
Ti je dielli në dritare.

Autori: Xhevahir Spahiu

______________

Pamje vjeshte

Shkoi vera
…..Si hije,
Fryn era,
…..Shi bie.

Lart qielli
…..Si plumbi,
Shkoi dielli,
…..Na humbi.

S’ka jetë-
…..Ra brymë,
Bar, fletë
…..Pa frymë.

Rri zogu
…..Te hajë,
Te shtogu
…..Mi majë.

Ka gojë;
…..Do jetën,
Ta rrojë
…..Të shkretën!

……….

Autori: Asdreni

 




U montuan tabelat dhe tavolinat
19.08.2010 Alush Kryeziu

Në shkollën tonë të re, punëtorët e fabrikës së mobileve “Graniti” me seli në Therandë, sot kanë montuar tabelat nëpër klasa dhe tavolinat gjithashtu.  

MASHT-i, partneri ynë më i fuqishëm, ka furnizuar shkollën tonë të re me inventar të ri, ndryshimi që ka ndodhur është shumë i madh, nxënësit tanë do të kenë kushte shumë më të mira për mësimnxënie…

MASHT-it, ne do t’i përgjigjemi me punë, me angazhim efektiv, në mënyrë që të arrijmë shkollën cilësore që është synimi ynë.

MASHT-it, sinqerisht, i dhurojmë vetëm një fjalë, fjalë zemre, që është fjalë çelës, pa të cilën nuk hapen portat e parajsës – fjalën faleminderit! 

Shërbimet e ofruara nga punëtorët e kësaj fabrike, ishin të një cilësie të lartë dhe të përmasave evropiane.



Fillimi i vitit të ri shkollor po afron. Shkolla e re ende nuk ka përfunduar së ndërtuari. Inxhinierë të MASHT-it, Bajram Beqiraj, Rina Ponosheci dhe Naim Demiri, sot monitoruan ecurinë e punimeve dhe kanë udhëzuar punëkryesin, Fatos Ukella, që të angazhohet maksimalisht në përfundimin e punimeve, tani më finale, në mënyrë që shkolla të jetë gati për përurim, më 1 shtator 2010.

Inxhinierët kanë vlerësuar se punimet duhet të përqendrohen tek shtruarja e kubëzave për platformën e rreshtimit të nxënësve, vendosja e njësorit elektrik, testimi i rrymës elektrike në objekt, vendosja e dy ventilatorëve në kulmin për ndriçim, izolimi i ballkonit, pastrimi i tërë objektit në hapësirat e brendshme etj…

Drejtori i shkollës, Alush Kryeziu, duke falënderuar inxhinierët e MASHT-it, ka potencuar se përgjegjësinë për pranimin e objektit të shkollës së re, në gjendje të rregullt ose jo, e mban kryesisht MASHT-i, që është investitori i vetëm i kësaj godine shkollore shumë të bukur, që i ka dhënë hijeshinë fshatit tonë.



Drejtori i DKA-së, z. Isuf Morina, i cili shoqërohej nga shefi për arsim në DKA, z. Halim Hoti dhe zyrtarin e DKA-së, z. Remzi Buçaj, monitoruan ecurinë e punimeve në shkollën e re e cila është në fazën përfundimtare.

Drejtori i DKA-së, z. Isuf Morina, ka kërkuar nga punëkryesi angazhim më serioz në mënyrë që shkolla të jetë e gatshme të pranojë nxënësit në fillim të këtij viti të ri shkollor, pra më 1 shtator 2010.



Pushime të këndshme!
6.07.2010 Alush Kryeziu


Foto: Shkolla e re

Besojmë, se më 1 Shtator 2010, shkolla e re do të jetë e gatshme për të pranuar nxënësit…

_________________

Pushime të këndshme!!!

Libra elektronik shqip 



"Testi i Arritshmërisë 2010" për klasat e nënta është mbajtur, sot në qendrën numër tre, në Shkollën e Mesme Profesionale “Lasgush Poradeci” në Kijevë. Në këtë qendër kanë mbajtur testin 10 shkolla të komunës së Malishevës ("Bajram Curri”, "Beqir Gashi", "Deshmoret e Fshatit Bubavec", "Gjergj Kastrioti", "Kajtaz Ramadani", "P.N.Luarasi", "Tafil Kelmendi", "Visar Krasniqi" dhe "Xhevë Krasniqi-Llaadroci”).

Drejtori i DKA-së, z. Isuf Morina ka përshëndetuer nxënësit, administratorët dhe vëzhguesit e në veçanti ka uruar nxënësit për sukses në arritje të poenëve në këtë test me dimension kombëtar. 


Nga MASHT-i, testin e ka administruar z. Isuf Gashi, nga DKA, Remzi Buçaj, Emine Krasniqi si dhe drejtori i Shkollës se Mesme Profesionale "Lasgush Poradeci", z. Bedri Javori.

  • Publikimi i rezultateve do të bëhet me datë 08 korrik 2010.